Fjala e Zotit e solemnitetit t? Rr?shaj?ve ‘C’
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor të shtunës me Fjalën e Zotit të dielës, kësaj here meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të solemnitetit të Rrëshajëve, festës së Zbritjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Çenakull: që nga ajo ditë, historia e njerëzimi ka një hov të ri, një shtytje të re, një jetë të re.
Fjala e Zotit e solemnitetit të Rrëshajëve
Kisha katolike kremton solemnitetin e zbritjes së Shpirtit Shenjt mbi Apostujt e Marinë, mbledhur në Çenakull. Kanë kaluar 50 ditë nga solemniteti i Pashkëve e sot, me Kishën në festë, kremtojmë dhuratat që Jezu Krishtit Zot na i ka dhuruar: Shpirtin Ngushëllues që vjen nga Ati Qiellor e, festa e Rrëshajëve shënon ditëlindjen e Kishës. Pesëdhjetë ditë pas Pashkëve realizohet premtimi, që Jezusi u pati bërë dishepujve: pagëzimi në Shpirtin Shenjt dhe ndikimi nga lart i pushtetit, për t’ia kumtuar me bindje e forcë Ungjillin mbarë popujve.
Me Rrëshajët përmbushet, pra, plani i Hyjit për krijimin e një populli të ri dhe lind Kisha. Liturgjia e Fjalës së Zotit na ofron kryesisht figurat, me të cilat paraqitet Shpirti Shenjt. Duke kujtuar rrëfimin mbi Rrëshajët, sipas Veprave e Apostujve, vërejmë se Shpirti Shenjt paraqitet me figurën e stuhisë e të zjarrit.
Stuhia përshkruhet si erë e fortë. Kjo metaforë na bën të mendojmë për ajrin, që e dallon planetin tonë nga të tjerët e falë të cilit jetojmë. Ajri dhe Shpirti Shenjt janë të dy të domosdoshëm, pa ta s’mund të ketë jetë. Çka është ajri për jetën biologjike, është Shpirti Shenjt për jetën shpirtërore; e ashtu si ekziston ndotja atmosferike, që helmon mjedisin e qeniet e gjalla, ekziston edhe ndotja e zemrës dhe e shpirtit, që e helmon dhe e nxin jetën shpirtërore.
Pas paralelizmit ndërmjet ajrit dhe Shpirtit Shenjt, mund të përdorim edhe një similitudë tjetër: siç përpiqemi t’i spastrojmë helmet e ajrit – e prandaj impenjimi ekologjik sot është një detyrë e dorës së parë – ashtu duhet të bëjmë me gjithçka që e prish Shpirtin. Metafora e erës së rrëmbyer të Rrëshajëve, na bën të mendojmë sa rëndësi ka të thithësh ajër të pastër: si me mushkëri, ajrin fizik, ashtu me zemër, ajrin shpirtëror, ajrin e shëndetshëm, që është dashuria.
Liturgjia e Fjalës ndalet, më pas, tek zjarri, figurë tjetër e Shpirtit Shenjt, për të cilën na flasin Veprat e Apostujve. Zjarrin e vërtetë, Shpirtin Shenjt, e solli mbi tokë Jezu Krishti. Ai nuk ua rrëmbeu zotave, si bëri Prometeu, sipas mitit grek, por u bë ndërmjetës i ‘dhuratës së Hyjit’, duke nxjerrë për ne hirin e aktit më të madh të dashurisë: vdekjen e vet mbi kryq. Zoti dëshiron të vijojë t’ia dhurojë këtë zjarr të gjitha breznive njerëzore e, me që është shpirt, ‘fryn ku dëshiron’. Rruga që zgjodhi Hyji për ta lëshuar zjarrin mbi tokë është Jezusi, Biri i tij i vetëm, që u mishërua, vdiq e u ngjall për mbarë njerëzimin.
Të marrësh dhuratën e Shpirtit Shenjt Zot, do të thotë të kuptosh të jetuarit në bashkësi, në bashkim me tjerët, në dritën e Shkrimit Shenjt. Në rrëfimin, që përshkruan Rrëshajët, nënvizohet se dishepujt ishin të gjithë së bashku në të njëjtin vend. Ky vend është Çenakulli, ku Jezu Krishti kaloi me apostujt e vet Darkën e Mbrame e ku iu duk atyre, i ngjallur. Por duhet pasur parasysh se Veprat e Apostujve nuk ngulmojnë aq për të treguar vendin fizik, sesa gjendjen shpirtërore të dishepujve: të gjithë ishin të përqendruar prore së bashku në uratë (Vap 1,14).
