At? Patton: lufta nuk e shlyen shpres?n n? Tok?n e Shenjt?
R.SH. / Vatikan
Toka Shenjte është përsëri në qendër të tensioneve rajonale, me pasoja që bien mbi popullatat lokale, përfshirë të krishterët. "Duket sikur kemi rënë në një makth të ri – pohoi Atë Francesco Patton, Kujdestar i Tokës së Shenjtë, për mediat e Vatikanit - Më parë shihnim shkatërrimin e shkaktuar nga lufta në territoret përreth, tani e shohim në zemër të Tokës së Shenjtë".
Jeruzalemi vijon të sulmohet. Si po e jetojnë të krishterët e Tokës së Shenjtë këtë çast të ri, të vështirë?
Të krishterët, si pjesa tjetër e popullsisë, janë të frikësuar. E kam parë nga afër terrorin e fëmijëve gjatë luftës në Siri, e kam dëgjuar të tregohet nga Gaza, tani e kemi edhe këtu: fëmijë që dridhen kur dëgjojnë sirenat e alarmit dhe pastaj shpërthimet e raketave. Këto janë trauma që do t'i kenë me vete për gjithë jetën e tyre. Pastaj ka një heshtje sureale në rrugë, jo më vetëm për shkak të mungesës së shtegtarëve, por edhe të besimtarëve vendas të cilët në shumë raste pengohen të shkojnë deri në Kishë. Militarizimi i rrugëve është tronditës. E për mua, që e dua shumë Apokalipsin (Librin e Zbulesës në Besëlidhjen e Re), i cili më flet për Jerusalemin qiellor si qytet me dyer gjithmonë të hapura, është tronditëse të shoh dyert e qytetit tokësor të mbyllura dhe të ruajtura. Mendoj se në këtë çast shumëkush këtu, e jo vetëm ndër të krishterë, ka dëshirën të largohet nga një vend që vitet e fundit duket i paaftë për të garantuar paqen, i përfshirë, siç është në një spirale lufte, që zgjerohet vazhdimisht si zjarr i furishëm, i cili nuk mund të kontrollohet më.
Le të mendojmë se për fretërit 20 muajt e fundit u karakterizuan nga tensione dhe rreziqe, në Izrael e Palestinë, por edhe në Siri e Liban. Kisha universale e vlerëson atë që po bëni për mbrojtjen e vendeve të shenjta dhe për shumë vepra bamirësie, që mbështetët në këto muaj. Cila është klima mbizotëruese ndërmjet fretërve?
Këtu jo vetëm 20 muajt e fundit janë karakterizuar nga tensione dhe rreziqe. Në 20 muajt e fundit konflikti ka prekur edhe atë pjesë të Tokës Shenjte, që më parë ishte relativisht e qëndrueshme, por gjithmonë në prag të shpërthimit, për arsye që i keni shpjeguar disa herë në gazetën tuaj. Nëse pastaj shfletoj historinë e pranisë sonë, nuk kemi gëzuar kurrë periudha shumë të gjata qetësie. Disa ditë më parë ishte festa e Shëna Ndout, Shenjti pajtor qiellor i Kujdestarisë françeskane (u bë i tillë sepse na mbrojti në shumë të vështira, çaste në të cilat ata donin ta fshinin praninë tonë). Edhe këtë vit përsëritëm betimin dhe besimin tonë sepse mbështetja e parë "kishtare" na vjen nga ajo që dikur quhej "Kisha triumfuese", domethënë nga shenjtorët, përmes bashkimit në Zotin në lutje.
