Fjala e Zotit e diel?s s? 3-t? t? koh?s s? Pashk?ve ‘C’
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së Dielës, kësaj here do të meditojmë leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të Dielës së 3-të Pashkëve, ciklit të tretë 'C', sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Fjala e Zotit e Dielës së 3-të të Pashkëve “C”
Koha e Pashkëve karakterizohet nga shfaqjet e Krishtit të Ngjallur. Jezusi u paraqitet disa herë apostujve. Dhe ndërsa ata ende dyshojnë dhe duket se duan të rikthehen nё jetёn e tyre tё mëparshme, nё punёn e tyre tё dikurshme, Jezusi vazhdon t’i kërkojë dhe t'ua mbush mendjen qё të besojnё me dashuri të madhe dhe mirëkuptim. Pra, tema që mbizotëron liturgjinë e kohës së Pashkëve është prezenca e Jezusit Ngjallur. Kjo është e vetmja gjë që na intereson e që ka rëndësi, sepse kemi nevojë për Të. Vetëm për Të.
Leximet biblike, të kësaj sё diele, na paraqesin takimin e apostujve me Krishtin e Ngjallur, i cili ua përsërit thirrjen e tij për t’u bërё peshkatarë njerëzish, përhapës tё Lajmit tё Mirё. Pjesa e Ungjillit tё kësaj së diele nga Gjon (Gjn 21,1-19), na tregon për dëftimin e tretë të Jezusit të Ngjallur në liqe, në vendin dhe gjatë punës së zakonshme të nxënësve të vet, derisa ata po peshkonin.
Me gjeste të thjeshta të jetës së përditshme Krishti Gjallë u mundëson të vetëve ta njohin se kush është Ai dhe i bën protagonistë, në role të ndryshme: kështu grupi i apostujve përjeton një peshkim tё papritur, të mrekullueshëm, të jashtëzakonshëm, e nxënësi i dashur (shën Gjoni) e kupton se Njeriu në bregun e liqenit është Zotëria JEZUS, shën Pjetri do të arrijë i pari, përmes notimit, tek Ai, e të gjithë përfitojnë nga prania dhe pjesëmarrja e Tij përzemërt, gjatë drekës.
Kështu, Ungjilli nga Gjoni na tregon se Krishti Ngjallur është i pranishëm në histori, ndërhyn realisht në ngjarjet njerëzore e sidomos atëherë kur “peshkimi” është i pafrytshëm, atëherë kur punët nuk ecin për së mbari, atëherë kur gjendemi me duar thatë, pas mundimit të bërë për të arritur diçka, atëherë kur mbyllemi në vetmitë tona absurde, duke harruar premtimin e Tij, se Ai është gjithmonë me ne.
Të përforcuar nga përjetimi i Krishtit tё Gjallё dhe të frymëzuar nga Shpirti Shenjt, Pjetri e apostujt tjerë nuk sprapsen para kërcënimeve që merrnin nga autoritetet e larta civile e politiko-fetare judaike tё asaj kohe. Njerëz të thjeshtë e në dukje të parë jo të përgatitur, apostujt u bëjnë ballë dhe qëndrojnë trimërisht para autoriteteve supreme Judaike.
Sikur Pjetrit atë kohë, edhe neve sot, Jezusi na bën të njëjtën pyetje: “A më do ti mua?” E sikur nga Pjetri mori njё përgjigje dashurie, dhe atë e bëri udhëheqës e bari shpirtëror të të gjithë besimtarëve, poashtu sot Jezusi pret përgjigjen tonë personale nё pyetjen: “A më do ti mua?” Kjo do të thotë se dashuria është gjithçka, se është çdo gjë në jetë: dashuria është fillimi, është forca, është mënyra, është sekreti i suksesit, është arsyeja e vetme për të cilën ia vlen të jetosh, të vuash, të veprosh, të pësosh, të qëndrosh, të shpenzosh të gjitha fuqitë shpirtërore e njerëzore.
Dashuria na sjell drejt e në zemër të Zotit dhe në zemër të të afërmit tonë. Gjithmonë e në çdo çast, duhet ta duam Zotin e të afërmin: Zotin “me gjithë zemër, me gjithë shpirt, me gjithë mendje”, e të “afërmin porsi vetveten”. (Mt 22,37.39). “Këtë – thotë shën Augustini – duhet gjithmonë ta mendoni, ta meditoni, ta zbatoni dhe ta mishëroni.” “Ti, zbatoje dashurinë duke filluar nga i afërmi, me të cilin udhëton; kështu do të mbërrish tek Ai (Jezusi) me të cilin dëshiron të jesh përgjithmonë” .
