Fjala e Zotit e s? diel?s s? 5-t? tё Kohёs sё Kreshm?ve “C”
R.SH. - Vatikan
Ja në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës të dielës së 5-të e të fundit të kohës së krezhmëve, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 5-të e Kreshmëve “C”
Nё qendёr tё Fjalёs sё Zotit tё kësaj së diele përsëri është mëshira e Zotit. Ungjilli nga Gjoni na tregon episodin i njohur tё gruas kurorëshkelëse të cilёn skribët e farisenjtë donin ta vrisnin me gurё në emër të ligjit. Jezusi e fal duke ia riktheyer dinjitetin e saj. Ndërsa akuzuesit janë vënë para vetes dhe para ndërgjegjes sё tyre. Ungjilli i kësaj së Diele të 5-tё të Krezhmëve (krh Gjn 8,1-11) nxjerr, kështu, në dritë, temën e përdëllimit të Hyjit, i cili nuk e do kurrë vdekjen e mëkatarit, por do që ai të kthehet e të jetojë.
Leximet biblike të kësaj së diele janë prelud i procesit të cilit Jezusi do t’i nënshtrohet para se të vdes. Procesi i gruas së zënë në shkeljen flagrante të besnikërisë bashkëshortore përfaqëson, në realitet, procesin kundër Jezusit, për të gjetur një shkas për ta dënuar. Akuzatorët e vet nuk janë të aftë të shohin dhe të njohin në të “dorёn e Hyjit”, që kaq shpesh “ka hapur udhë në shkretëtirë” drejt lirisë.
Skena për të cilën flet Ungjilli zhvillohet në rrafshirën e tempullit. Jezusi është duke mësuar njerëzit, e ja aty arrijnë disa skribë e farisenj që e sjellin zvarrë para Tij një grua të zënë në shkeljen e besnikërisë martesore. Ajo grua gjendet, kështu, ndërmjet Jezusit dhe turmës (krh v.3), ndërmjet mëshirës së Birit të Zotit dhe dhunës së akuzuesve të saj.
Në realitet, ata nuk kanë ardhur te Mësuesi Jezus për të kërkuar mendimin e tij, por për t’i kurdisur një kurth. E vërtet, nëse Jezusi do të ndjekë rigorozitetin dhe zbatimin e ligjit, duke miratuar dënimin e vrasjes së gruas me gurë, do të humbë famën e tij të butësisë e të mirësisë, që kaq shumë e ka mahnitur popullin; nëse përkundrazi, do të jetë i mëshirshëm, do t’i duhet të shkojë kundër ligjit, të cilin Ai vetë ka thënë se nuk dëshiron ta anulojë, por ta zbatojë (khr Mt 5,17).
Ky qëllim i mbrapshtë fshihet nën pyetjen, që i bëjnë Jezusit: “Po Ti, çka thua?”&苍产蝉辫;(v.5). Jezusi nuk përgjigjet, hesht e bën një gjest të mistershëm: “u përkul e filloi të shkruajë me gisht në pluhur”&苍产蝉辫;(v. 7). Në këtë mënyrë i fton të gjithë të qetësohen, të mos reagojnë me valën e impulsit dhe të kërkojnë drejtësinë e Zotit. Mirëpo ata ngulnin këmbë e prisnin prej Tij një përgjigje.
Atëherë Jezusi e lartoi vështrimin e tha: “Kush prej jush është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj”&苍产蝉辫;(v.7). Kjo përgjigje i befason, i lë pa fjalë akuzuesit, duke i çarmatosur të gjithë në kuptimin e vërtetë të fjalës: të gjithë i braktisën armët, do të thotë gurët që i kishin gati për t’i gjuajtur, si armët e dukshme kundër gruas, ashtu edhe të fshehtat kundër Jezusit. E ndërsa Jezusi vazhdon të shkruajë për dhe, akuzuesit largohen njëri pas tjetrit, duke filluar prej më të vjetërve, më të vetëdijshmit se nuk janë pa mëkat.
Mbetën aty vetëm gruaja e Jezusi: mjerimi e mëshira, njëri përballë tjetrit. “Grua, ku janë?”&苍产蝉辫;(v 10), i thotë Jezusi. E mjafton ky konstatim, e vështrimi i tij plot përdëllim, plot mëshirë e dashuri, që ai person ta ndjejë – ndoshta për herë të parë – se ka dinjitet, se nuk përkon me mëkatin e vet, se mund të ndryshojë jetën, se mund të dalë nga skllavëria e vet dhe të ecën në një udhë të re.
