?el?si i fjal?ve t? Kish?s: enciklikat shoq?rore t? Pap?ve
R.SH. - Vatikan
Radiomesazhet e Krishtlindjes të Piut XII, së bashku me ndërhyrje të tjera të rëndësishme në lëndën shoqërore, thellojnë reflektimin magjisterial mbi një rend të ri shoqëror, të drejtuar prej moralit dhe prej të drejtës, si dhe të përqendruar në drejtësi e në paqe. Gjatë papnisë së vet, Piu XII kaloi vitet e tmerrshme të Luftës II Botërore dhe vitet e vështira të rindërtimit. Ai nuk botoi enciklika shoqërore, megjithatë e shfaqi vazhdimisht, në kontekste të shumta, shqetësimin e tij për rendin e trazuar ndërkombëtar.
Piu XII u dha rëndësi të madhe marrëdhënieve ndërmjet moralit dhe së drejtës. Papa ngul këmbë në nocionin e së drejtës natyrore, si shpirt i rendit që duhet vendosur në planin qoftë kombëtar, qoftë ndërkombëtar. Një tjetër aspekt i rëndësishëm i mësimit të Piut XII qëndron në vëmendjen e tij për kategoritë profesionale dhe sipërmarrëse, të thirrura për të ndihmuar në mënyrë të veçantë në arritjen e të mirës së përbashkët. Piu XII mund të konsiderohet si pararendës i Koncilit II të Vatikanit dhe i mësimit shoqëror të Papëve që pasuan.
Gjoni XXIII dhe shenjat e kohëve
Vitet Gjashtëdhjetë hapin horizonte premtuese: rindërtimi pas shkatërrimeve të luftës, fundi i kolonive, sinjalet e para të vakta të një shkrirjeje në marrëdhëniet ndërmjet dy blloqeve, amerikan e sovjetik. Në këtë atmosferë, Papa shenjt Gjoni XXIII sheh thellë në «shenjat e kohëve». Çështja shoqërore përfshin të gjitha vendet. Mosbarazitë, që më parë ishin ndier brenda kombeve, duken tani në nivel ndërkombëtar, duke nxjerrë në pah me një qartësi gjithnjë e më të madhe situatën dramatike të së ashtuquajturës Bota e Tretë.
Gjoni XXIII, në enciklikën «Mater et magistra» synon të përditësojë dokumentet e njohura, me dy fjalë kyçe: bashkësia dhe shoqërizimi. Kisha është e thirrur, në të vërtetë, në drejtësi e në dashuri, që të bashkëpunojë me të gjithë njerëzit për të ndërtuar një bashkësi të njëmendtë. Në këtë rrugë, zhvillimi ekonomik nuk kufizohet në plotësimin e nevojave të njerëzve, por promovon edhe dinjitetin e tyre.
Me enciklikën «Pacem in terris», Gjoni XXIII vë në pah temën e paqes, në një epokë të karakterizuar nga kërcënimi bërthamor. Veç kësaj, «Pacem in terris» përmban një reflektim të parë të thelluar të Kishës mbi të drejtat; është Enciklika e paqes dhe e dinjitetit njerëzor e sidomos, e së mirës së përbashkët universale.
Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit
Në kohën e tij, u thirr Koncili II i Vatikanit, që miratoi dokumente të rëndësishme shoqërore, si Kushtetuta baritore «Gaudium et spes», ku «pasqyrohet një konceptim i ri i të qenit bashkësi besimtarësh dhe popull i Hyjit”. «Gaudium et spes» skicon fytyrën e një Kishe «thellësisht solidare me njeriun dhe historinë e tij», Kishë që ecën me mbarë njerëzimin dhe së bashku me botën është subjekt i të njëjtit fat tokësor, por njëkohësisht, është edhe «tharm e shpirt i shoqërisë njerëzore, për ta përtërirë atë në Krishtin e për ta shndërruar në familje të Hyjit».
«Gaudium et spes» trajton në mënyrë organike temat e kulturës, të jetës ekonomiko-shoqërore, të martesës dhe të familjes, të bashkësisë politike, të paqes dhe të bashkësisë së popujve, në dritën e vizionit antropologjik të krishterë dhe të misionit të Kishës. Shoqëria, strukturat e saj dhe zhvillimi i saj duhet të finalizohen në «përsosjen e personit njerëzor». Për herë të parë, magjisteri i Kishës, në nivelin e vet më të lartë, shprehet në mënyrë kaq të gjerë mbi aspektet e ndryshme tokësore të jetës së krishterë.
Një tjetër dokument i Koncilit II të Vatikanit, shumë i rëndësishëm për doktrinën shoqërore të Kishës, është deklarata «Dignitatis humanae», në të cilën shpallet e drejta për liri fetare.
(vijon...)