Imzot Ottavio Vitale, zgjedhja e Leonit XIV shenj? e kujdesit t? Zotit p?r Kish?n
R.SH. / Vatikan
Ipeshkvi i Lezhës Imzot Otavio Vitale në shkrimin e tij me titull “Dhurata e Papa Leone XIV. Ta mirëpresim me përgjegjësi" (Il dono di Papa Leone XIV. Accogliere nella responsabilità”) , shpreh gëzimin dhe falënderimin e tij ndaj Zotit për zgjedhjen e Papës së ri, Leone XIV. Ai e fillon reflektimin me dy citate të fuqishme nga Shkrimi Shenjt: “Unë vetë do t’i kullos delet e mia” (Ezekieli 34,15) dhe “E keqja nuk do të mbizotërojë” (Mateu 16,18), të cilat i sheh si premtime hyjnore që po realizohen në këtë kohë të re për Kishën.
Këto fjalë, thotë ai, janë shprehje të kujdesit dhe besnikërisë së Zotit për popullin e vet. Ai e sheh Papën si një shprehje konkrete të kësaj dashurie baritore të Perëndisë: në figurën e Papës, Zoti vetë po kullot delet e Tij. Në mënyrë të veçantë, Papa është simboli i unitetit dhe ai që udhëheq Kishën me dashuri dhe drejtësi në emër të Krishtit.
Imzot Vitale thekson se Papa Leone XIV, në fjalët e tij të para gjatë bekimit urbi et orbi, ka ripohuar premtimin e Krishtit se “e keqja nuk do të mbizotërojë”. Përmes kësaj, Papa ka forcuar besimin e të gjithë të krishterëve dhe i ka ftuar të ecin përpara me shpresë dhe besnikëri, duke ecur pas Krishtit në udhën e apostujve.
Në një botë ku shumë njerëz i qasen Papës me pritshmëri, kuriozitet, por ndonjëherë edhe me kritikë, Imzot Vitale fton besimtarët që të mos humbasin në parashikime apo analiza të nxituara mbi pontifikatin e ri. Ai thotë se është më e frytshme që ta mirëpresim Papën si një dhuratë, me zemër të hapur ndaj veprës së Shpirtit Shenjt, i cili flet me qartësi dhe thjeshtësi.
Papa Leone XIV ka zgjedhur këtë emër duke u frymëzuar nga Papa Leone XIII, i njohur për enciklikën e tij të famshme Rerum novarum, që trajtoi çështjen sociale në kohën e revolucionit të parë industrial. Leone XIV ka shprehur dëshirën për të vazhduar këtë rrugë, duke u përballur me sfidat e reja që paraqet revolucioni teknologjik dhe zhvillimi i inteligjencës artificiale. Ai e sheh Kishën si një aktore aktive në mbrojtjen e dinjitetit të njeriut, të drejtësisë dhe të së mirës së përbashkët, sidomos në kontekstin e sotëm digjital.
Imzot Vitale përmend gjithashtu se zgjedhja e Papës ndodhi më 8 maj, ditën kur Kisha kremton Zojën e Rruzares së Pompeit. Kjo datë, sipas tij, është një shenjë e kujdesit të Marisë për Kishën dhe e tregon devocionin marian të Papës së ri, sidomos për Zojën e Këshillës së Mirë. Ai thekson se përmes Marisë, besimtarët mësojnë ta dëgjojnë dhe zbatojnë Fjalën e Zotit në jetën e tyre të përditshme.
Në përfundim, Imzot Vitale bën një thirrje për të gjithë të krishterët: të jetojnë me besnikëri ndaj thirrjes së tyre, duke qenë dishepuj misionarë të Krishtit. Ai na fton ta ndjekim Papa Leone XIV me zemër të hapur, duke bashkëpunuar me të në këtë udhë të re që Zoti ka hapur për Kishën. Papa është një dhuratë që Zoti na e ka dhënë në këtë Jubile të Shpresës: ai është me ne, për ne dhe përkrah nesh, duke ecur pas Krishtit si Pjetri.