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Vap 5, 27-32. 40-41
Lexim prej Veprave të Apostujve
Në ato ditë, i sollën apostujt e i qitën para Këshillit të Lartë. Kryeprifti i pyeti: “Po a nuk ju kemi urdhëruar zyrtarisht që të mos mësoni më në atë Emër? Dhe, ja, ju e keni mbushur mbarë Jerusalemin me mësimin tuaj dhe doni ta ngarkoni mbi ne gjakun e atij njeriu.”
Pjetri dhe apostuj përgjigjën: “Duhet më tepër të dëgjohet Hyji se sa njerëzit. Hyji i etërve tanë e ngjalli Jezusin të cilin ju e vratë duke e gozhduar në kryq. Ky është ai, që Hyji me të djathtën e vet e lartësoi dhe e bëri Prijës e Shëlbues për t’i dhuruar Izraelit hirin e kthimit e faljen e mëkateve. Për këto ngajarje jemi dëshmitarë ne dhe Shpirti Shenjt, të cilin ua dha Hyji atyre që i nënshtrohen.”
I thirrën apostujt, i rrahën me frushkull, u urdhëruan që të mos flasin më në Emër të Jezusit dhe i lëshuan. Apostujt e lëshuan Këshillin plot gëzim pse qenë çmuar të denjë të durojnë ndonjë fyerje për nder të emrit të Jezusit. Dhe çdo ditë, si në Tempull ashtu edhe në shtëpi, nuk pushonin duke mësuar e shpallur Lajmin e mirë mbi Jezusin Mesi. Fjala e Zotit.
Psalmi 30
Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove
--- --- ---
O Zot, Hyji im,
unë të thirra e ti më shërove,
ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga nëntoka,
më ktheve në jetë që të mos zbres në varr.
--- --- ---
Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij,
falënderojeni Emrin e shenjtë të tij!
Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij,
e tërë jetën dashamirësia e tij!
Mbrëmja vjen me lot, e mëngjesi plot hare!
--- --- ---
Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua,
Zoti u bë ndihmëtari im.
Ti vajin ma ktheve në valle,
ma zhgjeshe grathoren time e më ngjeshe me hare.
O Zot, Hyji im, do të të lavdëroj për amshim!
--- --- ---
Leximi i dytë Zb 5, 11-14
Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull
Unë, Gjoni, në vegim dëgjova zëra shumë engjëjsh përreth fronit, gjallorëve dhe udhëheqësve. Ishin dhjetë, mijëra dhjetë mijërash e mijëra mijërash. Brohorisnin me zë të lartë: “I denjë është Qengji i prerë të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!”
Dhe çdo krijesë që është në qiell e në tokë, në nëntokë e në det, të gjitha në to dhe mbi to i dëgjova duke thënë: “Atij që rri në fron dhe Qengjit: bekim, nder e pushtet në shekuj të shekujve!” Kurse katër gjallorët thoshin: “Amen!” – ndërsa udhëheqësit ranë përmbys e adhuruan. Fjala e Zotit.
ALELUJA, aleluja.
U ngjall Jezu Krishti, dhe i shëlboi
njerëzit në mëshirën e vet.
Aleluja
Ungjilli Gjn 21, 1-19
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi prapë iu dëftua nxënësve në breg të detit të Tiberiadit. U dëftua kështu. Ishin bashkë Simon-Pjetri, Toma që quhet Binjak, Natanaeli nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy tjerë prej nxënësve të tij.
U tha Simon-Pjetri: “Po shkoj të gjuaj peshk.” “Po vijmë edhe ne me ty!” – i thanë ata. U nisën, pra, e hynë në lundër, por atë natë nuk zunë asgjë. Kur zbardhi drita, qe, Jezusi në breg. Nxënësit nuk dinin se ishte Jezusi. Jezusi u tha: “Djelmosha, a keni ndopak peshk?” “Jo!” – përgjigjën ata. Ai u tha: “Qitni rrjetën në anë e djathtë të lundrës e do të gjeni!” Ata e hodhën e nuk mund ta nxirrnin, aq u ngarkua me peshk.
Atëherë ai nxënësi, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Është Zotëria!” Simon-Pjetri, si dëgjoi se është Zotëria, u mbështoll me petkun e sipërm – sepse ishte i zhveshur – dhe u hodh në det. Nxënësit tjerë erdhën me lundër duke hequr rrjetën me peshk. Sepse nuk ishin larg bregut – kund dyqind kutë. Si dolën në tokë, panë zjarrin me prush e mbi të peshk, dhe bukë. Jezusi u tha: “Bini ndonjë nga peshqit që zutë tani!”