Kjo grua na përfaqëson të gjithëve, ne mëkatarëve, do të thotë ne që jemi kurorëshkelës para Zotit, tradhtarë të besnikërisë tij. E eksperienca e saj përfaqëson vullnetin e Zotit për secilin prej nesh: jo dënimin tonë, por shpëtimin tonë përmes Jezusit. Ai është hiri, që shpëton nga mëkati e nga vdekja. Ai ka shkruar në dhe, në pluhurin prej të cilit është krijuar qenia njerëzore (khr Zan 2,7), vendimin e Hyjit: “Nuk dua që të vdesësh, por që të jetosh”. Vetëm falja nga ana e Zotit dhe dashuria e tij, e pranuar me zemër të sinqertë, e çlirojnë njeriun nga mëkati, që është rrënja e çdo të keqeje.
Jezusi ka ardhur për të shpëtuar, por edhe për të thënë se askush nuk duhet tё jetё gjykatёs i tjetrit, askush nuk mund të konsiderohet më i drejtë se tjerët, sepse të gjithë jemi shfajësuar falas nga ai. Kështu, edhe këtë të diele vazhdon udha drejt zbulimit dhe njohjes së fytyrës përdëllyese dhe zemrës plot mёshirёs e dashuri të Hyjit.
Jezusi, duke falur gruan kurorëshkelëse, na mёson se vetëm falja dhe dashuria e Zotit, e pranuar me zemër të hapur e të sinqertë, na japin forcë t’i bëjmë ballë së keqes e të mos mëkatojmë më. Vetëm dashuria e Hyjit mund ta shndërrojë nga brënda jetën e njeriut e, si pasojë, të çdo shoqërie, sepse vetëm dashuria e Tij e pakufishme e çliron nga mëkati, që është rrënja e të gjitha të këqijave.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Is 43, 16-21
Lexim prej Librit të Isaisë profet
Kështu thotë Zoti që rrugë hapi nëpër det, shteg kalimi në ujëra të tmerrshme; që bëri të dalin karroca e kuaj, ushtri e kreshnikë se bashku; rrah ranë vdekur, kurrë më s’do të ngriten, u fikën si fitili, u shqimën.
Mos i kujtoni ngjarjet e shkuara, mos mendoni për çka ka kaluar, ja, po bëj një gjë të re: tani po lind! A s’po e shihni? Ja, po hap udhën në shretëtirë, e shtigje në vend të shkretë. Egërsirat do të më japin lavdi çakajt edhe strucat, se u dhurova ujë në shkretëtirë, lumenj në vend të shkretë, që t’i japë ujë popullit, të zgjedhurit tim, popullit që e trajtova për vete dhe që mua do të më japë lavdi. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
Psalmi 126
Punë të mëdha bëri Zoti për ne
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit,
na dukej si të ishim në ëndërr.
Atëherë goja na u mbush me gaz
e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!
Asohere thuhej ndër paganë:
“Zoti bëri për ta punë të mëdha!”
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli
e zemrat na u mbushën me gëzim!
Ktheji, o Zot, robërit tanë
porsi përrenjtë e Negebit!
Ata që mbjellin me lot,
deh, le të korrin me gëzim!
Në të shkuar ecnin e qanin
duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim
duke mbartur dorëzat e veta.
Leximi dytë Fil 3, 8-14
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve
Vëllezër, unë çmoj gjithçka si dëm në krahasim me të miërn më të madhe: me njohjen e Jezu Krishtit, Zotit tim. Për të kam bjerrë çdo gjë dhe të gjitha i çmoj si llom, me qëllim që të fitoj Krishtin dhe të gjendem në Të – jo me drejtësinë time – me atë që vjen nga Ligji, por me atë që vjen nga feja në Krishtin, me drejtësinë që vjen nga Hyji, e themeluar në fe – që ta njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij me pjesëmarrjen në vuajtjet e tija, që të bëhem i ngjashëm me Të në vdekjen e tij, që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ngjalljes së të vdekurve. Jo sikurse t’ia kisha arritur, as sikurse të isha bërë i përsosur, por vrapoj qeë, në ndonjë mënyrë, të mund ta zë, sepse edhe vetë kam qenë zënë prej Krishtit Jezus. Vëllezër, unë nuk mendoj se ia kam arritur; di vetëm kaq: harroj çka kam lënë pas dhe zgjatem drejt të së ardhmes, sulem drejt qëllimit, drejt shpërblimit të thirrjes qiellore të Hyjit në Krishtin Jezus. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Nuk e dua vdekjen e mëkatarit, thotë Zoti, po që të kthehet e të jetojë.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli Gjn 8, 1-11
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi shkoi në Malin e Ullinjve. Në mëngjes erdhi prapë në Tempull. Mbarë populli shkonte tek ai. Ai u ul e po i mësonte. Atëherë skribët e farisenjtë ia sollën para një grua të zënë në kurorëshkelje. E vunë në mes dhe i thanë: “Mësues, kjo grua u zu ndërsa po bënte mëkatin e kurorëshkeljes. Në Ligj Moisiu na urdhëroi të këtillat të vriten me gurë. Po ti çka thua?” Folën kështu për ta vënë në provë që të kishin për çka ta padisnin.
