Eten feston mrekullin? Eukaristike t? vitit 1649: Leoni XIV i jep hov t? ri
R.SH. / Vatikan
Vlojnë përgatitjet në Eten të Perusë, për atë që premton të jetë një 2 qershor i veçantë. Këtu, më 2 qershor 1649, sipas shumë dëshmive të mbledhura nga noteri kishtar Fernando de la Carrera, në arkivat e françeskanëve të Limës dhe të konfirmuara nga një histori e gjatë lutjesh, ndodhi një mrekulli e vetme Eukaristike. Mrekullia u përsërit në një rast të dytë, më 22 korrik, ditën e festës së Shën Marisë Magdalenë, së cilës iu kushtua Kisha lokale e famullisë.
Me pamje nga bregdeti i Paqësorit, Eten është rreth njëzet kilometra larg kryeqytetit dhe i përket dioqezës së Çiklajos, e cila nga viti 2014 deri në vitin 2023 ishte nën drejtimin e ipeshkvit të atëhershëm Francis Robert Prevost. Në Peru Eten konsiderohet “Qytet Eukaristik” (madje ka një ligj të propozuar për t’i dhënë këtë titull) e sot po përgatitet ta rijetojë rishtas, si çdo 2 qershor, përvjetorin e kësaj ngjarjeje të Mrekullisë Eukaristike.
Po këtë herë ngjarja ka një aromë të veçantë. E kremtja bie më pak se një muaj pasi Francis Robert Prevost nisi të quhej Papa Leoni XIV. Si ipeshkëv i Çiklajos, të gjithë këtu e kujtojnë me dashuri dhe mirënjohje. Në të vërtetë ai i kishte dhënë një shtytje të madhe këtij devocioni eukaristik tejet të dëshiruar e popullor. Tani, që u zgjodh Papë, qytetarët dhe shtegtarët shpresojnë se mrekullia më në fund do të njihet dhe se mund të lindë një shenjtërore kushtuar devocionit popullor.
Që në vitin 2019, ipeshkvi i atëhershëm i Çiklajos kishte shkuar në Vatikan për të kërkuar njohjen e plotë të kësaj mrekullie eukaristike dhe për t’i dorëzuar Papës Françesku letrat e shkruara me dorë nga besimtarët, dëshmi e një besimi të gjallë. Për më tepër, me cilësinë e bariut të dioqezës, kishte nisur edhe projektin për ndërtimin e një shenjtëroreje eukaristike, e cila, nëse realizohej, do të ishte e para në Peru. Një ide që, tani për tani megjithatë, nuk është zbatuar ende në praktikë. Por që shpresohet se do t’i japë së shpejti një hov të ri fesë në ato vise, që i dhuruan Kishës Katolike Leonin Papë!