Atëherë Simon-Pjetri hypi në lundër, e nxori në tokë rrjetën plot me peshk: njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Dhe, megjithëse ishin aq shumë, prapë nuk u shqye rrjeta. Jezusi u tha: “Ejani e hani!” Askush prej nxënësve nuk pati guxim ta pyesë: “Kush je ti?”, sepse e dinin mirë se ishte Zotëria. Jezusi u afrua, mori bukën e ua dha. Po ashtu edhe peshkun. Ishte kjo hera e tretë që Jezusi u dëftua nxënësve të vet pasi u ngjall së vdekuri.
Pasi hëngrën mëngjesin, Jezusi e pyeti Simon-Pjetrin: “Simon Gjoni, a më do ti më shumë se këta?” “Po, Zotëri – i përgjigji – Ti e di se të dua!” “Kulloti qengjat e mi!” – i tha Jezusi. Prapë e pyeti të dytën herë: “Simon Gjoni, a më do ti mua?” “Po, Zotëri, ti e di se të dua!” – i përgjigji Pjetri. “Kulloti delet e mia!” – vijoi Jezusi. I tha për të tretën herë: “Simon Gjoni, a më do?” Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: ‘A më do?’ dhe i përgjigji: “Zotëri, Ti di gjithçka! Ti e di se të dua!”
I tha Jezusi: “Kulloti delet e mia! Përnjëmend, përnjëmend po të them: kur ti ishe më i ri e ngjeshje vetveten dhe shkoje kah doje; porse kur të plakesh, do t’i hapësh duart e një tjetër do të ngjeshë e do të çojë ku ti nuk dëshiron.” I tha këto fjalë për t’i lajmëruar se me ç’vdekje do ta lavdëronte Hyjin. Mandej i tha: “Më ndiq mua!”. Fjala e Zotit!
Homelia nga dom Dritan Ndoci:
E DIELA III E PASHKËS: ZOTËRI, TI E DI SE TË DUA!
(Vap 5, 27-32.40-41; Ps 30 (29); Zb 5, 11-14; Gjn 21, 1-19)
«U tha Simon Pjetri: ‘Po shkoj të gjuaj peshk’. ‘Po vijmë edhe ne me ty’ – i thanë ata». Shën Gjoni e ka stil të vetin që të mos shprehet haptas, por të përdorë simbolika e imazhe, që shprehin një realitet më të thellë. Prandaj, me fare pak fjalë, ai përshkruan kështu gjendjen shpirtërore të shtatë prej apostujve të cilët, edhe pse e kishin parë dy herë Jezusi e Ngjallur, përsëri vendosën t’i ktheheshin zanatit që kishin para se të takonin Jezusin në jetën e tyre. Duket sikur tre vitet e kaluara me Jezusin, fjalët e Tija, mrekullitë e Tija, entuziazmi që Ai u solli si edhe ngushëllimi që patën kur e panë të Ngjallur nga vdekja, ishin tashmë një kapitull i bukur historie, por që duhej të mbyllej.
Sa të vështirë e kemi të besojmë në Ngjallje! Në fantazmat që krijojmë në kokën tonë e kemi më të lehtë të besojmë, por të besojmë se pushteti i Hyjit mposht edhe vdekjen, e kemi të vështirë ta besojmë.
Por Jezusi është mësuar me dobësinë tonë. Ai nuk largohet prej nesh. Ai e pa se nxënësit u kthyen edhe një herë në të përditshmen e tyre e prandaj vendosi ta ndiqte “lojën” e tyre: meqë apostujt po ia nisnin nga fillimi, edhe Jezusi përsërit mrekullinë e fillimit, si atëherë kur i kishte afruar këta njerëz kah vetja. Në fillim të veprimtarisë së vet publike, Jezusi i kishte thirrur nxënësit e vet pikërisht ndërsa po peshkonin e prandaj tani ndodh e njëjta skenë e peshkimit të mrekullueshëm. Jezusi nuk lodhet e nuk përton kurrë t’ia fillojë nga e para me ne.
Apostujt shkojnë të peshkojnë dhe, në mëngjes, shohin në breg Jezusin, por nuk e njohin se kush është. Jezusi u thotë: «Qitni rrjetën në anën e djathtë të lundrës e do të gjeni!» dhe ashtu ndodhi kur ata iu bindën fjalëve të Tij. Prandaj, duke qenë se mrekullia e peshkimit u përsërit në mënyrë pothuajse identike, si dikur, edhe apostujt e njohën lehtë se ishte Jezusi. Njëri prej apostujve, «nxënësi të cilin Jezusi e donte», i thotë Pjetrit: «Është Zotëria!». E Pjetri, si i vrullshëm që ishte për nga karakteri, mbështillet me petkun e sipërm e hidhet në det për të arritur te Jezusi para nxënësve të tjerë. Luhatjet e gjendjeve shpirtërore janë tipike tek Pjetri: i pari u kishte thënë apostujve se po shkonte të peshkonte, kurse tani është i pari që dëshiron të arrijë tek Jezusi. Të gjithëve na ngushëllon jo pak kjo luhajte e fesë së Pjetrit, sepse luhatje në fe kemi të gjithë.