Jezusi u përkul e filloi të shkruajë me gisht në dhe. E, pasi ata vijonin ta pyesnin, ai u drejtua e tha: “Kush është prej jush pa mëkat, le ta qesë i pari gurin në të!” Përsëri u përkul e vazhdoi të shkruajë me gisht në dhe. Ata, kur e dëgjuan përgjigjen, nisën një nga një të largohen duke filluar prej më të vjetërve. Jezusi mbeti vetëm – dhe gruaja që po qëndronte në këmbë në midis. Jezusi u drejtua dhe i tha: “Grua, ku janë ata? Askush nuk të dënoi?” “Askush, Zotëri!” – përgjigji ajo. “As unë nuk po të dënoj – i tha Jezusi – Shko, por mbas tashit mos mëkato më!” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!
Homelia nga dom Dritan Ndoci:
E DIELA V E KREZHMËVE: KAM QENË ZËNË PREJ KRISHTIT JEZUS
(Is 43, 16-21; Ps 126 (125); Fil 3, 8-14; Gjn 8, 1-11)
Ekziston tundimi i hollë që, kur dëgjojmë Fjalën e Hyjit, të shqetësohemi më fort që atë të mund ta dëgjojnë e të kthehen ata njerëz që ne i konsiderojmë si mëkatarë. E kështu e ndjekim me afsh të zemrës çdo fjalë, por me shpresën që të kthehet ai tjetri e jo unë. Prandaj ndodh që të mos ua kuptojmë thellësinë disa rreshtave vërtet të bukur të Shkrimi Shenjt. Ndër ta është padyshim edhe kjo fjali e Shën Palit që dëgjuam sot në leximin e dytë: «Vrapoj që, në ndonjë mënyrë, të mund ta zë, sepse edhe vetë kam qenë i zënë prej Krishtit Jezus». Aty ai shpreh tërë vrullin e tij për të arritur përsosmërinë e krishterë, vrull i cili e kishte burimin në Krishti Zot. Kur ky me plot urrejtje po «e salvonte» Krishtin, Ai ia kishte pushtuar zemrën me mëshirën e Tij të pafund. Edhe ne ta pyesim veten nëse Krishti na e ka pushtuar zemrën me dashurinë e mëshirën Tij të pamasë, të cilat Ai i tregon edhe kur ne nuk e meritojmë.
Edhe në Besëlidhjen e Vjetër, Hyji pikërisht kështu, duke ua dëshmuar dashurinë edhe kur ata nuk e meritonin, arrinte t’i afronte izraelitët kah vetja. Shumica e psalmeve burojnë nga zemra të mbushura me harenë që vinte nga një dashuri e tillë. Psalmi i sotëm thotë: «Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, na dukej si të ishim në ëndërr». Bëhet fjalë për kthimin nga mërgimi në Babiloni, shenjë kjo se Hyji përsëri po e përkrahte këtë popull që nuk i ishte bindur fjalës së Tij dikur. Prandaj psalmi vazhdon: «Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli e zemrat na u mbushën me gëzim». Mrekullia që këtu paraqitet si e realizuar, ishte e parafolur me kohë nga Isaia profet kur ishin ende në mërgim: «Ja, po bëj një gjë të re: tani po lind», siç dëgjuam në leximin e parë. Kjo dashuri falas e kishte bërë për vete Izraelin. E, pikërisht me këtë «stil» prej Hyji, sillet edhe Jezusi në Ungjillin e sotëm.
