杏MAP导航

K?rko

Nj? nga procesionet e m?parshme t? shqiptar?ve n? Gjenacan Nj? nga procesionet e m?parshme t? shqiptar?ve n? Gjenacan

T? diel?n, 25 maj, shqiptar?t te Zoja e K?shillit t? Mir?, n? Gjenacan

Si? ?sht? tashm? tradit?, t? diel?n e fundit t? muajit maj, q? i kushtohet Zoj?s s? Bekuar, pra, pasnes?r, 25 maj, shqiptar?t e Italis? shkojn? p?r shtegtim n? shenjt?roren kushtuar Pajtores s? shqiptar?ve, Zoj?s s? K?shillit t? Mir?, n? Gjenacan, pran? Rom?s. Shtegtimi ?sht? organizuar nga koordinatori i Baritoris? s? emigrant?ve shqiptar? n? Itali, don Anton Kodrari, n? bashk?punim me Konferenc?n Ipeshkvnore t? Shqip?ris? dhe me Fondacionin “Migrantes” t? Konferenc?s Ipeshkvnore t? Italis?

R.SH. - Vatikan

Siç është bërë tashmë traditë, të dielën e fundit të muajit maj, që i kushtohet Zojës së Bekuar, pra, pasnesër, 25 maj, shqiptarët e Italisë shkojnë për shtegtim në shenjtëroren kushtuar Pajtores së shqiptarëve, Zojës së Këshillit të Mirë, në Gjenacan, pranë Romës. Shtegtimi është organizuar nga koordinatori i Baritorisë së emigrantëve shqiptarë në Itali, don Anton Kodrari, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe me Fondacionin “Migrantes” të Konferencës Ipeshkvnore të Italisë. Kësaj radhe, shtegtimi organizohet në 130-vjetorin e shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë Pajtore e popullit shqiptar (1895).

Vizita e Papës Leoni XIV

Shenjtërorja e Gjenacanit u bë e njohur nga të gjithë edhe kohët e fundit, pasi menjëherë pas zgjedhjes, Papa Leoni XIV shkoi të lutej para fugures së mrekullueshme të Zojës, ardhur në kishën e augustinianëve nga Shkodra, për t’u shpëtuar otomanëve. Tani shqiptarët kanë një përkrahës të rëndësishëm të devocionit të tyre për atë, që me dashuri të pakufishme, e quajnë Zoja e Shkodrës. Kopjen e fugures e pati çuar në Shqipëri Papa Gjon Pali II, gjatë udhëtimit të tij të paharrueshëm në vitin 1993, kur i dha Kishës Katolike hierarkinë e saj të parë pas komunizmit dhe i shprehu afërsinë e Kishës Universale popullit shqiptar e katolikëve të sapodalë nga njëri prej persekutimeve më të tmerrshme të shekullit XX.  

Programi

Veprimtaritë e së dielës në Gjenacan nisin në orën 10.00, me projektimin e videos “Historia e një Nëne, që bashkon bijtë e saj, banorë të dy brigjeve të të njëjtit det”. Një gjysmë ore, që do t’ia lërë vendin dëshmive të jetës së motrës Maria Lucia, nga Motrat e vogla të Jezusit, e cila do të flasë për përvojën e tyre në Shqipëri, si edhe të profesoreshës Maria Rita Monaco, e cila do të ofrojë një përvojë personale jetësore me Nënën e Zotit.

Më pas do të vazhdohet me përshëndetjet institucionale, që do t’i lënë vendin procesionit nëpër rrugët e qytezës së Gjenacanit. Shqiptarët e veshur me kostume kombëtare do të mbajnë mbi supe shtatoren e Zojës, duke kaluar nën dritaret e banorëve, që hedhin petale lulesh.

Në orën 12.30, mesha e kremtuar nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit. Në një kuti druri, vendosur në kapelën e Zojës, siç njofton lajmi i Koordinimit kombëtar të Baritorisë së Emigrantëve shqiptarë në Itali, do të mblidhen të gjitha ndjetet e lutjes së besimtarëve, edhe të atyre, që nuk mund të marrin pjesë, por që ua kanë besuar ato të afërmve, të cilët do të shkojnë të dielën në Gjenacan.

Si gjithnjë, pas meshës, të gjithë zhvendosen në parkun pranë shenjtërores (Parco degli Elcini), ku hanë së bashku, këndojnë e kërcejnë valle popullore. Është rast për t’u parë me njëri-tjetrin, edhe me njerëz që nuk i takon prej kohësh, duke shkëmbyer ushqimin, që secili merr me vete, por edhe të rejat, që kanë ndodhur gjatë vitit.

23 maj 2025, 16:47