Fjala e Zotit e fest?s s? Korpit e Gjakut t? Krishtit ‘C’
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin javor me Fjalën e Zotit të liturgjisë Hyjnore të së dielës, kësaj here meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të solemnitetit të Korpit e Gjakut të Krishtit.
Fjala e Zotit e festës së Korpit e Gjakut të Krishtit
Festa e Korpit të Krishtit është mister i pakapshëm për atë mendje njerëzore që nuk ndriçohet nga feja, që nuk frymëzohet e nuk gjallërohet nga dashuria e Krishtit. Kjo festë na kujton Sakramentin e Eukaristisë, në të cilin Jezu Krishti na la tërë vetveten: korp e gjak, shpirt e hyjni. Prandaj edhe është konsideruar gjithnjë si më i shenjti ndër Sakramente.
Eukaristia e bën njeriun një gjë e vetme me Jezusin dhe e shndërron në një dhuratë për të tjerët, në një mjet për unitetin e familjes njerëzore. Këtë nënvizon Fjala e Zotit e Corpus Domini, të cilën e kremton Kisha këtë të diele.
Në solemnitetin e Korpit të Krishtit, Kisha i fton të gjithë të meditojnë për misterin e Krishtit, që dhuron vetveten mbi Kryq, duke e shpëtuar botën e duke i treguar njerëzimit rrugën e shëlbimit. Një ngjarje, kjo e Kalvarit që Zoti Jezus e përshpejton dhe e përsërit në themelimin e Eukaristisë, në të cilën buka e thyer dhe vera e hedhur në kelk, bëhen Korpi dhe Gjaku i Krishtit, udhë për bashkimin me Të.
Gjithçka niset nga Zemra e Krishtit i cili, në Darkën e Mbrame me apostuj, një natë para mundimeve, e falënderoi dhe e lumnoi Hyjin e, duke bërë kështu, me pushtetin e dashurisë së tij, e shndërroi kuptimin e vdekjes, që e priste. Për dashuri Krishti i pranoi vullnetarisht mundimet, me të gjithë tmerrin e dhunën e tyre, deri në vdekje. Deri në kryq. Duke e pranuar në këtë mënyrë, e shndërroi kryqin në akt dhurimi. E ky është shndërrimi, për të cilin ka nevojë çdo njëri prej nesh e bota mbarë, sepse na shëlbon shpirtin, na i hap përmasat e Mbretërisë së Qiellit. Por këtë përtëritje të botës, Zoti dëshiron ta realizojë gjithnjë përmes së njëjtës udhë, në të cilën eci Jezusi, asaj udhe, që është Ai vetë.
Prandaj Zoti Jezus i dorëzon botës dhuratën e Eukaristisë, për t’i krijuar të gjithë njerëzve mundësinë e çlirimit nga mëkati e për t’i dhënë dhuratën e shëlbimit. Me bukë dhe të verë të shuguruar, në të cilat është realisht i pranishëm Korpi e Gjaku i Tij, Jezu Krishti na shndërron, na bën një gjë të vetme me vetveten, na përfshin në veprën e tij të shëlbimit, duke na bërë të aftë, për virtyt të Shpirtit Shenjt, të jetojmë sipas së njëjtës logjikë të dhurimit, si kokrra e grurit, të shkrirë me Të e në Të. Kështu mbillen e piqen, në brazdat e historisë, dashuria e vëllazërimi, bashkimi e paqja, cak drejt të cilit shkojmë, sipas planit të Zotit.
Kur marrim Kungimin Shenjtë – Eukaristinë Krishti na shndërron në vetveten. Në këtë takim, ne bëhemi plotësisht të Tijtë, çlirohemi nga adhurimi për vetveten tonë të vogël e shkrihemi në Vetjen e Jezusit. Kështu Eukaristia, ndërsa na bashkon me Krishtin, na i hap zemrat për të pranuar edhe të tjerët, deri në atë pikë, sa të mos jemi më të ndarë, por një gjë e vetme në Të. Kush e pranon Jezu Krishtin në Hosten Shenjte të Eukaristisë, e pranon në vëllain, që vuan, që ka uri, etje, që është i huaj, i zhveshur, i sëmurë, i burgosur; e është i vëmendshëm ndaj çdo njeriu, që impenjohet, në mënyrë konkrete, për të gjithë nevojtarët. Nga dhurata e dashurisë së Krishtit, buron përgjegjësia jonë e posaçme e krishterë për ndërtimin e një shoqërie solidare, të drejtë, vëllazërore.
