?el?si i fjal?ve t? Kish?s: enciklikat shoq?rore t? Palit VI dhe Gjon Palit II
R.SH. - Vatikan
Papa shenjt Pali VI, që vijoi Koncilin II të Vatikanit, thirrur nga Gjoni XXIII, shkroi enciklikën «Populorum progressio», ku nënvizohet se «zhvillimi është emri i ri i paqes». Sipas Atit të Shenjtë, ky zhvillim nuk kufizohet në përmasat thjesht ekonomike e teknike, por i jep çdo njeriu mundësinë për t’u kulturuar, kërkon respektimin e dinjitetit të të tjerëve, si edhe njohjen «e vlerave më të larta, përfshirë ato, që vijnë nga Hyji, i cili është burimi dhe caku i tyre».
Në këtë perspektivë, Papa Pali VI, në vitin 1967, themelon Komisionin Papnor «Iustitia et Pax», që ka për qëllim të sensibilizojë bashkësinë e katolikëve për nxitjen e progresit dhe të drejtësinë shoqërore. Po me nismën e Palit VI, duke filluar prej vitit 1968, Kisha kremton çdo 1 janar Ditën Botërore të Paqes, që shoqërohet nga një mesazh papnor, i cili kontribuon më tej në doktrinën shoqërore katolike.
Në fillim të viteve Shtatëdhjetë, në atmosferën e përplasjeve ideologjike, Papa Pali VI vazhdon mësimin shoqëror të Leonit XIII dhe e përditëson atë, me rastin e 80-vjetorit të «Rerum novarum», me Letrën apostolike «Octogesima adveniens». Ati i Shenjtë reflekton mbi shoqërinë pas-industriale me të gjitha problemet e saj të ndërlikuara, duke nxjerrë në pah se ideologjia është e pamjaftueshme për t’iu përgjigjur sfidave si: urbanizimi, gjendja rinore, situata e gruas, papunësia, diskriminimet, emigrimi, rritja demografike, ndikimi i mjeteve të komunikimit shoqëror, mjedisi natyror.
Enciklikat e Papës shenjt Gjon Pali II
Nëntëdhjetë vjet pas «Rerum novarum», një tjetër Papë shenjt, Gjon Pali II, ia kushton enciklikën «Laborem exercens» punës, pasuri themelore për njeriun. Dokumenti përvijon përshpirtërinë dhe etikën e punës, në kuadrin e një reflektimi të thellë teologjik e filozofik. Puna nuk duhet të shihet vetëm në kuptimin objektiv e material, por duhet të vlerësohet si duhet edhe përmasa e saj subjektive, si veprimtari, me të cilën shprehet njeriu, pasi në të realizohet thirrja natyrore dhe mbinatyrore e tij.
Me enciklikën «Sollicitudo rei socialis», Gjon Pali II përkujton 20-vjetorin e «Populorum progressio» dhe trajton përsëri temën e zhvillimit, në dy linja: «nga njëra anë, situata dramatike e botës bashkëkohore, nën profilin e zhvillimit të mangët të Botës së Tretë, dhe nga ana tjetër, kuptimi, kushtet dhe kërkesat e një zhvillimi të denjë për njeriun». Enciklika paraqet ndryshimin ndërmjet përparimit e zhvillimit dhe pohon se «zhvillimi i vërtetë nuk mund të kufizohet në shumëfishimin e të mirave dhe të shërbimeve, pra në atë që njeriu zotëron, por duhet të ndihmojë në plotësinë e “të qenit” njeri». Paqja është fryt i solidaritetit, nënvizon Ati i Shenjtë.
Në 100-vjetorin e «Rerum novarum», Gjon Pali II shpall enciklikën e vet të tretë shoqërore, «Centesimus annus», prej së cilës del në pah vazhdimësia doktrinore e njëqind vjetëve të magjisterit shoqëror të Kishës. Vazhdon reflektimin mbi solidaritetin. Gjon Pali II vë në dukje se të shohësh Hyjin në çdo njeri dhe çdo njeri në Hyjin është kushti për një zhvillim të njëmendtë njerëzor. Analiza e tij e hollësishme dhe e thelluar e «risive» dhe sidomos e kthesës së madhe të vitit 1989 me shembjen e sistemit sovjetik, përmban një vlerësim për demokracinë dhe për ekonominë e lirë, në kuadrin e solidaritetit të domosdoshëm.
Papa gjerman e Papa argjentinas
Pas Papës polak, edhe ai gjerman, Benedikti XVI u shqetësua thellësisht për çështjet e doktrinës shoqërore të Kishës aq sa, shpesh, quhet teologu i doktrinës shoqërore. Sidomos në enciklikën “Caritas in veritate”, ai kthehet në një analist të mprehtë të mekanizmave të funksionimit të shoqërisë, por origjinaliteti i tij është edhe më i dukshëm kur nënvizon përmasat antropologjike dhe teologjike të problemeve me të cilat përballet njerëzimi, në një periudhë krize, që është pjesë e dinamikës së globalizimit galopant. Po kështu, edhe Papa Françesku, që e kishte shumë për zemër çështjen e shtëpisë sonë të përbashkët, foli për të ashtuquajturën “ekologji të gjithanshme”, që nuk ka të bëjë vetëm me ambientin, por me njeriun në tërësi e me të gjitha fushat e veprimtarisë së tij, të cilat kanë nevojë të shërohen e të ndryshojnë, duke bërë një kthesë drejt vlerave më të mira shoqërore. Por, për këta dy Papë do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm.