Rerum Novarum, zanafilla dhe suksesi i nj? Enciklike
R.SH. / Vatikan
Është gurthemeli i doktrinës shoqërore të Kishës, tekst që ngjalli interes të madh që nga botimi i tij i parë dhe që nuk e ka humbur as sot e kësaj dite vlerën. Enciklika Rerum novarum, e shpallur 134 vjet më parë, më 15 maj 1891, nga Leoni XIII u rikthye në qendër të vëmendjes me zgjedhjen e Robert Francis Prevost në fronin papnor. Papa Leoni XIV, duke u takuar me kardinalët dy ditë pas Habemus Papam, deklaroi se kishte zgjedhur të njëjtin emër si Papa Pecci sepse "Leoni XIII, me Enciklikën historike Rerum novarum, trajtoi çështjen sociale në rrethanat e revolucionit të parë të madh industrial".
Arkivi Apostolik i Vatikanit ruan gjithë dokumentacionin që lidhet me gjenezën e atij dokumenti dhe konsensusin e marrë si nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare ashtu edhe nga "baza", domethënë nga punëtorët.
Një argument i panjohur
Të shoqëruar nga Alejandro Mario Dieguez, Zyrtar i Arkivit, i ngarkuar për organizimin e materialit të shekujve 19 dhe 20, hapim dosjet që përmbajnë dokumentet e shkruara me dorë nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Papës Pecci, si dhe letrat e pëlqimit nga ipeshkvni të ndryshme ose qarqe punëtorësh nga e gjithë bota.
Dëgjoni intervistën me Alejandro Mario Dieguez
“Interesi që ngjalli enciklika ishte i jashtëzakonshëm sepse - shpjegon ai - trajtonte një argument teknik të paprecedent, në dukje larg mësimit të Kishës, që më parë nuk kishte pasur formulim kaq sistematik mbi doktrinën shoqërore”.
Pyetje gjithnjë aktuale
“Kisha gjithmonë ka pasur një doktrinë shoqërore, që të kujton Ungjillin, Etërit, Skolastikën mesjetare, por me Rerum novarum Leoni XIII vendosi të fliste qartë mbi çështjen shoqërore dhe atë të punëtorëve përballë lindjes së socializmit, marksizmit dhe kapitalizmit të egër industrial. Dhe e bëri këtë duke vënë një pikëpyetje mbi dinjitetin e punës, drejtësinë e pagave, shfrytëzimin e punës së fëmijëve dhe të femrave, marrëdhëniet ndërmjet pronës private dhe të së mirës së përbashkët, natyrën e kapitalizmit dhe misionin e biznesit dhe sipërmarrësit, tema që nuk e kanë humbur aspak vlerën e tyre edhe sot e kësaj dite, përballë sfidave të automatizimit të proceseve të prodhimit dhe përdorimit në rritje të inteligjencës artificiale”. Sipas Dieguez, “përgjigjet ndryshuan, por janë ende në këmbë të njëjtat pyetje”.
Ndërmjetësimi dhe dialogu
I rëndësishëm në tonin e dokumentit papnor është ndërmjetësimi e edhe dialogu me të gjitha forcat në terren. “Kjo duket edhe nga besimi i Leonit XIII me një kardinal, në lidhje me socializmin, i cili në atë kohë u quajt “armiku i madh”: “Socializmi është përrua, kundër të cilit ka tri zgjidhje: ndalojeni, dhe rrezikoni të përlaheni nga forca e rrymës. Lëreni të kalojë, duke ndenjur në brigje për të parë: e kjo do të ishte metoda e ‘të lumve të gjumit’ dhe e strucit. Duhet të rregullohet, duhet të kanalizohet: kjo është zgjidhja e vërtetë për të cilën thirren si Shtetet - ashtu edhe Kisha”.