Po përfundojmë reflektimin duke kujtuar fjalët e shën Gjonit Apostull nga Libri i Zbulesës: “Ja, unë jam te dera e po trokas. Në se ndokush e dëgjon zërin tim dhe e hapë derën, unë do të hyj te ai, do të ha darkë me të e ai me mua”, fjalë që pasohen nga lutja: “O Bari i Mirë, bukë e vërtetë/, ki mëshirë për ne/ (…). Ti që di e mund të bësh gjithçka/ e që na ushqen mbi këtë tokë, udhëhiqi vëllezërit në tryezën e qiellit/ në gëzimin e shenjtorëve”. Amen
Po e mbyllim me këtë lutje të bukur të përpiluar nga shën Injaci i Lojoles që zakonisht lutët nga besimtarët gjatë Meshës pas Kungimit të Shenjtë në Kishë.
Shpirti i Krishtit, më shenjtëro mua.
Trupi i Krishtit, më shëlbo mua.
Gjaku i Krishtit, deh më ngij mua.
Ujët e kraharorit të Krishtit, më pastro mua.
Mundimi i Krishtit, më forco mua.
O i ëmbli Jezus, më dëgjo mua.
Ndër plagë të tua më fshih mua.
Mos lejo të ndahem prej teje.
Prej armikut të shpirtit më dil zot mua.
Në fill të vdekjes sime, Ti më thirr mua.
E më urdhëro të vij te Ti,
që me shenjtër të të lëvdoj Ty,
përgjithmonë e motit të jetës. Amen!
Kjo është një lutje e përpiluar nga shën Injaci i Lojoles
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë Zan 14, 18-20
Lexim prej Librit të Zanafillës
Në ato ditë, Melkizedeku, mbreti i Salemit, prifti i Hyjit tejet të lartë, i solli bukë e verë, e bekoi dhe tha: “Qoftë bekuar Abrami prej Hyjit tejet të lartë, që krijoi qiellin e tokën! Qoftë bekuar Hyji tejet i lartë që i lëshoi armiqtë e tu në duar të tua!” Abrami i dha të dhjetën e të gjithave. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
Psalmi 109/110
Ti, o Krisht, je meshtar për amshim
I tha Zoti Zotit tim:
“Rri në të djathtën time,
derisa t’i vë armiqtë e
tu shtrojë për këmbët e tua!”
Skeptrin e pushtetit tënd
Zoti do ta shtrijë nga Sioni:
sundo midis armiqve të tu!
Ty të përket më i larti pushtet
në ditën e fuqisë sate,
në shkëlqime të shenjta:
nga kraharori para Yllit të Dritës
unë të linda.
Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet:
“Ti je prift për amshim
në mënyrën e Melkizedekut.”
Leximi i dytë 1Kor 11,23-26
Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, atë mësim që mora prej Zotit, atë edhe juve ua mësova, domethënë se Zoti Jezus, atë natë që po tradhtohej, mori bukën, u falënderua, e theu dhe tha: “Ky është Korpi im – për ju. Bëni këtë në përkujtimin tim!” Po ashtu, pasi u krye darka, mori edhe kelkun e tha: “Ky kelk është Besëlidhja e re në Gjakun tim. Bëni këtë, gjithsaherë që të pini, në përkujtimin tim!” Për të vërtetë, kurdo të hani këtë bukë e të pini këtë kelk, lajmëroni vdekjen e Zotit, deri që Ai të vijë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.
Aleluja! Aleluja
Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush e ha këtë bukë, do të jetojë për amshim.
Aleluja
Ungjilli Lk 9, 11-17
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë Jezusi predikonte mbi Mbretërinë e Hyjit dhe i shëronte ata që kishin nevojë shërimi. Kur dita filloi të shkojë kah mbarimi, iu afruan të dymbëdhjetët dhe i thanë: “Nise popullin të shkojë në fshatra e në katunde të rrethinës, të gjejë strehim e ushqim, sepse këtu jemi në vend të shkretë.” “Jepni ju të hanë!” – u tha ai. Ata iu përgjigjën: “Ne s’kemi më se pesë bukë e dy peshq. Vetëm nëse shkojmë e blejmë ushqim për gjithë këtë popull!” E ishin rreth pesë mijë burra.