Pra kushti për zbritjen e Shpirtit Shenjt është harmonia ndërmjet dishepujve; e parakusht i harmonisë, është lutja. Ky parakusht vlen edhe për Kishën e ditëve tona. Në se dëshirojmë që Rrëshajët të mos kthehen thjeshtë në rit ose në përkujtim, sado madhështor, por të jenë ngjarje aktuale shëlbimi, duhet ta presim dhuratën e Zotit duke e dëgjuar të përvuajtur e të heshtur Fjalën e Tij.
Shpirti Shenjt e mund frikën. Dishepujt ishin strehuar në Çenakull pas arrestimit të Jezusit, Mësuesit të tyre e ishin strukur aty, nga frika se mund të pësonin të njëjtin fat. Por në Rrëshajë, kur Shpirti Shenjt pushoi mbi kokat e tyre, këta burra dolën jashtë pa pikë frike e nisën t’ua kumtonin të gjithëve lajmin e mirë të Jezu Krishtit të kryqëzuar e të Ngjallur. Nuk patën frikë fare sepse e ndjenin veten në duart e më të fortit. Po, aty ku hyn Shpirti i Zotit, frika zhduket; Shpirti Shenjt na bën të pranojmë e të ndjejmë se jemi në duart e Gjithëpushtetit të dashurisë: çfarëdo që të ndodhë, dashuria e tij e pakufishme nuk na braktis.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Vap 2, 1-11
Lexim prej Veprave të Apostujve
Kur erdhi dita e Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend. Dhe, ja, papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin. Atyre atëherë ju dukën gjuhë, si të ishin zjarri. Këto u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre. Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin.
Dhe aso herë në Jerusalem banonin judenj, njerëz të përshpirtshëm, të ardhur prej të gjitha kombeve të botës. Dhe, kur u dëgjua ajo ushtimë, ngarendi një shumicë e madhe dhe mbetën të habitur, sepse secili i dëgjonte duke folur në gjuhën e vet.
Të gjithë çuditeshin e u mrekullonin dhe thoshin: “Këta njerëz që po flasin, a thua vallë nuk janë të gjithë galileas? Po si atëherë secili prej nesh i dëgjon duke folur në gjuhën e vet amtare? Partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit e të Azisë, të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit, të krahinave të Libisë rreth Cirenës, njerëz të ardhur nga Roma, judenjt e proselitë, kretas e arabë – të gjithë ne po i dëgjojmë duke shpallur veprat e madhërueshme të Hyjit në gjuhët tona amtare. Fjala e Zotit.
Psalmi 104
Plot është toka me Shpirtin tënd, o Zot.
--- --- ---
Bekoje, shpirti im, Zotin!
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua!
Plot është toka me krijesat e tua.
--- --- ---
Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen,
dhe kthehen në pluhur përsëri.
Po e dërgove frymën tënde,
përsëri përtërihen,
dhe e rinon fytyrën e dheut.
--- --- ---
E amshueshme qoftë lavdia e Zotit,
u gëzoftë Zoti në veprat e veta!
I pëlqeftë Zotit kënga ime,
kënaqjen time e kam vënë në Zotin!
--- --- ---
Leximi i dytë Rom 8, 8-17
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, ata që jetojnë nën ndikimin e trupit, nuk mund t’i pëlqejnë Hyjit. Ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij. E nëse Krishti është në ju, trupi është patjetër i vdekur për shkak të mëkatit e Shpirti është jetë për shkak të drejtësisë. Nëse Shpirti i Atij që e ngjallli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju.
Këndej, o vëllezër, ne kemi detyrim, por jo kundrejt mishit, që të jetojmë nën ndikimin e mishit: sepse, në qoftë se jetoni simbas ndikimit të mishit, do të vdisni, por, përkundrazi, po qe se i bëni të vdesin veprat e mishit nën ndikimin e Shpirtit, atëherë do të jetoni. Sepse bijtë e Hyjit janë ata, të cilët i udhëheq Shpirti i Hyjit. Ju veç nuk e keni marrë shpirtin që bën robër në mënyrë që përsëri të trembeni, por keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë! Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit. E nëse jemi fëmijë, atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, sikurse në të vërtetë vuajmë bashkë me Të, që edhe të lavdërohemi bashkë me Të. Fjala e Zotit.
Ndjekësorja
O Shpirt Shenjt, deh zbrit mbi ne,
e prej qiellit derdh mbi ne
rrezet tua plot me dritë.