Pjesa ungjillore që dëgjuam, është mjaft e njohur, por është tepër pak të mendojmë se ajo ka për qëllim të na tregojë vetëm se Jezusi është në gjendje të falë mëkatin e kurorëshkeljes. Nuk duhet lënë pa u theksuar, përkundrazi, ai rreshti që thotë se skribët e farisenjtë ia sollën përpara Jezusit atë grua për të parë se si Ai do ta gjykonte atë rast. E ungjilltari menjëherë komenton: «Folën kështu për ta vënë në provë, që të kishin për çka ta padisnin». Kah vinte gjithë kjo urrejtje e këtyre njerëz për Krishtin? Pse arritën ta shfrytëzonin me gjakftohtësi befasuese deri edhe një rast të tillë, jo edhe aq me dëshirën për të gjetur të vërtetën, por «që të kishin për çka ta paditnin» para Sinedrit? Prandaj, pra, më fort duhet të ndalemi tek kjo frymë që mbizotëronte përreth Jezusit në ato çaste, sesa tek falja e mëkatit të kurorëshkelëses. Kjo frymë është zjarri që i jep tension krejt kësaj pjese ungjillore.
Se ky tension kishte filluar me kohë, e tregojnë rreshtat e parë: «Në mëngjes, Jezusi erdhi prapë në Tempull. Mbarë populli shkonte tek ai. Ai u ul e po i mësonte». Shën Augustini komentonte se «sikurse del dielli në mëngjes, ashtu edhe Jezusi vjen përsëri në tempull në mëngjes për të ndriçuar me praninë e me fjalën e Tij». Nuk duhet të harrojmë edhe se këtë pjesë të bukur ungjillore na e sjell vetëm Shën Gjoni e, ai, në fillimin e Ungjillit të vet, thotë: «Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë... Erdhi ndër të vetët e të tijtë nuk e pranuan» (Gjn 1, 10-11).
Duhet ta themi se skribët e farisenjtë nuk ishin të gjithë të ngurtë ndaj Jezusit, siç jemi mësuar të mendojmë. Ata që Jezusi i “sulmon” shpesh, janë paria e tyre, ata që e njihnin mirë Shkrimin Shenjt dhe që duhej të ishin më të hapur ndaj «shenjave» që Jezusi po bënte. Kur Ungjilli thotë «të tijtë nuk e pranuan» e ka fjalën pikërisht për këtë kategori njerëzish. Këta, që ishin mësuesit fetarë të popullit në tempull, nuk arrinin ta kapërdinin poshtë faktin se ky i panjohur që vinte nga Galileja, po tërhiqte pas vetes turmat: «Mbarë populli shkonte tek ai». Nën justifikimin se dëshironin t’i ruanin traditat e shenjta, ata do të bënin çmosin ta çonin në vend synimin që smira e tyre e papërmbajtshme ua diktonte. Kur Jezusin do ta çojnë para Pilatit, ky, si politikan që ishte, e kuptoi se ishte smira ajo që i shtynte këta njerëz: «Pilati e dinte se kryepriftërinjtë e kishin dorëzuar prej smire», (Mk 15, 10). Ja, pra, e shohim përsëri se është kjo «smirë» në sfond që i jep tension e dinamizëm gjithë kësaj pjese.
Prandaj Jezusin e pyesin: «Mësues, kjo grua u zu ndërsa po bënte mëkatin e kurorëshkeljes. Në Ligj Moisiu na urdhëroi që të këtillat të vriten me gurë. Po ti çka thua?» Nëse Jezusi do të thoshte që ta falnin, do të shprehej haptas kundër Ligjit të Moisiut. Këtë gjë populli nuk do ta pranonte. Nga ana tjetër, nëse do të thoshte që ta vrisnin, do të shfuqizonte gjithë predikimet e Tij rreth faljes dhe mëshirës Hyjnore. Turma, pastaj, do të ishte më mosbesuese në ndjekjen e predikimeve të Tij.
Por, Urtisë Hyjnore, askush nuk mund t’i bëjë ballë. Fillimisht Jezusi përkulet e fillon të shkruajë me gisht në dhé. Askush nuk mund ta dijë me siguri se çfarë po shkruante atë ditë Jezusi, por, gjithsesi, duke qenë se «Shkrimi Shenjt shpjegohet nga vetë Shkrimi Shenjt» (siç thoshin Etërit e Kishës), mund të hamendësojmë diçka. Jeremia profet thotë kështu: «O Zot..., në pluhur do të shkruhen ata që nga ti largohen» (17, 13). Ndoshta Jezusi po shkruante në pluhur emrat e atyre që po i ngrinin kurthin. Por, po i shkruan në pluhur: Fjalën e vet Hyji ia kishte dhënë dikur Izraelit duke e përjetësuar në rrasa guri, ndërsa emrat e mëkatarëve Ai i shkruan në pluhur, që kështu të mund të fshihen shpejt, sapo të fryjë puhiza më e lehtë e pendimit.
