CCEE: misioni dhe sinodaliteti n? qend?r t? takimit t? Stambollit
R.SH. / Vatikan
Nga 15 deri më 18 qershor 2025, në Stamboll, u mblodhën - thuhet në një deklaratë - Sekretarët e përgjithshëm të Konferencave Ipeshkvore të Kishave katolike të 29 vendeve evropiane për takimin e tyre vjetor me temën "Reforma e strukturave kishtare në perspektivë misionare dhe sinodale".
Takimi filloi me përshëndetjet zyrtare të mirëseardhjes nga imzot Marek Solczyński, Nunc Apostolik në Turqi dhe imzot Orhan Çanli, Eksark Patriarkal i Turqisë së Sirëve. Më pas, përshëndetja e presidentit të Këshillit të Konferencave të Ipeshkvijve Katolikë të Evropës (CCEE), kryeipeshkvit Gintaras Gru?as, i cili theksoi rëndësinë e zgjedhjes së vendit dhe kohës së takimit. Takimi vjetori Sekretarëve të Përgjithshëm të Këshillit të Konferencave të Ipeshkvijve Katolikë të Evropës u mbajt, në fakt, në tokat ku Kisha lulëzoi në shekujt e parë dhe ku saktësisht 1700 vjet më parë Koncili Ekumenik Kishtar i Nikesë themeloi simbolin nikean të Besojmës së krishterë, dokumenti i parë konciliar që përdori shprehjen "Ne besojmë", e cila tingëllon fort sot në angazhimin për të rizbuluar sinodalitetin në Kishë. Më pas, sekretari i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvore Turke, At Lucian Abalintoaiei, prezantoi historinë dhe situatën aktuale të Kishës në Turqi.
Sesioni i parë i punës: konferencat ipeshkvore dhe Praedicate Evangelium
Sesioni i parë nga tre sesionet e punës, të hapura dhe të moderuara nga don Antonio Ammirati, sekretar i përgjithshëm i CCEE, iu kushtua temës "Reforma e zyrave të konferencave ipeshkvore në dritën e 'Praedicate Evangelium'". Ky argument u prezantua nga profesor Michele Miraglia, jurist dhe kanonist, i cili, duke u nisur nga parimet dhe kriteret e përfshira në Kushtetutën Apostolike mbi Kurien Romake dhe shërbimin e saj ndaj Kishës në botë Praedicate Evangelium, theksoi perspektivën e "konvertimit misionar të Kishës" dhe rolin e Konferencave Ipeshkvore "në të cilat communio Episcoporum shprehet në shërbim të communio Ecclesiarum bazuar në communio fidelium". Për të dalluar "shoshitjen kishtare" nga shoshitja individuale dhe komunitare, dhe për një Kishë më afër nevojave të popullit të saj, profesor Miraglia propozoi një modus procedendi të zyrave të Konferencave Ipeshkvore të karakterizuar nga "arsyetimi sipas objektivave" më shumë sesa "sipas akteve". Ky evolucion favorizon krijimin ose forcimin e organeve koordinuese në të gjitha nivelet brenda çdo Konference Ipeshkvore të Kishave vendore.
Vizita në Nikea
Sekretarët e përgjithshëm e përfunduan ditën e parë me një vizitë në Nikea, qytetin e sotëm të Iznikut, ku nga 19 qershori deri më 25 korrik të vitit 325 u mbajt Koncili i parë Ekumenik, në të cilin 300 ipeshkvij pohuan natyrën hyjnore të Jezu Krishtit, duke kundërshtuar herezinë ariane dhe duke shpallur një rrëfim besimi unitar, të ashtuquajturin Besojmën Nikeane. Në këtë vend me rëndësi themelore për Krishterimin, ata recituan së bashku Besojmën e fesë të të gjithë Kishës, duke lartuar drejt qiellit një himn të vetëm lavdërimi për dhuratën e fesë.
Dita e dytë: sinodaliteti
Dita e dytë e punimeve iu kushtua sinodalitetit të Kishës, në veçanti "Procesit të shoqërimit të fazës së zbatimit të Sinodit". Kjo temë u prezantua nga kardinali Mario Gech, sekretar i përgjithshëm i Sinodit, i cili reflektoi mbi procesin sinodal në jetën dhe misionin e Kishës, duke u përqendruar në veçanti në fazën e re të zbatimit, e cila sapo ka filluar dhe do të kërkojë shoqërimin e Konferencave Ipeshkvore vendore. Sekretariati i Sinodit po përgatit një dokument mbështetës për këtë fazë, i cili do të përdoret deri në vitin 2028, për të eksperimentuar konkretisht se çfarë do të thotë të ecësh së bashku: "njohuri që mund të fitohen vetëm me përvojë". Kjo fazë e realizimit është një proces kishtar që duhet të përfshijë të gjithë komunitetin e krishterë dhe për të cilin është përgjegjës ipeshkvi, si bari i Kishës lokale. Përvojat e fituara gjatë fazës së parë të Sinodit (konsultimet, puna e grupeve sinodale etj.) janë mjete thelbësore për të ringjallur jetën sinodale të Kishave lokale dhe për fazën e realizimit.