Eja, o Atë, për nevojtarë,
eja, ti n’dhanti bujar,
eja, ti që mendjet shndrit.
Ti n’ngushtica ngush’llim bjen,
ti ndër zemra si mik vjen,
t’lodhunt n’jetë rishtas forcon.
N’mund e djersë ti je pushim,
n’vapë e luftë ti je freskim,
lot ti terë, zemrat ngushllon.
Dritë Hyjnore, plot shejtni,
shndritnai mendjet e n’dashuri
kalle flakë kënd n’ty shpreson.
Ku s’je ti, gjithçka dështon
n’natyrë t’njerit gjë s’qëndron
që t’jetë shenjte, si ti don.
Njollat hiq, dangat pastro,
n’shpritra tanë hiret rigo,
varrët e mëkatit na i shero.
Çka ësht’ t’brishtë, këndshëm lako,
çka ësht’ t’ftohtë, me flakë rretho,
çka ësht’ t’shtrembët, ëmbël drejto.
Jepna ne që n’ty besojmë,
jepna ne që n’ty shresojmë,
shtatë dhantitë që aq dëshirojmë.
Mundin tonë ti na e shpërble,
n’mëkat me vdekë ti mos na le,
bën me ty n’amshim t’lumnojmë.
ALELUJA, aleluja.
Eja, o Shpirt Shenjt, mbushi zemrat e besimtarëve të tu,
dhe ndeze në ta zjarrin e dashurisë sate.
Aleluja
Ungjilli Gjn 14, 15-16.23-26
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë.
Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duajë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë. Kush nuk më do, nuk i mban fjalët e mia. E fjala që po dëgjoni, nuk është imja, por është e Atij, që më dërgoi, e Atit. Këto fjalë jua thashë ndërsa banova me ju. E Shpirti Shenjt, Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë.” Fjala e Zotit.
Homelia nga dom Dritan Ndoci
RRËSHAJËT: SHPIRTI SHENJT – MBROJTËS.
(Vap 2, 1-11; Ps 104 (103); Rom 8, 8-17; Gjn 14, 15-16. 23-26) Mesha e ditës
«I krishteri është i përbërë nga trupi, shpirti dhe Shpirti Shenjt», shkruante në shekullin III Tertualiani, njëri prej Etërve më të ndritur të Kishës. Mbi Kishën e sapo themeluar nga Jezu Krishti ishte e nevojshme që të zbriste Shpirti Shenjt, për t’i bërë dishepujt e Krishtit të krishterë në plotësi. Shpirti Shenjt, Personi i Tretë i së Shenjtërueshmes Trini, e zhyt të krishterin në misterin pashkor dhe e ndihmon atë në ecjen e tij drejt lumturisë së amshuar të Parajsës.
Prandaj, autori i ndjekësores që sapo dëgjuam, i drejtohet Shpirtit Shenjt me fjalë tejet të ëmbla e të dashura: «Ti ndër zemra si mik vjen». Shpesh ne kemi frikë se, sikur ta linim veten të udhëhiqeshim nga Hiri i Shpirtit Shenjt, do të ishim më pak të lumtur. Por autori i kësaj ndjeksoreje vërtet të bukur na mëson se prania e Shpirtit Shenjt është prania e një miku tejet të ëmbël për njeriun: «Çka është t’shtrembët – ëmbël drejto».
Pa Shpirtin Shenjt, nuk mund të ecim në fe. «Shpirti Shenjt bën që të lindin kërkuesit e Hyjit», shkruan teologu italian Giovanni Vannucci. Puna që bën Shpirti Shenjt brenda nesh, është një punë e lehtë, e butë dhe e ëmbël. Por ka vetinë që, njëkohësisht, të jetë edhe e pathyeshme. Ai është si puna e një tekniku televizioni, që, kur hyn të riparojë dëmtimet e pësuara, nuk futet me çekiç apo me kazëm, por me mjete të vogla e të imta dhe, rezultati i punës, del tejet i bukur e i qëndrueshëm.
A nuk është e vërtetë se shumë të rinj e të reja kanë frikë që t’i hapen Hirit të këtij Shpirti, sidomos kur bëhet fjalë për botën afektive? Mendojnë se Ai nuk do t’i lejojë të jenë të lumtur. Sugjerimet që Shpirti Shenjt mund t’u bëjë ëmbëlsisht në ndërgjegjen e tyre, kanë frikë se do t’ua heqin lumturinë e lirinë. Por nuk është ashtu. Shën Gjon Maria Vianei, shenjti që bëri bujë me thjeshësinë dhe shenjtërinë e tij në Francën e shekullit XIX, thoshte: «Ata që janë të udhëhequr nga Shpirti Shenjt, i kanë idetë e sakta; kjo shpjegon arsyen pse shumë të pashkolluar dijnë më shumë se të arsimuarit».