Pastaj jemi këtu në emër dhe me mandat të Kishës. E kemi ndjerë mbështetjen e Papëve gjatë gjithë historisë dhe unë, personalisht, kam ndjerë mbështetjen e fortë të Papës Françesku, i cili në këto vite na vizitoi, na bekoi, na çoi fjalë vlerësimi dhe inkurajimi, e jam i sigurt se edhe Papa Leoni XIV do të na inkurajojë ta vazhdojmë këtë mision. Mezi pres ta takoj dhe t'i tregoj çka jetuam e po jetojmë. Pastaj gjithmonë kemi ndjerë edhe mbështetjen e Kongregatës, tani Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Kishat Orientale: Prefekti i mëparshëm, Kardinali Leonardo Sandri, na vizitoi disa herë e na shkroi edhe fjalë vlerësimi e inkurajimi, së bashku me Atin e Shenjtë, veçanërisht me rastin e njëqindvjetorëve të mbërritjes së fretërve të parë (1217-2017), ardhjes së Shën Françeskut në Tokën Shenjte (1219-21019) dhe të institucionit të Komisionerëve të Tokës së Shenjtë (1421-2021). Prefekti i ri nuk mungoi të bënte gjeste të vëmendshme, duke i dhënë një shtytje të fortë rifillimit të “Mbledhjes së së Premtes së Madhe”, e duke na dërguar dikë që mund ta shihte situatën aktuale nga afër për të na dhënë këshilla dhe mbështetje në këtë moment të vështirë. Na premtoi edhe se do të jetë ndërmjet nesh në nëntor, kur kongresi ndërkombëtar i Komisionerëve të Tokës së Shenjtë do të mbahet në Jerusalem. Në këto njëzet muaj kemi pasur edhe vizitën e shumë ipeshkvijve dhe priftërinjve, të cilët erdhën posaçërisht për të shprehur afërsinë dhe solidaritetin, në një kohë kaq të vështirë. Më të fundit sipas radhës së kohës, ishin Kryeipeshkvi i Perugia-s, Ivan Maffeis, me një grup priftërinjsh nga dioqeza e tij, dhe Kryeipeshkvi i Sienës, Kardinali Paolo Lojudice, me të gjithë Konferencën Ipeshkvnore të Toskanës. Në këto njëzet patëm vizita nga shumë ipeshkvij e priftërinj, të cilët erdhën posaçërisht për të na shprehur afërsinë dhe solidaritetin në një kohë kaq të vështirë. Më të fundit ishin Kryeipeshkvi i Peruxhias, Ivan Maffeis, me një grup priftërinjsh nga dioqeza e tij, dhe Kryeipeshkvi i Sienës, Kardinali Paolo Lojudice, me të gjithë Konferencën Ipeshkvnore Toskane. Këta të fundit patën mundësinë ta jetonin nga afër se çka do të thotë të jesh në Tokën Shenjte dhe të kujdeseshin si për Viset Shenjte, ashtu edhe për të krishterët vendas.
Vikari kujdestar, Atë Ibrahim Faltas, ishte ndër organizatorët e korridoreve humanitare, që i lejuan shumë fëmijë nga Gaza të mjekoheshin në Itali. A keni nisma të tjera të ngjashme në proces?
Gjatë 20 vjetëve të fundit Vikari kujdestar, Atë Ibrahim Faltas, është marrë me të gjitha kauzat humanitare. Operacionet, për të cilat po flasim, janë ato që lidhen me transferimin e fëmijëve të plagosur dhe të gjymtuar nga Gaza - në spitalet italiane. Kohët e fundit ai bashkëpunoi edhe në transferimin e Adamit të vogël, por shumica e veprimtarive humanitare, që i drejton ai, mbetet me të drejtë e fshehur. Edhe transferimi i fundit i ipeshkvijve toskanas në Aman, menjëherë pas shpërthimit të luftës me Iranin, u organizua nga Vikari. Megjithatë, nëse më lejoni, angazhimi i tij më i madh humanitar në vitet e fundit ka qenë të punojë me zell për rindërtimin e shkollave të Tokës Shenjte dhe për edukimin në paqe e bashkëjetesë të brezave të rinj.
Bazilika e Varrit të Shenjtë ka qenë jashtëzakonisht e mbyllur për publikun e besimtarëve. Cilat janë kuvendet, ku fretërit janë më në rrezik ndër këto çaste, edhe më të rrezikshme sesa mendohet??
Aktualisht manastiret më në rrezik janë ato në zonat urbane. Po kujtoj kryesisht manastiret e Jaffës dhe Ramles, ato të Haifës dhe Accos, por edhe ato këtu, në Jerusalem. Dihet se bombat inteligjente nuk ekzistojnë e kush godet normalisht, godet me qëllimin që të trembë edhe popullsinë. Nuk ka më asnjë respektim të "rregullave" të ligjit ndërkombëtar të luftës dhe për këtë arsye jemi të gjithë në të njëjtën barkë, pa dallime përkatësie etnike ose fetare. Megjithatë, edhe në të kaluarën jetuam situata të ngjashme: është pjesë e thirrjes misionare, ndaj një gjë është e sigurt: ne nuk jemi mercenarë që braktisin grigjën për të shpëtuar veten, ky është misioni që Kisha na ka besuar, e këtu do të qëndrojmë, duke besuar në ndihmën e Qiellit!