Pastaj arritën edhe nxënësit e tjerë dhe aty i priti ftesa e Jezusit që u tha «Ejani e hani!», pasi u përgatiti peshkun që sapo e kishin zënë. Një skenë kjo plot ëmbëlsi, por edhe plot me mister. Plot ëmbëlsi sepse Jezusi u kishte përgatitur më parë zjarrin me prush (që apostujt e gjetën ashtu të përgatitur) dhe pastaj u kishte gatuar në të disa nga peshqit që kishin zënë. Sa zemër e dashur dhe e kujdesshme është ajo e Zotit tonë, si e një nëne që kujdeset për fëmijët e vet! E, në fakt, Jezusi po përkujdesej si për trupin e tyre, ashtu edhe për fenë e tyre, duke dashur t’i bindë se është Ngjallur vërtetë. Por kjo skenë është edhe plot me mister, sepse Jezusi, edhe pasi ishte Ngjallur së vdekuri, «hëngri mëngjesin» bashkë me ta. Prandaj tani mund ta kuptojmë “mpirjen” e apostujve: «Askush prej nxënësve nuk pati guxim ta pyesë: “Kush je ti?”, sepse e dinin mirë se ishte Zotëria».
Pastaj, pas këtyre ngjarjeve të bukura, e gjithë vëmendja e Ungjillit përqëndrohet tek biseda mes Jezusit dhe Simon-Pjetrit. Jezusi e pyet tri herë Pjetrin nëse e donte dhe, të tria herët, Pjetri i përgjigjet «Po». Tri herë Pjetri e kishte mohuar e tani tri herë Jezusi po ia jepte mundësinë që t’ia shprehte dashurinë që kishte për Të. Shqetësohemi pak si tepër për t’ia shprehur dashurinë tonë Zotit kur e vëmë re se i kemi rënë mohit: të mos merakosemi fort, sepse Jezusi na krijon gjithnjë situata të përshtatshme ku ne mund ta shprehim përsëri dashurinë tonë për Të.
Sa herë që Pjetri i përgjigjet «Po, Zotëri», Jezusi i thotë: «Kulloti delet e mia!»: tani që Jezusi nuk do të jetë më fizikisht i dukshëm për «delet» e Tij, dikush tjetër (Pjetri dhe pasardhësit e tij) do të jetë përfaqësuesi i dukshëm i këtij Bariu të madh e të vetëm. Por, për ta kryer si duhet këtë detyrë kaq të lartë dhe delikate, duhet patjetër një dashuri e madhe për Jezusin. Prandaj Jezusi nuk i thotë vetëm «A më do?», por shton edhe «Më shumë se këta?».
Por ky dialog bëhet edhe më interesant po të dimë se, në greqishten e vjetër, janë tri fjalë të ndryshme që ne i përkthejmë me fjalën «dashuri». Fjalët eros, filia dhe agape. Fjala e parë, eros, nënkupton dashurinë që në mënyrë instinktive lind në mes të burrit dhe gruas, term ky që në Besëlidhjen e Re nuk përdoret asnjëherë. Fjala filia nënkupton miqësinë që mund të lindë mes dy personave. Ndërsa fjala e tretë, agape, tregon një dashuri krejtësisht të painteres, një dashuri që nuk është kërkim i vetvetes apo i egoizmit personal, por një dhurim i plotë i vetvetes. Me këtë fjalë, përkthimi grek i Besëlidhjes së Vjetër përshkruan dashurinë e Hyjit për njeriun.
Në Ungjillin e sotëm, kur Jezusi në dy pyetjet e para i thotë Pjetrit «A më do?», në origjinalin grek përdoret fjala agape. E Pjetri i përgjigjet dy herë radhazi «Po Zotëri, ti e di se të dua!». Por këtu Pjetri përdorë fjalën filia e jo agape. Nëse do ta përkthenim me fjalë të tjera këtë dialog, do të dukej kështu: Jezusi i thotë Pjetrit «A ke për mua një dashuri të pastër, siç është dashuria Hyjnore, pra siç është dashuria ime për njeriun?». E Pjetri i përgjigjet: «Po, Zotëri, ti e di se të kam mik».