Nuk kemi pse të kemi frikë nga Shpirti Shenjt, sepse Ai nuk vjen si armik, por si mik i njeriut, qoftë ky i ri apo i moshuar. Ai është miku më i mirë, më i përshtatshëm dhe më i domosdoshëm. Shën Pali na e thotë shumë bukur sot se sa e vërtetë është kjo: «Ju nuk keni marrë shpirtin që ju bën robër, në mënyrë që përsëri të trembeni, por keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të të cilit thërrasim: Abba! O Atë!». Kush jeton si bir i Hyjit bëhet vërtet i lirë: i lirë nga frikat e ndryshme në jetë, nga dëshira për pushtet, nga etja për para, nga etja për famë, nga format e ndryshme të egoizmit dhe nga frika e vdekjes. Është i lirë ngaqë e kupton se asgjë nuk krahasohet me faktin se ka një Hyj të cilit mund t’i drejtohet me fjalën Abba (O Atë), dhe me të cilin një ditë pret të takohet «faqe-faqas». Kjo është pasuria dhe liria më e madhe.
Thuhet se një herë, në një fshat, jetonte një njeri që i lutej vazhdimisht Hyjit që ta bënte të pasur. Lutej e lutej, derisa një herë, në ëndërr, Hyji iu përgjigj e i tha që të ngritej menjëherë e të dilte jashtë fshatit. Atje, rrëzë një peme të madhe, do të takonte një eremit, i cili e kalonte jetën duke u lutur nëpër vende të pabanuara. Duhej t’i kërkonte atij atë gjënë që ai e kishte gjetur ditën e mëparshme pranë një lumi. U ngrit dhe, plot nxitim, vrapoi për jashtë fshatit. Shkoi pranë asaj pemës së madhe dhe vuri re një njeri të shtrirë. E thirri dhe ai u zgjua. Kur iu afrua, ky i tha: «Sapo më foli Zoti në ëndërr dhe më tha se ti duhet të më japësh atë gjënë që ke gjetur dje pranë një lumi». Eremiti, krejt i qetë, hapi strajcën e tij të varfër dhe nxori një gur të çmuar që ishte shumë i madh. I tha: «Po, ja, është një gur shumë i çmuar dhe shumë i bukur. Merre!». Fshatari, me sytë që i shkëlqenin, ia rrëmbeu nga dora gurin e çmuar dhe vrapoi për në shtëpinë e vet.
Gjithë ditën rrinte përballë atij guri duke shikuar bukurinë e tij dhe duke menduar shtigjet e mëdha që tashmë po i hapeshin në jetë. Erdhi mbrëmja, e vuri gurin pranë shtratit të vet dhe ra të flinte. Por gjumi as që i afrohej syve të tij. Sillej e pështillej nëpër shtrat, duke menduar gjërë e gjatë se çfarë duhej të bënte me gjithë atë pasuri. Si të mos mjaftonin këto mendime, i vetëtiu një tjetër tejet i tmerrshëm: Po sikur gurin t’ia vidhnin? Po sikur, në përpjekje për t’ia vjedhur, ta vrisnin edhe atë. E gjumi u tret edhe më fort. Kaloi një natë, kaluan dy, tri... por nuk po gjente paqe.
Befas, ja ku i erdhi një mendim që ia qetësoi mendjen dhe shpirtin. Doli nga shtëpia me gurin në dorë, shkoi përsëri tek ajo pema e madhe jashtë fshatit dhe u takua përsëri me njeriun e Hyjit. I tha: «Merre përsëri këtë gur e më jep atë forcën me të cilën arrite të ma japësh këtë gur me aq qetësi. Besoj se për atë lloj pasurie e kishte fjalën Hyji kur më nisi tek ti».
Shpirti Shenjt na dhuron lirinë e bijve e bijave të Hyjit e kjo është pasuria me e madhe.
