At? Fusarelli: nga Fran?esku, te Fran?esku, dy burra n? sh?rbim t? njer?zimit
R.SH. / Vatikan
Fati i një emri. Djali i Pietro di Bernardone quhej Giovanni, por nuk duhej ta kishte këtë emër. Babai i tij vendosi ndryshe. E Françesku i Asizit mbeti gjithmonë kështu – e vijon të mbetet për të gjithë ne. Ky nuk pati qenë kurrë emri i një ipeshkvi të Romës, e as i një Pape të Kishës Katolike. E megjithatë, ndodhi. Dy burra, tetëqind vjet larg njëri-tjetrit, u lidhën nga e papritura e një emri e, mbi të gjitha, nga shtegu që hapej para tyre, i papritur dhe unik. Françesku i Asizit do të mbetet gjithmonë i lidhur me origjinën e emrit të tij, atë Provencë që i ati e donte sepse i kishte hapur rrugë të reja, jo vetëm për tregtinë. Jorge Mario Bergoglio, ndoshta në një çast të mbushur me të ardhmen, mirëpriti në atë emër jo vetëm një fat, por edhe një derë të hapur për rrugën, që ende nuk ishte përshkuar. Askush nuk mund ta quajë veten aq lehtë me emrin Françesku i Asizit. Është sfiduese. Kush mund ta mbartë këtë krahasim?? Në të vëretë Françesku i shekullit të 21-të nuk donte të ishte kopje e Françeskut të shekullit të 13-të. Ai u frymëzua, mirëpriti disa elementë dhe u përpoq t’i interpretonte në pozicionin unik ku ishte thirrur të jetonte: Roma dhe bota, Kisha Katolike dhe shumë burra e gra vullnetmira, të çdo ngjyre, gjuhe dhe populli.
Një shteg për t'u ndjekur
Nëse pas tetëqind vjetësh nuk është aspak e lehtë të përshkruhet fytyra e plotë dhe e vërtetë e Fratit Françesk, mund ta marrim me mend sa e pamundur është ta bëjmë këtë me Papën Françesku disa ditë pas vdekjes. Ose të kërkosh, pothuajse më kot, ngjashmëritë ndërmjet të dyve. Shqetësimi i Françeskut hapi për vete dhe për shumë të tjerë pas tij shtigje të reja, të ardhmen, dhe vazhdon ta bëjnë këtë.
E njëjta gjë vlen edhe për Papën Françesku, i cili na lë, së bashku me jetën dhe mësimet e tij, shtigje të hapura për t’u ndjekur, jo për t’i kopjuar, por për t’i interpretuar dhe për të shfrytëzuar intuitën, për të ecur me hapa të reja e për të bërë edhe zgjedhje të reja.
Besoj se tronditja e parë që ndjenë françeskanët e botës nga Papa Françesku, ishte të mos e mendonin karizmën e tyre si diçka të fiksuar, për t’u përsëritur dhe për t’u ruajtur, por si realitet të gjallë dhe dinamik, që merr vazhdimisht jetë dhe dritë në kontakt me historinë, me realitetin, me thirrjet e çdo epoke.
“Papa Françesku na riktheu në rrugën e duhur, na nxiti të mos ndalemi te një riinterpretim që rrezikon të mbetet arkeologjik, romantik ose tejet i papërcaktuar. Ipeshkvi i Romës, Françesku, na bëri të merremi me idealet e Vëllait Françesk dhe me konkretësinë e zgjedhjeve të tij. Takime, fytyra, duar për t’u prekur, trupa për t’u përkulur dhe situata nga të cilat nuk duhet të ikësh: kjo konkretësi mishërimi, që për Shën Françeskun ishte në qendër të jetës së fesë, na u rikthye nga Papa Françesku.
Të frymëzuar nga dy Françeskët
Papa Françesku na i kujtoi ne, françeskanëve, këto elemente themelore të përshpirtërisë sonë. Nuk i shterroi, as nuk i interpretoi në mënyrë të plotë dhe shterruese për të gjithë. Hapi shtigje të reja, ndoqi një intuitë, falë së cilës e ndjeu thellësisht kohën tonë dhe e kuptoi frymën e saj. Për këtë arsye, Shën Françesku, njeri i vëllazërisë, i paqes dhe i krijimit e mirësisë së Zotit, i foli menjëherë zemrës së tij dhe e lejoi të akordohej me valët e shumta të asaj kohe të ndërlikuar, por megjithatë të bekuar. E pranoj se edhe ne françeskanët e patëm të vështirë të ecnim me të njëtin hap. Ai na propozoi disa elementë të Vëllait Françesku në një mënyrë të menjëhershme dhe ndoshta të perceptuara nga ne si të ashpra. Kjo është arsyeja pse na preku. Unë besoj se tani po hapet një kohë e re, në të cilën mund ta mirëpresim përsëri këtë përvojë, ta rilexojmë këtë dhuratë dhe të mos lodhemi duke u rikthyer në rrugën, shpesh me pluhur, të kohës sonë dhe të njerëzve të panjehur, që e banojnë.
Faleminderit Françeskut të dikurshëm - e atij të sotëm - si dhe atyre që ende pranojnë të ndjekin menjëherë frymëzimin e të parit, me guximin e me urtinë konkrete të të dytit!