Atëherë u tha nxënësve të vet: “Vëni të rrinë në grupe nga pesëdhjetë vetë!” Bënë ashtu: i ulën të gjithë. Ai i mori pesë bukët e dy peshqit, shikoi kah qielli, i bekoi dhe i ndau. Pastaj ua dha nxënësve t’ia vënë popullit përpara. Hëngrën të gjithë dhe u nginë. Prej çka u teproi çuan dymbëdhjetë shporta me copa. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!
Homelia nga dom Dritan Ndoci:
KORPI E GJAKU I KRISHTIT: KY ËSHTË KORPI IM... KY ËSHTË GJAKU IM...
(Zan 14, 18-20; Ps 110 (109); 1 Kor 11, 23-26; Lk 9, 11-17)
Papa Shën Piu X thoshte: «Nëse engjëjt do të mund të kishin zili, do të na kishin zili Kungimin e Shenjtë». Prandaj e falënderojmë Zotin për këtë të kremte të Korpit e të Gjakut të Krishtit, në të cilën edhe një herë jemi të ftuar të ndalemi në soditje e në falënderim përballë misterit të madh të pranisë së Jezu Krishtit në Sakramentin e Eukaristisë. Kjo e kremte na fton ta lartësojmë shpirtin tonë drejt logjikës së Hyjit, logjikë dashurie dhe përvujtërie, edhe nëse logjika e arsyes sonë na çon të mendojmë se shdërrimi i bukës dhe verës në Trupin e Gjakun e Krishtit nuk është e mundur të ndodhë.
Në fakt, nga ana filizofike është e pamundur të mendohet se diçka mund të ndryshojë thelbin e saj, pa ndryshuar formën e vet, por, përballë sakramentit të Eukaristisë, arsyeja njerëzore ftohet të bëjë një gjest përvujtërie: të pranojë se jo gjithçka ndryhet brenda kësaj rregulle të natyrës. Jo gjithnjë logjika jonë arrin ta kuptojë Zotin: «Sa i vogël do të ishe ti, o Zot, nëse mendja ime do të të kuptonte krejtësisht», thoshte Shën Françeksu i Salesit.
Një përvulësi e tillë, nuk është aspak poshtërim për mendjen njerëzore, por është hapje e saj ndaj Atij që, si logjikë bazë, ka dashurinë. Duke u vënë nën udhëheqjen e logjikës së dashurisë e jo vetëm nën atë të filozofisë, ne mund t’i afrohemi sadopak këtij misteri, duke gjetur kështu sintoninë e duhur me të. Kështu edhe mendjen tonë arrijmë ta ushqejmë me atë që logjika rigoroze jo gjithnjë është në gjendje ta ushqejë: me gatishmërinë e dhurimit të vetvetes.
Leximet e sotme na japin një ndihmë të mirë për t’iu afruar edhe më fort misterit eukaristik.
Në leximin e parë flitet për mbretit Melkizedek. Për të Shkrimi Shenjt thotë se ishte edhe «prift i Hyjit të tejet të Lartë». Duket sikur mbinë nga hiçi ky njeri në Shkrimin Shenjt dhe shkon e i del përpara Abramit. I sjellë atij bukë dhe verë, e bekon dhe i thotë: «Qoftë bekuar Abrami prej Hyjit tejet të Lartë, që krijoi qiellin e tokën! Qoftë bekuar Hyji tejet i Lartë që i lëshoi armiqtë e tu në duart e tua!» Letra e drejtuar Hebrenjve do ta trajtojë gjërë e gjatë figurën e Melkizedekut, duke dashur të argumentojë Priftërinë e amshuar të Jezu Krishtit. Aty autori i letrës merr shkas të argumentojë se Priftëria e Jezusit është më e lartë se priftëria e porositur nga Ligji, sepse edhe Melkizedeku paraqitet nga Bibla më i madh se Abrahami, duke qenë se është ai që «e bekoi» Abrahamin e jo Abrahami atë. Melkizedeku nuk ishte Jezusi, por ishte shëmbëllesë e Jezusit dhe e Priftërisë së Tij.
