Imzot Arjan Dodaj: Koncili i Nikes?
R.SH. / Vatikanit
Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Arjan Dodaj reflekton për Koncilin e parë kishtar ekumenik mbajtur në Nike në vitin 325 dhe aktualitetin e tij për Kishat e krishtera sot. Koncili I Nikesë na mëson për të ruajtur integritetin e fesë dhe për ta transmetuar besnikërisht te brezat e rinj. Nikea nuk është vetëm një çështje teologjike, por një thirrje për kthim personal te Zoti dhe për jetë në bashkim me njëri tjetrin.
Tiranë, më 24 Maj 2025
1700 vjet nga Koncili I Nikesë: NJË QASJE HISTORIKE, TEOLOGJIKE DHE
BARITORE
+Arjan Dodaj F.d.C. Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit
Me zemër të gëzuar dhe plot mirënjohje, ju përshëndes sot në hapjen e këtij simpoziumi të rëndësishëm, kushtuar një prej momenteve më themelore në historinë e Kishës: Koncilit të Parë të Nikesë, mbajtur në vitin 325. Në mënyrë të veçantë, përshëndetja dhe përqafimi im vëllazëror në Krishtin është për Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturinë e Tij Joanin.
Përshëndes vëllezërit dhe motrat e dy Kishave tona, si edhe studiues, teologë, historianëdhe të gjithë ju të pranishëm. Dëshiroj këtu, së bashku me ju, të shpreh një lutje dhe falënderim të përzemërt ndaj të paharruarit, Fortlumturisë së Tij Anastasit, i cili sot pushon në paqen e Krishtit. Kur më 29 korrik të vitit të kaluar biseduam për këtë simpozium, u gëzua dhe krijoi mundësitë që të fillonim organizimin e tij, që sot, këtu, po kurorëzojmë me Fortlumturinë e Tij Joanin!
Kjo ngjarje përmbledh në vetvete jo vetëm një përpjekje të thellë akademike, por mbi tëgjitha një dëshmi të vërtetë bashkëpunimi ndërkishtar, në një frymë vëllazërore që na nxit të rizbulojmë rrënjët e përbashkëta të besimit tonë. Ky përvjetor i Nikesë përkon me një vit të madh Jubilar dhe përbën një gur themeli në udhëtimin e Kishës dhe gjithashtu të gjithë njerëzimit, sepse besimi në Jezusin, Birin e Zotit që u mishërua për ne dhe për shpëtimin tonë, u formulua dhe u shpall si dritë që ndriçon kuptimin e realitetit dhe fatin e gjithë historisë. Kisha vijon t’i përgjigjet kështu ftesës së apostullit Pjetër: «Adhuroni Zotin, Krishtin, në zemrat tuaja, duke qenë gjithmonë të gatshëm t’i përgjigjeni kujtdo që ju pyet për arsyen e shpresës që është në ju.» (1 Pjt. 3:15)
1. Konteksti historik dhe politik
Fillimi i shekullit IV përbën një pikë kthese vendimtare për historinë e krishterimit dhe të Perandorisë Romake. Pas dekadash persekutimesh, që kulmuan me Ediktin e Milanos (313), të nënshkruar nga Konstantini dhe Lici, i cili garantoi lirinë e besimit për të krishterët, situata e re politike kërkonte një ekuilibër të ri. Konstantini, pasi u bë perandor i vetëm pas fitores ndaj Licit në vitin 324, e njohu krishterimin jo vetëm si një fe, por edhe si një element unifikues për Perandorinë. Megjithatë, Kisha ishte ende e përçarë nga tensione të brendshme teologjike, liturgjike dhe disiplinore. Kërcënimi më i madh përbëhej nga doktrina ariane, e cila vinte në dyshim hyjninë e plotë të Krishtit - që është element themelor i fesë së krishterë dhe, si rrjedhojë, edhe i identitetit komunitar dhe soteriologjik, pra shëlbues. Për këtë arsye, Konstantini nxiti një asamble të madhe kishtare, që të mund të rivendoste unitetin doktrinar dhe të shmangte ndarjet që mund të dobësonin Perandorinë.
2. Thirrja e Koncilit nga perandori Konstantin dhe argumentet teologjike
Në vitin 325, Konstantini thirri në Nike një mbledhje të përgjithshme të ipeshkvijve nga e gjithë Perandoria. Zgjedhja e qytetit, në perëndim të Azisë së Vogël, ishte strategjike për shkak të qasjes së lehtë. Në mbledhje morën pjesë rreth 300 ipeshkvij, kryesisht nga zona lindore, por ishin të pranishëm edhe delegatë nga Perëndimi, përfshirë legatin e Papës Silvestri I, edhe pse vetë papa nuk mori pjesë personalisht. Koncili u kryesua nga Osio i Kordovës, dhe në të morën pjesë figura të rëndësishme si Atanasi, atëkohë diakon në Aleksandri, dhe Eusebiu i Cezareas.
