Nd?rroi jet? 99 vjet m? par? Antoni Gaudì, arkitekti i Sagrada Familia
R.SH. – Vatikan
Sagrada Familia është lutje drejtuar Zotit dhe himn për jetën. Përkujtojmë sot arkitektin e saj, i cili vdiq në një aksident më 10 qershor 1926, 99 vjet më parë. Që nga viti 1883, Antoni Gaudí ia kushtoi jetën asaj kishe – hov drejt qiellit, tempull i “fesë së mishëruar” në Barcelonë të Spanjës - duke i dhënë formë gurit në çdo detaj, pavarësisht se arriti të përfundojë vetëm fasadën e Lindjes së Krishtit, prej katër fasadave të kishës. Vepër, që vijon të jetojë e të plotësohet nga artistë të tjerë, në gjurmët e artistit, që shihen në gjithë qytetin detar.
Një katedrale drite
Guri dhe drita janë dy elemente në dialog të vazhdueshëm në kishën e krijuar nga Gaudì, duke e kthyer atë në një katedrale drite, siç e quajnë dishepujt e artistit. Vërtet, fasada e Lindjes së Krishtit, realizuar prej tij, është nga Lindja, pikërisht , nga lind dielli, pasi arkitekti e identifikoi rrezen e parë të dritës me Zotin. Kështu, çdo njeri, sapo e fillon ditën, përballet me sigurinë se Hyji e shndrit jetën e tij, pavarësisht sa punë e sa probleme ka.
Kishë e popullit
Vetë natyra e Sagrada Familia-s, që ndërtohet falë donacioneve, e bën këtë monument të UNESCO-s një vepër, për të cilën kontribuojnë çdo ditë besimtarët, shtegtarët dhe të gjithë vizitorët. Forca shpirtërore e këtij vendi është e dukshme: të bën përshtypje fakti se ka njerëz, që preken kur hyjnë në Sagrada Familia, të tjerë fillojnë një këngë, disa mblidhen në lutje. Edhe pse vijnë si turistë, gjithmonë preken në shpirt. Sagrada Familia nuk është vetëm një monument i së kaluarës për t'u admiruar, por diçka e gjallë, e cila mund të jetë autoportret i ndjenjave të njeriut në atë moment. Bazilika është pasqyrë e shoqërisë, e artit, e mënyrës se si i interpretojmë gjërat. Gaudi ishte i vetëdijshëm se çdo çast historik flet me gjuhë të ndryshme, e cila shprehet në kishën në ndërtim e sipër. Gaudi i ka dhënë mundësi njeriut të sotëm, shpesh të zhgënjyer, të provojë mahnitjen para bukurisë, të mendojë se është në gjendje të prekë me dorë qiellin, si kulmet e kësaj kishe të mrekullueshme, simbol i lartimit drejt Zotit.