Askush nuk e di v?rtet si t? lutet…
R.SH. - Vatikan
Ndonjëherë nuk gjejmë fjalë për t’u shprehur. Do të dëshironim të shfrejmë, duke thënë një mori fjalësh, por nuk mund të shqiptojmë as edhe një fjali. Gjë që nuk është domosdoshmërisht e keqe, kur sytë flasin e vështrimet dinë të takohen në thellësi.
E njëjta gjë vlen edhe për jetën e shpirtit.
Mistikët theksojnë se lutja e vërtetë është lutje “zemër për zemër”, qëndrim në prani të të Amshuemit.
Por kjo është një majë shumë e vështirë për t’u arritur, sepse nënkupton, hap pas hapi, heqjen dorë nga siguritë e dikujt dhe gatishmërinë për të ndjekur shkollën e përvujtërisë.
Qëllimi i lutjes, në fund të fundit, është të mësojmë për të menduar si Zoti, të përpiqemi ta shohim botën dhe jetën tonë si Ai.
Çdo njeri përpiqet ta bëjë këtë, në mënyrën e vet.
Ne nuk e dimë se si e a luten kafshët, bimët, yjet, vëren në një poezi fetare teologja Adriana Zarri (1919-2010).
Në të vërtetë as ne nuk e kuptojmë mirë se si lutemi: me gjithë shpirt, apo cektësisht. Ndoshta-ndoshta pikërisht për ta ndryshuar shpirtin, mjafton të dimë si të dëgjojmë:
“Unë nuk e di, o Zot, si të luten im atë,
im vëlla, e as xhaxhai im!
As nuk e di se si të lutet Maria.
S’e di si të luten yjet
e degët e koraleve në fund të detit,
edhe jastëkët e myshkut që çelin lart përmbi shkëmb.
Nuk e di si të luten ty macja dhe miu,
e pleshti në lëkurën e miut.
Thellë-thellë, o Zot,
nuk di as unë si të lutem Ty.
Por e di si lutesh Ti:
si më flet butësisht, në fund të zemrës;
e unë rri etshëm e të dëgjoj".