Në qendër të Koncilit ishte çështja e natyrës së Birit në lidhje me Atin. Pjesëmarrësit në koncil u përballën me një pyetje themelore: si të shprehej në mënyrë të saktë dhe ortodokse marrëdhënia ndërmjet dy personave hyjnorë? Pozicionet ndaheshin kryesisht në dy grupe: Arianët, të cilët pohonin se Biri ishte një krijesë, dhe jo Zot me të njëjtën esencë; Ortodoksët, të cilët pohonin se Biri është homoousios (bashkëqenës) me Atin, domethënë i së njëjtës substancë dhe natyrë hyjnore. Përdorimi i termit homoousios ishte vendimtar: bëhej fjalë për një term që kishte qenë i pranishëm në disa kontekste teologjike, por që nuk ishte përdorur kurrë zyrtarisht nga e gjithë Kisha. Futja e këtij termi ishte vendimtare. Kjo shprehje theksonte identitetin thelbësor midis Atit dhe Birit, duke riafirmuar hyjninë e plotë të Krishtit. Atanasi u dallua për vendosmërinë dhe qartësinë në mbrojtjen e kësaj pozite, duke u bërë një figurë kyçe e lëvizjes ortodokse.
3. Formulimi dhe kuptimi i "Besojmë" nga Koncili i Nikesë
Konçili përpiloi atë që quajmë "Besojmë", që shprehte në mënyrë të qartë dhe të strukturuar besimin e krishterë mbi misterin trinitar, duke iu kundërvënë linjës së arianizmit dhe duke përfshirë si pika kryesore që:
? Jezu Krishti është “i lindur, jo i krijuar”.
? Përkufizimi se Ai është “Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës, Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë”.
? Pohimi i “bashkëqenësisë” së tij me Atin;
? Njohja se gjithçka është krijuar nëpërmjet tij dhe se Ai “për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë zbriti nga qielli”.
? Kjo "Besojmë" nuk ishte vetëm një dokument teologjik, por u bë një formulë liturgjike dhe katekistike, themeli i besimit të përbashkët në mbarë Kishën.
4. Çështje disiplinore, organizative dhe zhvillimet e mëvonshme
Përveç aspekteve doktrinore, Konçili i Nikesë trajtoi edhe tema të disiplinës kishtare:
? U rregullua kohëzgjatja dhe mënyra e kremtimit të agjërimit të kohës së Kreshmëve, duke harmonizuar traditat e ndryshme;
? U vendosën kritere më të rrepta për emërimin dhe disiplinimin e ipeshkvijve dhe meshtarëve, për të garantuar korrektësinë morale dhe doktrinore të klerit;
? U mor vendim për riintegrimin e të krishterëve që, gjatë përndjekjeve, kishin mohuar fenë (lapsi), duke përcaktuar mënyrat e pendesës dhe të pajtimit.
Këto masa kishin për qëllim forcimin e kohezionit të brendshëm dhe ndërtimin e një strukture kishtare më të qëndrueshme dhe të dallueshme. Konçili i Nikesë vendosi themelet për ortodoksinë trinitare, por arianizmi nuk u zhduk menjëherë. Në dekadat që pasuan, polemika vazhdoi, me perandorë dhe ipeshkvij që herë pas here mbështetën tendencat ariane. Vetëm me Konçilin e Konstantinopojës në vitin 381, "Besojmë" Nikeane u riafirmua dhe u zgjerua, duke përfshirë një formulim më të plotë për Shpirtin e Shenjtë dhe duke mbyllur fazën kryesore të polemikave rreth Trinisë. Megjithatë, rëndësia e Nikesë mbetet vendimtare për përcaktimin e besimit të krishterë, i cili nga ai moment fitoi një gjuhë teologjike të përbashkët dhe detyruese për gjithë Kishën.
5. Interpretimet bashkëkohore teologjike
Në mendimin teologjik modern, Konçili i Nikesë interpretohet si një shembull paradigmatik se si Kisha mund të përballet me sfida doktrinare dhe kulturore pa humbur identitetin e saj. Në këtë Koncil dallohet: rëndësia e dialogut ndërmjet fesë dhe arsyes; roli i autoriteteve kishtare në dallimin e së vërtetës në mënyrë komunitare; dimensioni baritor i "Besojmë", e cila nuk është thjesht një pohim intelektual, por një shpallje jete dhe shpëtimi. Për më tepër, Nikaea përfaqëson një model të bashkëjetesës midis autoritetit shpirtëror dhe pushtetit civil- një temë që mbetet aktuale edhe sot.
