CEI, mbrojtja nga shp?rdorimi: m? shum? sinjalizime dhe besim, m? pak dialog me institucionet
R.SH. / Vatikan
Një rrjet që zgjerohet, strukturohet, bëhet konkret. E që duhet t'i përgjigjet një sfide shumë të vështirë: në vitet 2023-2024, viktimat e hamendësuara ishin 115, nga të cilët, 64 meshkuj dhe 51 femra. Në periudhën dyvjeçare në fjalë pati 69 raste të abuzimit të hamendësuar, nga të cilat 27 u kryen në famulli, me autorët e supozuar pothuajse të gjithë klerikë (67). Kjo, pamja që sjell anketa e tretë mbi veprimtaritë për mbrojtjen e të miturve dhe të rriturve të cenueshëm, botuar nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane (CEI) dhe e paraqitur këto ditë në Palazzo Borromeo, selia e Ambasadës Italiane pranë Selisë së Shenjtë.
Angazhimi i Kishës
Megjithatë, raporti bëri të mundur edhe kontrollin e angazhimit të Kishës në nivel territorial: CEI shtoi shërbimet lokale, formoi gjithnjë e më shumë operatorë, zgjeroi rrënjët në territor, duke kontribuar kështu në forcimin e idesë se mbrojtja, parandalimi dhe formimi nuk janë thjeshtë detyrim moral, por proces kishtar, që duhet ndjekur së bashku. I botuar në vitin 2019 dhe i përditësuar për herë të fundit në vitin 2023 në baza dyvjeçare, botimi i tretë i anketës, i promovuar nga shërbimi kombëtar për mbrojtjen e të miturve dhe të rriturve të cenueshëm të CEI, analizon aktivitetet e shërbimeve rajonale, dioqezane/ndërdioqezane dhe qendrave të dëgjimit në periudhën dyvjeçare 2023-2024. Përveç të dhënave të mësipërme, raporti thekson, para së gjithash, pjesëmarrje të fortë në nismë, me 184 dioqeza (94.2% e totalit) dhe mbi 1,100 vetë të pranishëm në takime (kulmi ishte në vitin 2022 me mbi tre mijë pjesëmarrës), si dhe një rritje të ndjeshme të angazhimit për formim që nuk kufizohet vetëm te priftërinjtë dhe rregulltarët.
Në vitin 2024, 46.7% e fajtorëve janë laikë (krahasuar me 39.7% në vitin 2022) ndërsa ekipet e ekspertëve janë kryesisht laikë e gra, ndër të cilat dallohen psikologet dhe edukatoret, të pranishme në 78.3% të shërbimeve. E gjithë kjo duket se po forcon jo vetëm pjesëmarrjen në takimet formative (22,755 në vitin 2024) në të cilat synimi kryesor është respektimi i dinjitetit të të miturve dhe praktikat e mira në famulli, por edhe besimin e viktimave: kontaktet me 103 qendrat e dëgjimit në zonë, arritën nga 38 në vitin 2020 - në 373, në vitin 2024. Numra që kërkojnë angazhim dhe besë gjithnjë në rritje nga ana e institucioneve për të paktën tri arsye. E para: grupmosha më e prekur ndërmjet viktimave të hamendësuara të shpërdorimit është 10-14 vjeç (31.3%). Për më tepër, shumica e autorëve abuzues janë klerikë dhe pothuajse të gjithë, meshkuj (65 nga 67) rreth moshës pesëdhjetë vjeç. Arsyeja e tretë dhe më tej është se 52 nga 66 drejtuesit e Qendrave të Dëgjimit nuk janë në dijeni të asnjë ankese civile.
Çelësi i marrëdhënieve
Prandaj, duhet të edukojmë, të rrisim ndërgjegjësimin dhe të anojmë nga ata që janë nevojtarë. Takimi në Palazzo Borromeo u mbajt mbi këto çështje. Pas përshëndetjeve institucionale të Ambasadorit Francesco Di Nitto, Paolo Rizzi dhe Barbara Barabaschi të Universitetit Katolik të Piacenzës paraqiten shërbimet aktive, operatorët e përfshirë dhe tre mijë nismat e formimit kryer vetëm në dy vjet. Fjala kyçe, për të gjithë, ishte "marrëdhënie". Sepse aty lind kujdesi, aty thyhet izolimi nga bota e jashtme. Kjo u nënvizua gjatë tryezës së rrumbullakët të drejtuar nga Ignazio Ingrao dhe nga Imzot Giuseppe Baturi, sekretar i përgjithshëm i CEI-t, sipas të cilit "Kisha është realiteti më kapilar në Itali, ndaj duhet të vazhdojmë të bëjmë pjesën tonë, në mënyrë që edhe të tjerët të mendojnë për pjesën e tyre: të ndihmojmë dioqezat më të vogla dhe më të ligshta, të forcojmë qendrat e dëgjimit duke krijuar marrëdhënie besimi, t’i kontrollojnë realitetet edhe në nivel lokal e kulturor, për shembull universitetet. Të gjithë të vetëdijshëm se kundërhelmi i parë kulturor është Ungjilli. Kjo krijon besim, unitet dhe për ne e, siç na mësoi Papa Françesku, “do të thotë ta marrim seriozisht problemin" në mënyrë që të edukojmë përgjegjësinë dhe ta bëjmë gjithnjë e më shumë Kishën shtëpi të sigurt".