Por ne njerëzit nuk jemi të aftë t’i përgjigjemi si duhet dashurisë Hyjnore, sikur ajo të mos na ishte shprehur në një gjuhë më të lehtë për ne. Thoshte Shën Ireneu, një ipeshkëv që jetoi në shekullin e dytë: «Hyji ka folur në gjuhë njerëzore, në mënyrë që njeriu të arrinte të fliste gjuhën Hyjnore». Kjo sidomos kur bëhet fjalë për të na edukuar në dashurinë me të cilën duhet t’i përgjigjemi Atij. Prandaj këtu teksti në origjinalin grek bën një kthesë vërtet të bukur. Kur, për të tretën herë, e pyet Pjetrin nëse e donte, Jezusi nuk përdorë më fjalën agape, që nënkupton dashurinë e Hyjit për njeriun, por fjalën filia, që nënkupton miqësinë që mund të lindë mes dy njerëzve. Në fakt, Jezusi është edhe miku ynë: «Ju jeni miqtë e mi.» (Gjn 15, 14), u kishte thënë apostujve në darkën e fundit.
E këtu ndodh diçka e madhe: tani, në përgjigjen e tij «Zotëri, Ti e di se të dua», Shën Pjetri nuk përdor më fjalën filia, por fjalën agape. Kjo do të thotë se vetëm tani që Jezusi u përkul, Pjetri arriti të ngrihet lart. Vetëm kur zbulojmë dashurinë e pamasë e të painteres të Hyjit ndaj nesh, ne njerëzit mësojmë të duam si Hyji.
Vetëm tani Pjetri është në gjendje t’i rezervojë gjithnjë Jezusit dashurinë më absolute. Prandaj ai dhe apostujt e tjerë do të jenë në gjendje të durojnë fyerje e përndjekje për shkak të Jezusit, sepse kanë në zemër dashurinë e painteres ndaj Tij.
Në leximin e parë na tregohet se si Pjetrit e nxënësve të tjerë kryeprifti u thoshte: «Po a nuk ju kemi urdhëruar zyrtarisht që të mos mësoni më në atë Emër?». Por përgjigjja e tyre është: «Duhet më tepër të dëgjohet Hyji sesa njerëzit!» Apostuj do të pësojnë për shkak të kësaj lloj dashurie ndaj Hyjit. Edhe sot Kisha vuan ngaqë jeton dhe mëson pikërisht këtë lloj dashurie. Të gjitha nivelet e tjera të dashurisë, nëse nuk preken nga kjo lloj dashurie që na ka mësuar Jezusi, janë të dëmshme dhe të pavërteta. Ata që nuk e duan dashurinë e painteres, Kishën e përqeshin, e rrahin, e frushkullojnë, siç bënë me apostujt në këtë pjesë të sotme. Por Kisha nuk lodhet. Këto sulme atë e gëzojnë, sepse mistershëm e bashkojnë edhe më fort me Mësuesin e vet Hyjnor. Ashtu ndodhi edhe me apostujt: «Apostujt e lëshuan Këshillin plot gëzim pse qenë çmuar të denjë të durojnë ndonjë fyerje për nder të emrit të Jezusit».
Vetëm tani që Pjetri është ngritur lart, në këtë lloj dashurie të painteres, Jezusi mund t’i thotë atij: «Më ndiq mua!». Edhe Kishës Jezusi i thotë «Më ndiq mua» dhe, së bashku me Shën Pjetrin e me apostujt e tjerë, Kisha i përsërit të gjitha breznive përgjatë shekujve: «Duhet më tepër të dëgjohet Hyji sesa njerëzit!» Kisha dëgjon dhe ndjek vetëm Hyjin-Trini, i vetmi që ia zbulon njeriut këtë lloj dashurie të painteres. Ajo vetëm Atë e madhëron. E madhëron jo vetëm në emër të vet, por edhe në emër të mbarë botës e gjithësisë. Është si të përjetohej gjithnjë skena që përshkruan Shën Gjonin në librin e Zbulesës: «Dhe çdo krijesë që është në qiell e në tokë, në nëntokë e në det, të gjitha në to dhe mbi to i dëgjova duke thënë: ‘Atij që rri në fron dhe Qengjit: bekim, nder e pushtet në shekuj të shekujve!’». Kisha, bashkë me Pjetrin, përballë provave të ndryshme ndër shekuj, gjithnjë i përgjigjet dashurisë së Jezusit të Ngjallur me fjalët: «Zotëri, Ti di gjithçka! Ti e di se të dua!».
Dom Dritan Ndoci