Takimi me Patriarkun Bartolomeu I
Në pasdite, pjesëmarrësit takuan Patriarkun Bartolomeu I në selinë e Patriarkatit Ekumenik të Kostandinopojës në Fanar, në një atmosferë shumë të përzemërt. Në takim mori pjesë edhe kardinali Mario Grech. Në fjalën e tij, Patriarku i Kostandinopojës theksoi rëndësinë që kjo vizitë zhvillohet në vitin kur kremtohet 1700-vjetori i Koncilit të Parë Ekumenik të Nikesë dhe kujtoi se si uniteti i të krishterëve nuk është çështje lehtësie apo strategjie, por çështje besnikërie ndaj së vërtetës së zbuluar në Krishtin dhe të shpallur përmes jetës së Kishës. Bartolomeu theksoi rëndësinë e marrëdhënieve midis Patriarkatit Ekumenik e Kishës Katolike dhe theksoi veçantinë e marrëdhënies së tij me Papa Françeskun. Ai deklaroi se ishte i lumtur për zgjedhjen e Papa Leonit XIV: "Ne jemi të sigurt se nën udhëheqjen e tij lidhjet midis dy Kishave tona do të vazhdojnë të thellohen në të vërtetën dhe dashurinë". Patriarku Bartolomeu I e përfundoi fjalën e tij duke inkurajuar sekretarët e përgjithshëm, roli i të cilëve në Konferencat Ipeshkvore të Evropës është thelbësor: "përmes shërbimit tuaj të përkushtuar, - tha ai - ju kontribuoni që Kisha të mund të dëshmojë dhe t'u përgjigjet nevojave të njerëzve. Ju bëni të mundur koherencën, qartësinë dhe dashurinë me të cilën Kisha flet sot".
Në emër të Këshillit të Konferencave të Ipeshkvijve Katolikë të Evropës (CCEE), kryeipeshkvi imzot Gru?as përshëndeti Patriarkun Bartolomeu, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve midis Kishës Katolike dhe Patriarkatit Ekumenik të Kostandinopojës. Ai gjithashtu informoi Patriarkun për bashkëpunimin e shkëlqyer me Konferencën e Kishave Evropiane (CEC), të udhëhequr nga kryeipeshkvi Nikitas i Thyateira e Britanisë së Madhe, dhe për punën e përbashkët mbi versionin e rishikuar të Charta Oecumenica, të cilin presidentët e CCEE dhe CEC duhej ta firmosnin më 27 prill në Vilnius, dhe data e të cilit u shty për shkak të vdekjes së Papa Françeskut.
Dita e tretë: realizimi i një Kishe sinodale
Dita e tretë dhe e fundit e takimit u hap nga doktoresha Beate Gilles, sekretare e përgjithshme e Konferencës Ipeshkvore Gjermane, me një prezantim me titull "Si të realizojmë një Kishë më sinodale: një rrugë më e gjatë, një kthesë dhe fillime të reja". Ajo dha një pasqyrë të shkurtër të Rrugës Sinodale të Kishës në Gjermani, e cila filloi në vitin 2019. Gilles informoi për atë që është bërë në këto vite dhe për pritshmëritë për të ardhmen. Aktualisht Kisha në Gjermani po përqendrohet në katër aspekte: sinodaliteti në këshillat në nivelin dioqezan, sinodaliteti si aspekt i punës së përditshme, këshilli sinodal në nivelin e Konferencës Ipeshkvore dhe vlerësimi i vendimeve dhe punës në rrugën sinodale.
Sekretarët e përgjithshëm gjithashtu prezantuan informacione mbi ngjarjet aktuale në Konferencat e tyre Ipeshkvore dhe dëgjuan raportet e komisioneve të CCEE, në veçanti ato të profesor Ernesto Diaco, sekretar i Komisionit për Rininë, dhe të At Luis Okulik, sekretar i Komisionit për Baritorinë Sociale. At Manuel Barrios Prieto, sekretar i përgjithshëm i COMECE (institucioni që përfaqëson Konferencat Ipeshkvore pranë organeve të Bashkimit Evropian), gjithashtu njoftoi mbi risitë e organizatës. Takimi i ardhshëm i sekretarëve të përgjithshëm do të mbahet nga 14 deri më 17 qershor 2026 në Beograd.