6. Aktualizimi i Konçilit të Nikesë në kontekstin bashkëkohor
Sot, pas 1700 vjetësh, mund të dallojmë në mënyrë të qartë sesi ky Koncil ofron shumë mundësi reflektimi për Kishën dhe shoqërinë e sotme, në një botë të karakterizuar nga ndërlikime kulturore, pluralizëm fetar dhe sfida shpirtërore.
a) Vlera e unitetit në diversitet
Në një epokë ku fragmentimi është në rritje, si brenda të krishterëve po ashtu edhe në shoqëri, mesazhi i Nikesë kujton rëndësinë e një qendre uniteti të bazuar në fenë e përbashkët. Përvoja e Nikesë fton të kultivohet një dialog i respektueshëm, por i vendosur, për çështjet themelore, në mënyrë që dallimet të mos bëhen shkak për përçarje, por mundësi për pasurim dhe dëshmi të përbashkët.
b) Feja e mishëruar dhe dialogu me arsyen
Përkufizimi i Nikesë mbi natyrën hyjnore dhe njerëzore të Krishtit nxjerr në pah vlerën e një mendimi teologjik që ballafaqohet me realitetin dhe arsyen njerëzore. Sot, në një botë të dominuar nga shkenca dhe teknologjia, ne si të krishterë jemi të thirrur të ruajmë këtë ekuilibër, duke treguar se feja dhe arsyeja nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por plotësohen në kërkimin e të vërtetave përfundimtare dhe kuptimit të jetës.
c) Sfida e heresive bashkëkohore
Ashtu si në shekullin IV, edhe sot Kisha përballet me "heresitë" ose idetë që rrezikojnë të shtrembërojnë fenë e vërtetë: nga relativizmi teologjik te indiferentizmi fetar, nga materializmi te sinkretizmi. Konçili i Nikesë mëson domosdoshmërinë e vigjilencës doktrinore dhe të një formimi shpirtëror të thellë për të ruajtur integritetin e fesë dhe për ta transmetuar besnikërisht te brezat e rinj.
d) Marrëdhënia midis Kishës dhe pushtetit civil
Nikea shënon një moment në të cilin Kisha dhe Perandoria Romake nisën një bashkëpunim që do të ndikonte shekujt pasues. Sot, në një botë të globalizuar dhe të shekullarizuar, kjo marrëdhënie është më komplekse dhe kërkon dallim të kujdesshëm. Konçili nxit të reflektohet se si Kisha mund të ndikojë pozitivisht në shoqëri, duke promovuar drejtësinë, paqen dhe dinjitetin njerëzor, duke ruajtur njëkohësisht autonominë e saj shpirtërore.
e) Qendra e Krishtit në jetën personale dhe komunitare
Së fundmi, ripohimi i hyjnisë së Krishtit në Nikea nuk është vetëm një çështje teologjike, por një thirrje për kthim personal dhe për jetë në kungatë. Në kohën tonë të shënuar nga individualizmi dhe krizat e domethënies së jetës, besimi në Krishtin që është i një natyre me Atin fton të rizbulohet themeli i shpresës së krishterë dhe të jetohet një kungatë autentike me Zotin dhe me vëllezërit, nëpërmjet Krishtit, siç shkruante Shën Agustini dhe siç e ka në moton e tij Papa Leoni XIV: “In illo uno unum” - “Në të vetmin Krisht jemi një”, ku ndërsa komenton psalmin 127, thekson se ndonëse ne të krishterët jemi shumë, në të vetmin Krisht ne jemi një.
Koncili i Nikesë, duke pohuar se Biri është i njëjtë në esencë me Atin, nxjerr në pah diçka thelbësore: në Jezusin ne mund të njohim fytyrën e Zotit dhe, në të njëjtën kohë, edhe fytyrën e njeriut, duke zbuluar se jemi bij në Birin dhe vëllezër me njëri-tjetrin. Një vëllazëri e rrënjosur në Krishtin, që bëhet për ne një detyrë etike themelore.
Ky simpozium është një takim shumë i çmuar gjatë këtij Viti Jubilar për të ushqyer dhe thelluar besimin e besimtarëve dhe, duke u nisur nga figura e Jezusit, të ofrojë gjithashtu shtytje dhe reflektime të dobishme për një paradigmë të re kulturore dhe shoqërore, të frymëzuar pikërisht nga njerëzimi i Krishtit. Sot, në një botë të ndërlikuar dhe shpesh të polarizuar, tragjikisht të shënuar nga konflikte dhe dhunë, dashuria e Zotit që zbulohet në Krishtin dhe na dhurohet në Shpirtin e Shenjtë bëhet një thirrje për të gjithë, që të mësojmë të ecim në vëllazëri dhe të jemi ndërtues të drejtësisë dhe paqes ashtu dic ka ditur edhe te vlerësojë vëllazërinë tonë edhe Papa Françesku me vizitën e tij në Shqipëri. Vetëm në këtë mënyrë mund të mbjellim fara shprese aty ku së bashku jetojmë dhe me këdo që takojmë.
Ia besojmë këtë ditë, por edhe gjithë misionin tonë si të krishterë, Nënës së Tënzot, Theotokos, që - ashtu siç foli Papa Leoni i XIV në fillimin e misionit të tij - të dimë të jemi në këtë kohë: “Tharmi i vogël i unitetit, i kungatës, i vëllazërisë. Kjo është ora e dashurisë! Si vëllezër të duam njëri-tjetrin midis nesh!”