杏MAP导航

K?rko

Parisi, zemra e 400-vjetorit t? Kongregacionit t? Misionit

Me pranin? e mbi 20 ipeshkvijve dhe 150 siv?llez?rve, n? kryeqytetin francez u festua p?rfundimi i Jubileut t? Kongregat?s themeluar nga Sh?n Vin?enc de’ Paoli. Kremtimi u mbajt n? Maison Mère, qend?r shpirt?rore e misionit vin?encian.

R.SH. / Vatikan

Dje, më 1 maj, në Kishën e Shën Eustakut të Parisit, në prani të një mori besimtarësh dhe të Familjes Vinçenciane të Francës, Ipeshkvi Ndihmës Imzot Emmanuel Tois kryesoi bashkëkremtimin solemn Eukaristik, për të mbyllur kremtimet pariziene kushtuar 400-vjetorit të themelimit të Kongregatës së Misionit, themeluar nga Shën Vinçenc de’ Paoli në vitin 1625. Mbi 20 kryeipeshkvij e ipeshkvij, si dhe 150 misionarë vinçencianë nga vende të ndryshme, bashkëkremtuan me ipeshkvin. “Është kohë hiri. Ky përvjetor nuk është thjesht kujtim, është vrull. Na kujton kush jemi dhe ku duam të shkojmë”, theksoi në fund të Meshës  Epror i Përgjithshëm i Kongregatës së Misionit At Toma? Mavri?.

Tre ditë përgatitje

Kremtimi i fundit u parapri nga tri ditë përgatitjesh: një ditë formimi për vëllezërit ipeshkvij, e cila përfundoi me kremtimin e lutjeve Mbrëmësore në Katedralen e Notre Dame të Parisit. Pastaj, kremtimi Eukaristik në Kapelën e Rue du Bac, vendi i  dukjeve të Virgjërës Mari tek Catherine Labouré, në fund të të cilit relikuari me zemrën e Shën Vincentit u zhvendos me procesion në Shtëpinë e Nënës së Misionarëve Vincencianë, në Rue du Sevres. Më pas, edhe një vizitë njëditore në Gannes-Folleville, ku misionarët kremtuan Eukaristinë dhe Ritin e Pendesës në vendin ku Shën Vincent de Paul u foli njerëzve të varfër të arave për Rrëfimin e përgjithshëm. Së fundmi, një ditë formimi, në të cilën misionarët reflektuan mbi rëndësinë e rigjallërimit të karizmës e të përshpirtërisë.

Kujtimi i Papës Françesku

Një nga çastet më prekëse të kremtimit ishte kujtimi i Papës Françesku i cili, dhjetorin e kaluar, i dërgoi një mesazh Eprorit të Përgjithshëm, Atë Mavri?. Shprehte, në të, afërsinë me Familjen Vinçenciane dhe dëshirën që ky përvjetor të ishte rast për një shtysë të re misionare. “Do të lutem që ky përvjetor i rëndësishëm të jetë rast gëzimi të madh dhe besnikërie të përtërirë ndaj konceptit të dishepullimit misionar, themeluar përmes imitimit të dashurisë së madhe të Krishtit për të varfrit”- shkroi Papa në një letër që pati jehonë tek pothuajse tre mijë anëtarët e Kongregatës së Misionit, të cilët i kushtohen ungjillëzimit dhe shërbimit të të varfërve në njëqind vende të botës.

Të varfrit, në qendër të jetës së krishterë

Lidhur me këtë, Ati Toma? Mavri? theksoi se Kongregata e Misionit “e jeton trashëgiminë e Papës Françesku me mirënjohje të thellë dhe angazhim të përtërirë. Jeta dhe shërbesa e tij janë një burim i vazhdueshëm frymëzimi për ne, veçanërisht për ata që ndjekin gjurmët e Shën Vinçencit de’ Paoli. Në letrën e përvjetorit dhe gjatë gjithë papnisë së tij, Ati i Shenjtë Bergoglio na kujtoi me forcë se të varfrit duhet të jenë gjithmonë në qendër të jetës së krishterë”.

Trashëgimia e Shën Vincencit, që vijon t’i shndërrojë jetët

I themeluar nga Shën Vincent de Paul në vitin 1625, Kongregata e Misionit lindi me misionin e ungjillëzimit të të varfërve dhe të përgatitjes së meshtarëve kushtuar bamirësisë dhe drejtësisë. Shën Vincenti e kuptoi se për t'u shërbyer më nevojtarëve, nevojitej një strukturë e organizuar mirë. Kështu, në vitin 1617, themeloi Zonjat e Bamirësisë, sot Shoqata Ndërkombëtare e Bamirësisë (AIC), dhe në vitin 1633, së bashku me Shën Louise de Marillac, themeloi Bijat e Bamirësisë,  kongregatë së cilës i përkiste edhe Shën Catherine Labouré, vizionarja e Medaljes së Mrekullueshme të Zojës Mari.

Katërqind vjet shërbim më të fundmëve

Kjo kongregatë femërore njihet si "revolucionare", siç e quajti edhe Papa Françesku, ngaqë u shkëput nga tradita e izoluar dhe e çoi shërbesën e drejtpërdrejtë në rrugë, përkrah të varfërve dhe të sëmurëve. Që nga themelimi i tij, Kongregacioni i Misionit e mbajti gjallë angazhimin kushtuar atyre që kanë më shumë nevojë, angazhim që sot realizohet në nisma të tilla si Aleanca e Famvin për të Pastrehët, pjesë e së cilës është fushata “13 Shtëpi”, e frymëzuar nga e njëjta frymë që, në vitin 1643, e nxiti Shën Vincentin të ndërtonte shtëpi për të varfrit. Me këtë 400-vjetor, Kongregata e Misionit ripërtërin angazhimin ndaj Ungjillit dhe shërbimit ndaj të varfërve, i frymëzuar nga vizioni i Shën Vincentit de Paul.

Kremtimet u ndoqën në transmetim nga mijëra besimtarë dhe anëtarë të familjes Vinçenciane, të përhapur në të gjithë botën dhe të bashkuar nga e njëjta përshpirtëri.

02 maj 2025, 12:57