Mund të jetë kështu, por mund të jetë edhe krejt ndryshe. Ky rast e tregon qartë se sa e çuditshme dhe e cekët mund të jetë drejtësia njerëzore: nuk do fort mend të kuptosh se aty kishte diçka që nuk shkonte, sepse, vërtet sollën kurorëshkelësen ta gjykonte, por mungonte kurorëshkelësi. A nuk është Ligji i barabartë për të gjithë? Me sa duket, Jezusi e sheh se ishte e kotë të flitej për drejtësi me ta, sepse vetëm drejtësia nuk u interesonte atyre që kishin në zemër më fort shpjegimin e Ligjit sesa vetë Ligjin, i cili thoshte «Mos vra!».
Por ata vazhdojnë të kërkojnë përgjigje. E Jezusi përgjigjen ua jep: «Kush është prej jush pa mëkat, le ta qesë i pari gurin në të!». Shumë e thjeshtë kjo përgjigje, por edhe tepër e thellë: Jezusi po i përmbahej zemrës së Ligjit, që mësonte se të gjithë njerëzit janë mëkatarë përballë drejtësisë Hyjnore e, në këtë pikë, nuk mund ta kundërshtonin. Vetë e lypën përgjigjen, tani le ta mbyllin gojën.
Por, nga ana tjetër, Jezusit, të cilit i intereson shëlbimi i amshuar i të gjithëve, i fton fuqishëm edhe ata që të shohin brenda vetes, më parë se të shohin brenda të tjerëve. Kishin ardhur aty të mbushur me «smirë» e, këndej, hiqeshin si të drejtë. A nuk ishte e nevojshme që t’i hapnin pak sytë? Të gjithëve Jezusi na thotë që ta shohim vetveten, para se të shpejtojmë të japim sentenca e gjykime mbi ndërgjegjet e të tjerëve. E thamë edhe në fillim se sa i pranishëm është ky tundim tek të gjithë.
E pastaj Ungjilli vazhdon, jo pa ironi, me fjalët: «Ata, kur e dëgjuan përgjigjen, nisën një nga një të largohen, duke filluar prej më të vjetërve». «... Duke filluar prej më të vjetërve», sepse pikërisht të vjetrit kishin më shumë mëkate.
Atëherë Jezusi mbeti vetëm me gruan e akuzuar. Kush mund të hyjë në ndjenjat e asaj gruaje në ato çaste? Ajo po priste vdekjen nga çasti në çast. Megjithatë, befas, gjithçka mori një rrugë që askush nuk e priste më. «Jezusi i afrohet»: asaj që po priste vdekjen, po i afrohet Jezusi «Rruga e Vërteta dhe Jeta».
«Grua, ku janë ata? Askush nuk të dënoi?», i thotë Jezusi. «Askush, Zotëri», i përgjigjet gruaja. E quan «Zotëri», term i cili, në Besëlidhjen e Vjetër, i rezervohej vetëm Hyjit. Është interesante të shohim këtu se, akuzuesit e saj, ata që e studionin me zell Ligjin dhe pretendonin se po e mbronin atë, nuk kishin arritur të takonin në Ligj Hyjin e gjallë e të mëshirshëm. Kurse kjo grua, pasi kaloi nëpër errësirën e mëkatit, tani, e shndritur nga falja e pamasë, e sheh në Jezusin Mëshirën Hyjnore. Ky «stil» prej Hyji nga ana e Jezusit e bën këtë grua të kuptojë se ka pranë atë Hyj i cili vazhdimisht Izraelin e kishte joshur me dashurinë dhe mëshirën e Tij të pamasë.
E Jezusi, duke e pranuar autoritetin prej Hyji që kjo grua i njeh, i përgjigjet: «As unë nuk po të dënoj. Shko, por mbas tashit mos mëkato më!». Edhe këtu Shën Augustini komenton: «Jezusi dënon mëkatin, por jo mëkataren». Njeriu vlen shumë më shumë se shuma e të gjitha mëkateve të tija, sepse asgjë nuk mund t’ia heqë atij përngjasimin që ka me Hyjin e vet.
Hyji e arriti këtë grua atje ku askush nuk mendonte se mund të kishte më shpresë. Prandaj, edhe ajo, vështirë se duhet të ketë vazhduar të bëjë jetën mëkatare që kishte më parë.
Edhe ajo, po t’i kishte rënë në dorë Letra që Shën Pali ua drejtoi Filipianëve, patjetër që do të kishte thënë me zemrën plot: «Vrapoj që, në ndonjë mënyrë, të mund ta zë, sepse edhe vetë kam qenë zënë prej Krishtit Jezus».
Dom Dritan Ndoci