Zoja e K?shillit t? Mir?: nj? ur? nd?rmjet Italis? dhe Shqip?ris?
R.SH. / Vatikan
Një nënë me foshnjën e saj në krahë duke e shikuar ëmbëlsisht, në sfondin e një ylberi. Butësia e shprehur nga piktura e Zojës së Këshillit të Mirë është e njëjta që mijëra shqiptarë ndiejnë ende sot kur e shikojnë atë në Gjenacan, gati 50 km larg Romës, ku gojëdhëna vijon të tregojë se Zoja mbërriti më 25 prill 1467, e mbartur nga disa engjëj mbi një re. Ishte Zoja e Shkodrës, e edhe e Shqipërisë, ajo që iu duk në ëndërr dy burrave, të cilët iu bindën thirrjes së Virgjërës. Të dy e ndoqën në shtegtimin përtej detit Adriatik, por më pas i humbën gjurmët. Historia e Zojës gërshetohet me atë të Petruccia-s, terciare augustiniane e Nocerës, besimtare e Nënës së Këshillit të Mirë, që nderohej në Gjenacan e cila, ndërmjet një mijë vështirësish, po rindërtonte kishën e vogël të qytetit, siç i kishte treguar Maria. Pastaj nisi një kohë e gjatë dhe e pandërprerë mrekullish dhe hiresh, dhuratë e Zojës për atë vend.
Pikëmbështetje për Shqiptarët
Në Sallën Marconi, Ambasada e Republikës së Shqipërisë pranë Selisë e Shenjtë dhe Urdhri Sovran i Maltës organizuan një konferencë për të treguar historinë e simbolit marian, urë lidhëse ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë. Në përshëndetjen e tij, Ambasadori italian pranë Selisë së Shenjtë, Pietro Sebastiani, foli për praninë e gjysmë milioni shqiptarësh në gadishull, të integruar në shoqëri dhe strategjitë e shumë kompanive italiane, që po investojnë në Tiranë. “Pikë takimi për emigrantët shqiptarë”: ky, përkufizimi i ri, i bukur i Zojës së Këshillit të Mirë, i shqiptuar nga Don Pasquale Ferraro, ish-koordinator kombëtar për kujdesin baritor të shqiptarëve në Itali për 18 vjet, si dhe organizator i shtegtimit të përvitshëm të shqiptarëve në Gjenacan. Shtegtim i hershëm, por që u bë i zakonshëm sidomos pas heksodit të vërtetë të shqiptarëve në vitet '90 pas rënies së regjimit komunist.
Dëgjoni intervistën me Don Pasquale Ferraro-n
Zoja e familjeve tona
“Në vitet '90 shtegtimi në Gjenacan lindi spontanisht, por pak nga pak – kujton Don Pasquale - u organizua ajo, që është edhe sot, domethënë një ditë e tërë kushtuar Zojës. Rreth një mijë shqiptarë mbërrijnë nga të katër anët e Italisë, por edhe nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe kështu lind një çast takimi me familjet e origjinës të ndara prej vitesh. Zoja është pikëmbështetje për emigrantët, që kanë lidhje të madhe me Virgjërën. Në të kaluarën ishte e vështirë të pohoje se ishe i krishterë - thekson ai - por para Marisë ishte dhe është ende sot burim krenarie të jesh shqiptar. Shqiptarët janë shumë të lidhur me vlerën e familjes, që regjimi komunist u përpoq ta shkatërronte duke mohuar çdo formë të fesë dhe për rrjedhojë të vlerave. Zoja u bë kështu Pajtorja e familjes. Çdo vit - shtoi meshtari - në fund të kremtimit eukaristik në Gjenacan - i bëj fëmijët të ngjiten në altar, sepse janë lulet më të bukura për t'ia ofruar Marisë. Kështu u them! Dhe shoh në sytë e prindërve krenari të madhe e gëzim të madh”.
Zoja e Këshillit të Mirë është urë figurash, imazhesh, historish, ndërsa dy pikat e takimit janë Gjenacani e Shkodra. Zoja fluturoi me engjëjt dhe i solli të gjitha historitë e shqiptarëve këtu, në Itali, pastaj, në vitin 1993, me Gjon Palin II dhe Nënë Terezën, u kthye rishtas në shtëpi. E Papa Wojtila, gjatë shtegtimit të tij, bekoi gurin e parë të Shenjtores së Zojës në Shkodër më 25 prill 1993 dhe ua ktheu shqiptarëve një kopje të figures së mrekullueshme të Zojës së Këshillit të Mirë “të Gjenacanit”, që quhej prej shekujsh në Gjenacan dhe në Shkodër, por për Shqipërinë e të gjithë shqiptarët njihet në rrjedhë vitesh si “Zoja e Këshillit të Mirë”. Zoja e Shqipërisë. E gjithë shqiptarëve!
Marrëdhënie shekullore ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë
Në fjalën e profesoreshës Lucia Nadin të Universitetit të Tiranës, lidhja dhe shkëmbimi ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë u realizua në periudhën mesjetare-kristiane. “Zoja jonë e Këshillit të Mirë - shpjegon ajo - sot na flet për lidhjen ndërmjet njërit bregdet të Adriatikut e tjetrit, ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, por edhe ndërmjet Shqipërisë e Romës dhe Venedikut. Rreth Zojës po bashkojmë një histori marrëdhëniesh shekullore midis dy popujve, një rreth takimesh ndërmjet njerëzve”.