Në leximin e parë sot kemi dëgjuar se si mbi Kishën e fillimit zbriti Shpirti Shenjt. Tashmë është ky Shpirt që do t’i udhëheqë besimtarët kah zbatimi i vullnetit Hyjnor. Dita e Rrëshajëve ishte në Izrael festa që përkujtonte ditën kur, nëpërmjet Moisiut, Hyji i kishte dhënë këtij populli Dhjetë Urdhërimet e, me të drejtë, ata e çmonin këtë gjest të Hyjit si nderën më të madhe që po u bëhej. Por dhënia e këtij Ligji ishte veçse shëmbëllesë e dhënies së Shpirtit Shenjt dhe përgatitje për pranimin e Tij që Hyji do ta bënte në kohën e caktuar. Tashmë Kisha, Izraeli i ri, nuk do të udhëhiqej nga ligjet e jashtme, por nga Shpirti Shenjt, Hyj. Tek e fundit dhënia e Ligjit nuk mjaftonte për ta shenjtëruar besimtarin. Ai ishte si treguesi i udhës së duhur që duhej ndjekur në jetë, por që nuk të shoqëronte në këtë udhë. Tashmë Kisha di jo vetëm udhën, por ka edhe mbështetjen dhe forcën e vetë Hyjit në ecjen e saj.
Në Ungjillin e sotëm Jezusi e quan Shpirtin Shenjt «Mbrojtës»: është një term që përdoret për avokatin mbrojtës në një seancë gjyqësore. Qëllimi i avokatit mbrojtës është që t’i dalë zot të pandehurit dhe ta ndihmojë të fitojë lirinë. Kështu bën edhe Shpirti Shenjt me ne: na ndihmon që mëkatet tona t’i vëmë re e të pendohemi. Atëherë, falë Vdekjes e Ngjalljes së Krishtit, edhe ne bëhemi «të shfajësuar me anë të fesë» (Rom 5, 1) dhe, me ndihmën e Shpirti Shenjt, udhëhiqemi drejt lirisë së bijve të Hyjit. Këtë udhëheqje të vetën Shpirti Shenjt e bën duke na mësuar e na ndihmuar që çdo ditë t’i kthjemë shpinën së keqes e gënjeshtrës dhe t’i hapemi Fjalës së Zotit, që na shtyn kah e mira dhe e vërteta. Sa herë që ndjejmë brenda nesh një si zë të lehtë që thotë «Bëje këtë vepër të mirë», apo «Mos e bëj këtë vepër të keqe!», është zëri i ëmbël i Shpirtit Shenjt që flet nga Shenjtërorja e Tij, nga ndërgjegjja jonë. Prandaj tradita e krishterë, me shumë të drejtë, e ka quajtur Shpirtin Shenjt edhe Mësuesi i brendshëm, duke qenë se ai na udhëheq nga brenda nesh në situatat e ndryshme të jetës dhe na përsos në dashuri. Mund ta dëgjojmë të gjithë këtë lloj zëri dhe të gjithë mund ta lejojmë që të na udhëheqë në rrugëtimin tonë të largimit nga veset e ndryshme. I krishteri që, në lidhje me veset e veta, thotë «S’kam ç’bëj, kështu jam gatuar», nuk i është hapur ende veprimit të Shpirtit Hyjnor. Ai ngjan me një kllukë që është ulur mbi vezët e veta e nuk dëshiron të çohet prej aty pa arritur qëllimin e vet.
E Mira dhe e Vërteta, për ne të krishterët e kanë një emër: është vetë Jezu Krishti, Biri i Hyjit i bërë Njeri. Duke iu hapur fjalës së Tij, me ndihmën e Shpirtit Shenjt, ne përsosemi çdo ditë në dashuri. Shpirti Shenjt na ndihmon të kuptojmë fjalët e Jezusit: «Shpirti Shenjt, Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë». Pastaj, nëse e duam Jezusin, atëherë Shpirti Shenjt do të na ndihmojë edhe t’i zbatojmë fjalët e Tij: «Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia».
Prandaj të kemi kujdes e të mos i kundërshtojmë veprimit të këtij Shpirtit Hyjnor! Të mos kemi frikë nga ky Mik i dashur, Mësuesi i brendshëm, që di të na e mbushë jetën me dashuri ndaj Hyjit-Triní e ndaj njëri-tjetrit! Kur ta vëmë re se kjo dashuri është ftohur dhe se veset e kanë pushtuar jetën tonë të përditshme, le ta thërrasim në ndihmë Shpirtin Shenjt e Ai nuk do të vonojë të hillet në veprim e të na dalë zot, si avokat, si Mbrojtës!
Me plot hare e qetësi të lutemi edhe ne me fjalët e bukura e të ëmbla të ndjekësores së sotme: «Çka është t’brishtë, këndshëm lako; / çka është t’ftohtë, me flakë rretho; / çka është t’shtrembët, ëmbël drejto!».
Dom Dritan Ndoci