Na intereson këtu fakti se Melkizedeku i dhuron Abrahamit «buke dhe verë». Tradita e krishterë me të drejtë ka parë në këto dhurata një profeci në lidhje me Eukaristinë, ku buka dhe vera do të shndërroheshin në Trupin dhe Gjakun e Krishtit.
E thamë se Melkizedeku ishte vetëm shëmbëllesë e Jezu Krishtit, duke qenë se vetëm Jezusi është «Prifti i Hyjit tejet të Lartë». Fjala «prift» nënkupton dikë që i ofron Hyjit lujte, falënderime dhe fli. Në Besëlidhjen e Vjetër kështu bënin priftërinjtë, por me ardhjen e Jezusit ajo priftëri pushoi së ekzistuari, sepse misioni i asaj priftërie ishte që ta përgatitste popullin e Izraelit për kuptimin e misterit të Krishtit. Tani është Jezu Krishti Ai që i ofron Hyjit si duhet lutjet, falënderimet dhe vetveten, si flinë më të përsosur për mëkatet tona. Të gjitha këto Jezusi i ka përjetësuar në Sakramentin e Eukaristisë, në të cilin na zhyt më së miri në jetën Hyjnore dhe e bën përmes dy ushqimeve shumë të thjeshta që janë buka dhe vera. Buka, shenjë e jetës, do të shndërrohet në Trupin e Jezusit, për t’u bërë për ne Buka e Jetës në shtegtimin tonë drejt Parajsës. Vera, shenjë e gëzimit. do të shndërrohet në Gjakun e Jezusit, për t’u bërë për ne Burim Gëzimi se, falë misterit pashkor, jemi bijtë e bijat e Hyjit.
Se si Jezusi e ka bërë këtë gjë të mundur, të gjithë e dimë. Secili prej nesh e di mirë se çfarë bëri Jezusi në darkën e Tij të fundit me apostujt e vet. Aty themeloi Eukaristinë, Meshën e Shenjtë. Për këtë na flet edhe leximi i dytë që dëgjuam sot, në të cilin Shën Pali ua kujton edhe një herë Korintianëve themelimin e kësaj Eukaristie, në të cilat Jezusi thotë për bukën: «Ky është Korpi im» dhe për verën «Ky është Gjaku im».
Ungjilli i sotëm nuk flet drejtpërdrejt për Eukaristinë, por për një mrekulli shumë të njohur të Jezusit, që është shumëzimi i mrekullueshëm i pesë bukëve dhe i dy peshqve, për të ushqyer rreth pesëmijë burra. Ky shumëzim i mrekullueshëm i bukëve e i peshqve, me sa duket, bëri shumë bujë në Izrael, prandaj edhe e tregojnë të katër ungjilltarët. Kjo patjetër edhe ngaqë atë ditë pati shumë dëshmitarë okularë, por edhe ngaqë kjo mrekulli ngjante shumë me mrekullinë e manës në kohët e shtegtimit të popullit të Izraelit nëpër shkretëtirë, në ecje drejt tokës së premtuar. Gjatë atij shtegtimi, çdo ditë Hyji i dërgonte popullit një ushqim nga qielli, të cilin ata e quajtën mana e që do të reshte së rëni prej qiellit vetëm kur Izraeli do të hynte në tokën e premtuar. Kështu, përballë këtij shumëzimi të mrekullueshëm, populli që po shkonte pas Jezusit, patjetër duhet të ketë filluar të mendonte se, në Jezusin, Hyji po përsëriste gjestet e dikurshme, me anë të të cilave Hyji e garantonte praninë e Tij në mesin e popullit të vet.
Por kjo mrekulli nuk do të mbetej veçse një plotësim i mrekullisë së manës për Izraelin e dikurshëm. Ajo do të ishte edhe një paralajmërim i mrekullisë tjetër edhe më të madhe të Eukaristisë, e cila do të jetë ushqimi i Izraelit të ri, Kishës. Jezusi, i cili shoi urinë e turmave që po shkonin pas Tij, tani shuan urinë dhe etjen e ndjekësve të vet nëpërmjet pranisë së Tij në Bukën dhe Verën e shuguruar, të cilat, pasi shugurohen, janë Trupi dhe Gjaku i Tij. Gjatë ecjes sonë tokësore drejt tokës së premtuar, drejt Parajsës, Jezusi na shoqëron, na forcon e na ndihmon me praninë e Tij.