Angazhimi i të rinjve: "Mos kini frikë"
Imzot Giuseppe Baturi, në një intervistë me median e Vatikanit, kujton një mision edhe më në përputhje: thirrjen drejtuar të rinjve nga Papa Leoni XIV për të "mos pasur frikë". “Para së gjithash, nga ana jonë do të thotë të mos kemi frikë ta vëmë në dukje çështjen edhe në fushën e saj kriminale: të verifikojmë faktet, të zbulojmë të vërtetën, të ndëshkojmë fajtorët, të zbatojmë drejtësinë, të shërojmë plagët dhe të zbulojmë rrënjët e thella të sjelljeve kundër Ungjillit. Kjo krijon besim e unitet për ne, Kishën, e do të thotë t'i drejtohesh çështjes, duke e ditur se është çështje besueshmërie dhe se do të na bëjë vend të vërtetë mëshire”.
Ndiqeni intervistën e Imzot Baturit
Rëndësia e Kishës transparente
“Duhet të bëjmë edhe më shumë”, shton Imzot Baturi, “territori kombëtar është i mbuluar, por qendra e veprimit është ndërdioqezane. Duhet të krijojmë qendra të tjera dëgjimi më afër jetës së zakonshme të njerëzve. Kjo do të thoshte se mbrojtja e të miturve përkon me kujdesin e zakonshëm baritor: do të thotë se ajo zhvillohet atje, ku jetojnë njerëzit”. Fjalëve të tij u bëri jehonë Imzot Luis Manuel Alí Herrera, i Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve: “Elementet mbi të cilat duhet të thellohemi në mënyrë të veçantë, më duket se janë këto: një model territorial shumënivelësh, një sinergji ndërmjet dioqezave dhe realiteteve institucionale lokale e kombëtare; formimi si levë për ndryshim kulturor; integrimi ndërmjet përmasës kishtare dhe asaj civile, domethënë bashkëpunimi me organet publike në emër të aleancës dhe të një Kishë sinodale, transparente”.
Formimi dhe parandalimi
Imzot Herrera e përfundoi fjalimin e tij me dy konsiderata që synojnë të kuptojnë nëse po nxitet një ndërhyrje e vërtetë si në nivelin kishtar ashtu edhe në atë komunitar dhe nëse po inkurajohet një proces kulturor besimi dhe afrimi ndaj Kishës nga viktimat.
“Rruga e këtyre pesë viteve ka qenë domethënëse - sqaroi Chiara Griffini, kryetare e Shërbimit Kombëtar - nëse tre të parët ishin ato të ndërgjegjësimit, dy të fundit ishin të subvencioneve dhe operacioneve. Kjo duhet nënvizuar. Qendrat territoriale të dëgjimit janë gjithnjë e më shumë në lidhje me institucionet civile, por ato duhet të bëhen edhe me njerëz, me të cilët të krijohet një marrëdhënie e frytshme për të gjithë. Kjo na lejon të paraqesim sot si model shembuj të mirë, jo vetëm në aspektin e dëgjimit, por edhe të veprimit, parandalimit dhe punësimit. Jemi në një linjë. Rruga është hapur. Këto pesë vjet kanë qenë provë jo e lehtë. Tani duhet ta përmbysim provën dhe ta bëjmë mbrojtjen të përhershme brenda misionit të Kishës”.
Koordinim për vazhdimësi
Së fundmi, Don Francesco Airoldi, kancelar i dioqezës së Bergamos, Anna Deodato, e shuguruar dhe edukatore dhe Don Antonio Rizzolo, i botimeve të San Paolos, paraqiten dy subvencionet e reja: "Praktikat e mira" dhe "Formimin e jetës së kushtuar". Të dhënat cilësore që dolën, i dhanë material të dobishëm këtij rrëfimi: rritja e qendrave të dëgjimit, rrjetet rajonale gjithnjë e më bashkëpunuese, larmia e rasteve të eksperimentuara nga dioqezat. Por sfida mbetet ajo e koordinimit dhe e vazhdimësisë. Mbrojtja, dëgjimi, kujdesi: jo slogane, por trajektore konkrete, të ndjekura deri pak kohë më parë nga Papa Françesku – për të kaluar tek përfaqësuesit e shërbimit dhe ata që janë përgjegjës për qendrat e dëgjimit në takimin e tyre të parë kombëtar, në të cilin anketa e dytë iu paraqit vetë Papës.
E edhe sot, në sallën e ambasadës, në frymën e plotë të vazhdimësisë nga Papa Françesku - tek Papa Leoni XIV, u ndje urgjenca dhe shpresa për t'i bërë këto mesazhe të gjalla në çdo famulli, në çdo territor, në çdo marrëdhënie.