Ideja dhe zhvillimi
Është interesante të kuptohet se si lind një enciklikë. "Nuk duhet të mendojmë se është rezultat i punës individuale të një Pape". Papa u ngarkon ekspertëve të fushës, të detyruar të ruajnë konfidencialitetin më të rreptë, të hartojnë një plan si pikënisje për një përpunim më sistematik. “Në rastin e Rerum novarum,” vazhdon Dieguez, “Leoni XIII mundi të mbështetej në tri skema: njëra e përgatitur nga jezuiti Matteo Liberatore; e dyta, nga kardinali dominikan Tommaso Zigliara, e cila më pas u rishikua dhe u reformua nga Ati Liberatore, dhe e treta, nga kardinali jezuit Camillo Mazzella, të tre filozofë të shquar neo-tomistë. Kjo skemë e tretë iu besua më pas latinistit të kuries Alessandro Volpini për hartimin përfundimtar dhe, më pas, dëgjuesit papnor Gabriele Boccali për një punë të duruar rishikimi, verifikimi dhe kalibrimi të tekstit”.
Zgjedhja e incipit apo fillimi
Ajo që ka hyrë në histori si emri i enciklikës, domethënë incipit Rerum novarum me paragrafin e parë relativ, nuk ishte e pranishme në variantet e para të tekstit që fillonin me fjalët Excitata semel rerum novarum cupidine. “Incipiti – thotë arkivisti i Vatikanit – në një çast të caktuar u ndryshua, fitoi më shumë përshtatshmëri dhe elegancë, krijoi një Rerum novarum semel excitata cupidine më karakteristike”. Është e vështirë të përcaktohet se kush i paraqiti këto fjalë. "Hamendësohet se ishte Bokali. Përveç hipotezës se vendosja fillestare u dha nga Papa e, duke pasur parasysh risinë e temës, e dimë se dokumenti u korrigjua deri në ditët e fundit dhe se Leoni XIII i pezulloi të gjitha audiencat në ditët para shpalljes së tij, me sa duket për të qenë në gjendje të përqendrohej në rishikimin përfundimtar".
Vëzhgime të bëra "me gojë"
Interesant fakti, sipas të cilit nuk është e mundur të identifikohen ndërhyrje të drejtpërdrejta nga Papa. Në të vërtetë, thekson Alejandro Dieguez, Pecci “nuk kishte zakon t’i shkruante vëzhgimet, por ua sugjeronte ato gojarisht bashkëpunëtorëve të tij, të cilët shpesh shkruanin nën diktimin e tij. Ai kishte një mendje shumë të kthjellët, pavarësisht moshës së tij të shtyrë, 81 vjeç, kur u botua enciklika”.
Përvoja e lëvizjeve të punëtorëve
Dokumenti papnor harmonizon mendimet dhe përvojat e lëvizjeve të ndryshme të punëtorëve katolikë: "atë të Imzot Wilhelm Ketteller, të Vogelsang dhe të katolikëve gjermanë; atë të Oeuvre des Cercles dhe të lëvizjes sociale katolike në Francë dhe Belgjikë; atë të Kardinal Gaspard Mermillod, të Unionit të Fribourg dhe të Kaspar Descurtins në Zvicër; atë të Kardinalëve Edward Manning të Westminster dhe James Gibbons të Baltimore; atë të Rrethit Romak të Studimeve Sociale të Imzot Domenico Jacobini dhe të lëvizjes sociale të katolikëve italianë".
Një përhapje e gjerë
Fama e Rerum novarum sigurisht i detyrohet faktit se, ndryshe nga enciklikat e tjera, nuk u përhap vetëm nëpërmjet përmbledhjeve në gazeta ose nëpërmjet nunciaturave apostolike në të gjithë botën e edhe të dikastereve romake. Me qëllim angazhimin e të gjitha palëve të interesuara, iu dërgua sovranëve, krerëve të shteteve, ministrave të ekonomisë dhe shkrimtarëve më të famshëm të shkencave shoqërore. “Vetëm Kongregacioni i Propaganda Fide-s ‘për Çështjet Orientale’, për shembull, dërgoi një mijë kopje - në latinisht, frëngjisht dhe italisht - në dioqezat nën juridiksionin e tij dhe besohet se një milion kopje u shpërndanë vetëm në Evropë dhe në Amerikë”, thekson studiuesi.