Prandaj për shenjtërit ishte gjithnjë shumë i pranishëm e i gjallë devocioni ndaj të Shenjtërueshmit Sakrament. Papa i shenjtë që e cituam më sipër thoshte: «Devocioni ndaj Eukaristisë është më fisniku, sepse ka si objekt Hyjin; është më i shëndetshmi, sepse na jep Autorin e Hirit; dhe është më i ëmbli, sepse i ëmbël është Zoti».
Në jetën e Shenjtes Kjarë të Asizit, tregohet një fakt i mrekullueshëm. Ajo tashmë ishte shumë e sëmurë. Kuvendi ku ajo dhe murgeshat e tjera banonin, ishte jashtë fortesës së qytetit të Asizit dhe, si pasojë, ishte e lehtë të binin viktima të plaçkitësve të ndryshëm. Thuhet se u vërsulën ta palçkisnin kuvendin e tyre disa mercenarë saraçenë. Shenjtja Kjarë ishte “e ngulur” nga sëmundja në shtratin e saj prej kashte. Dy simotra të vetat, duke e mbajtur për krahësh, e shoqëruan me zor deri tek dera e manastirit dhe përpara vetes Kjara mbante peshtahun prej argjendi që ruante brenda Eukaristinë. Kur saraçenët mizorë tashmë e kishin kapërcyer murin e rrethimit të manastirit, Kjara preku me duar peshtahun e çmuar dhe u lut: «O Zot, ruaji Ti këto shërbëtore tuajat, sepse unë nuk mund t’i ruaj më!». Dhe dy simotrat që mbanin Kjarën, dëgjuan se një zë shumë i ëmbël i një fëmije, që vinte nga tabernakulli, u përgjigj: «Do t’i mbroj unë gjithmonë!». Askush nuk e di se çfarë ndodhi, por papritmas saraçenët u kthyen mbrapsht si të trembur dhe ia mbathën, pa guxuar t’i afroheshin derës ku Kjara lutej. Mbrëmjen e asaj dite, ajo thirri dy simotrat dhe i bëri të betoheshin se, sa të ishte ajo gjallë, nuk do t’ia tregonin kurrë askujt atë që kishin dëgjuar dhe parë. Motrat ashtu bënë.
Provania Hyjnore ka dashur që të ndodhë një mrekulli e tillë, për të na dëshmuar se Eukaristia, duke qenë se ajo është prania e gjallë e Zotit tonë, jo vetëm na përtërin në forca të reja, por edhe na ruan gjithnjë prej sulmeve të të keqit.
Ta marrim, pra, sa më shpesh Jezusin në Eukaristinë e Shenjtë: jo me iluzionin se do të na i heqë tundimet e vështirësitë, por me bindjen se do të na ndihmojë t’i përballojmë ato pa u përlyer me mëkatin! Mëkati është fatkeqësia më e madhe e njeriut dhe nga kjo Jezusi vjen për të na mbrojtur, deri që të arrijmë në Tokën që Ai na e ka premtuar, në Parajsë. Ai është Zoti i qiellit e i tokës e prandaj gjithnjë duhet të marrim pjesë me dashuri dhe me fe në Meshën e Shenjtë, ku ushqehemi me Trupin e Gjakun e Jezu Krishtit: «Sikur njerëzit do ta kuptonin vlerën e Meshës së Shenjtë, thoshte Shën Piu nga Pietrelçina, do të duhej policia për të mbajtur rendin në Kishë, kaq shumë do të vinin».
Në shekullin XVI, Shenjtja Terezë e Avilës mësonte: «T’i afrohemi të Shenjtërueshmit Sakrament me shpirt të madh feje e dashurie dhe besoj se një kungim i vetëm do të mjaftonte të na bënte të pasur! E ç’të themi pastaj për shumë kungime. Nganjëherë duket sikur i afrohemi Zotit vetëm sa për ritual: ja përse nxjerrim kaq pak fryte prej tij. O botë e mjerë, që e bën të verbër atë që shikon kah ti... për të mos i lejuar të kundrojë thesaret që mund t’i kishte në Hyjin!».
Dom Dritan Ndoci