Jeruzalemi n? flak?: bashk?sit? katolike k?rkojn? ndihm?
R.SH. / Vatikan
“Humbëm të gjitha ndërtesat dhe anekset, banesën e eprorit tonë kryesor dhe pavijonin e çiftit ortodoks që kryen punë ekumenike prej shumë vitesh. Pavijoni u dogj brenda gjysmë ore, për fat të mirë punishtja e ikonave u kursye»…
Ky është realiteti dramatik i zjarreve që po shkatërrojnë Jeruzalemin, nga ku janë evakuar 7,000 njerëz, siç rrëfen Motra Eliana Kury?o për mediat e Vatikanit. Zjarret që shpërthyen ditët e fundit u nxitën nga temperaturat e larta dhe erërat e forta, duke bërë që flakët të përhapeshin menjëherë. Zjarrfikësit u detyruan t’i evakuonin banorët vendas dhe komunitetet fetare, përfshirë vëllezërit Trappistë, të strehuar në Abu Ghosh me Benediktinët dhe Motrat e Shën Jozefit.
Efektet e zjarreve në Tokën Shenjte
Bashkësia e Lumturive të Emaus-Nicopolis është prekur veçanërisht. Disa murgjër, pasi ndihmuan zjarrfikësit të kontrollonin flakët, u kthyen në manastirin e tyre.“Patëm fat” - shpjegon Motër Eliana Kury?o CB - sepse pranë tarracës së përfshirë nga flakët ndodhet biblioteka. Nëse zjarri do të kishte depërtuar atje, të gjithë do të kishim vdekur”. Megjithatë, kërcënimi nuk duket se ka mbaruar ende dhe zjarrfikësit po vijojnë të luftojnë ende me flakët.
Rrënoja, lutje e shpresë
Sot, në Kishën e Latrunit, u kremtua një Meshë falënderimi për shpëtimin e manastirit dhe të shenjtërores së Nikopolit. Edhe pse një pjesë e konsiderueshme e ndërtesave të jashtme të manastirit u dogj, vëllezërit Trappistë siguruan se, me ndihmën e miqve, do të shkruanin një faqe të re në historinë e këtij vendi shenjt.
“Zjarri ka djegur rreth 24 hektarë tokë. Në këtë zonë ka dy manastire, që i përkasin Kishës Katolike në Tokën Shenjte: manastiri Trappist i Latrunit dhe Bashkësia e Lumturive të Emmaus-Nicopolis. Zjarrfikësit mbërritën menjëherë, bënë një punë të shkëlqyer, ndihmuan në shuarjen e zjarrit, por kemi frikë se mund të rikthehet! Është vapë e era është tejet e fortë” - njofton Ipeshkvi William Shomali. Vikari i Përgjithshëm i Patriarkanës Latine të Jeruzalemit, së bashku me Ipeshkvijtë Marcuzzo dhe Ilario, vizituan zonat e dëmtuara:
“Falënderojmë Zotin që këto dy komunitete tani janë të sigurta, erdhëm këtu me ipeshkvijtë e Patriarkanës Latine që të merrnim vesh për nevojat. Ka humbje, por, falë Zotit, njerëzit shpëtuan”, shton Ipeshkvi Shomali.
Mirënjohje dhe kërkesë për ndihmë
Edhe murgeshat e Emaus-Nicopolis nuk e harrojnë solidaritetin që jetuan, pavarësisht nga tragjedia. “U takuam me një rabin të Kibbutz, nga Gezer, 7 kilometra larg. Ai tha se mund të qëndronim aty, nëse do të ishte e nevojshme. Shkuam dhe e kaluam natën”, tha me mirënjohje Motër Eliana që tani po u bën thirrje besimtarëve të luten dhe të mbështesin rindërtimin e zonës së shkatërruar të manastirit.
“Nëse dikush dëshiron të na ndihmojë financiarisht, mund të gjejë informacion në faqen e internetit të Emmaus-Nikopolis. Nuk kemi energji elektrike, gjithçka është djegur. Vetëm uji sapo është rikthyer”.
Emmaus-Nicopolis është vend i shenjtë, për të cilin kujdeset Bashkësia e Bekimeve që nga viti 1993. Është bashkësi katolike, karizmatike, e themeluar në Francë në vitin 1973. Përbëhet nga laikë, meshtarë, familje, murgesha dhe vëllezër rregulltarë, që vuajnë e presin. E deri kur?