Reagimet ndërkombëtare
Arkivi Apostolik i Vatikanit ruan, në një dosje voluminoze të Sekretarisë së Shtetit, të gjitha reagimet lidhur me dërgimin e Letrës Papnore. Ekziston përgjigja e Presidentit Francez François Sadi Carnot, të cilit Leoni XIII donte shprehimisht t’i dërgohej një kopje e që pati thënë se ishte “shumë i vetëdijshëm lidhur me nevojën për t’iu drejtuar vendosmërisht studimit të një problemi i cili, duke iu imponuar shqetësimit të ndritur të të gjitha qeverive, është edhe më urgjent në një demokraci paqësore dhe të zellshme, siç është shoqëria franceze e shekullit të 19-të”.
Admirimi i vezirit të madh
Jo vetëm kaq: "nga burime të tjera arkivore - vazhdon Dieguez - dimë se Patriarku i Kilikisë së Armenëve, Stephen Peter Azarian, i cili u kujdes për përkthimin në armenisht, shfrytëzoi marrëdhëniet e tij të mira me Vezirin e Madh të Perandorisë Osmane, Kiamil Pasha, për t'i dërguar edhe atij një kopje në frëngjisht". Kiamil i shprehu “admirimin e tij të madh për tezën serioze sociale të zhvilluar nga Ati i Shenjtë, me një stil dhe lartësi vizioni të paparë deri më tani”, dhe shpresën se ky Kod Social mund të sillte «avantazhe të mëdha për Evropën, kontinentin e shqetësuar në themelet sociale”.
Përkthimi për Mbretëreshën Margherita
Edhe Mbretëresha e Italisë, Margarita e Savojës, sipas pakujdesive të gazetave të kohës, pavarësisht se kishte njohuri të arsyeshme të latinishtes, i kërkoi një profesori universitar të letërsisë t'ia përkthente enciklikën, në mënyrë që ajo të mund ta lexonte nga teksti zyrtar.
Duke shfletuar dosjen e Sekretarisë së Shtetit, Dieguez na tregon edhe përgjigjet e shumta nga qarqet e punëtorëve katolikë të të gjithë botës: italianë, francezë, belgë, gjermanë, holandezë, zviceranë, spanjolë, por edhe argjentinas, kilianë, kolumbianë, peruanë, uruguaianë. Përgjigje vërtet universale.
Tregimi i disa gazetave
Përballë kaq shumë protestave, komenti i disa gazetave të kohës duket tronditës: "Disa gazeta, me Corriere della Sera në krye, jo pa keqdashje, deklaruan se asnjë shoqatë punëtorësh nuk i qe përmbajtur ende ideve të propozuara nga Papa dhe se enciklika nuk kishte pasur sukses të madh sepse punëtorët, të cilëve u drejtohej, nuk ishin në gjendje ta kuptonin. Disa gazeta të tjera, si Il Diritto di Torino, shtuan më pas se Papa ishte zhgënjyer aq shumë, sa kishte siguruar se nuk do të shkruante më enciklika! Dokumentet në Arkivin tonë janë këtu për të dëshmuar pikërisht të kundërtën. Papa Leo, pas Rerum novarum, shkroi edhe 48 enciklika!".
86 Enciklikat e Leonit XIII
Një numër i pabesueshëm, më shumë se gjysma e tërësisë. Në 25 vjet Papni, nga viti 1878 deri në vitin 1903, Vincenzo Gioacchino Pecci, jo rastësisht i njohur në histori si “Papa i enciklikave”, shkroi 86 enciklika! Mbi tri në vit. "Të gjitha të shkruara në një latinishte klasike të rafinuar dhe karakteristike e cila", vëren Alejandro Dieguez, "sipas specialistëve, përcjell një "soleminalitet madhështor".
Papa latinist që hapi arkivat për studiuesit
Papa ishte studiues i apasionuar i gjuhës latine, të cilën e zotëronte me kompetencë dhe elegancë, e edhe njeri i studimeve, që mbështeti edhe studimet e të tjerëve, duke hapur Arkivat e Vatikanit për studiues të çdo kombi e të çdo feje, në vitin jo fort të largët, 1881.