Imzot Simon Kulli: u ngjall Krishti, e imja shpres?
R.SH. – Vatikan
“Jemi të thirrur ta dëshmojmë Krishtin e munduar, Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur për dobi, për të mirën e vërtetë dhe të përjetshme të të gjithë njerëzve”: kështu shprehet ipeshkvi i dioqezës së Sapës, në Shqipëri, imzot Simon Kulli, në mesazhin e tij për Pashkët e sivjetme. Duke iu drejtuar besimtarëve në vend, por edhe migrantëve nga ajo dioqezë, kudo ku ndodhen, imzot Kulli u uron të gjithëve ta njohin Krishtin e ngjallur dhe ta shpallin në të katër anët lajmin e gëzueshëm dhe jetëdhënës të takimit me Zotin. Ja, mesazhi i plotë…
U NGJALL KRISHTI E IMJA SHPRESË
Mesazhi i Pashkëve 2025
Të dashur besimtarë të dioqezës së Sapës, të dashur migrantë kudo ku ndodheni, me rastin e Festës së Madhe të Pashkëve, dua të uroj paqen e Krishtit për secilin prej jush. Ngjallja e Krishtit është ngjarja themeluese dhe themelore e krishtërimit, është zemra e fesë sonë, është një e vërtetë që duhet të shpallet; është lajmi i mirë i shëlbimit tonë. Ngjallja nuk vjen pas Kryqit. Gjendet brenda në Kryq; kur e pranojmë atë, lirisht, si Jezu Krishti, nga dashuria për Hyjin dhe të afërmin tonë. Me ngjalljen e Krishtit, drejtësia dhe dashuria e Hyjit morën shprehjen e tyre më triumfale, duke e shfuqizuar pushtetin e urrejtjes, të keqes dhe të vdekjes. Në ngjalljen e Krishtit është i përfshirë secili që është i pagëzuar në emër të tij. Të përfshirë me këtë ngjarje, jemi të thirrur që të jemi jo vetëm dëshmitarë, por edhe profetë të ngjalljes së tij, bartës të shpresës për një jetë më të mirë dhe më të lumtur. Jemi të thirrur që prej të gjitha mendimeve dhe fjalëve tona, prej të gjitha veprave tona të rrezatojë shkëlqimi i Krishtit të Ngjallur. Rruga e Pashkëve është rrugë e vuajtjes, e mundimeve dhe e lotëve, por e lotëve që kthehen në lot gëzimi. Porosia e gëzueshme e Ungjillit të Pashkëve ia rikthen njeriut identitetin, ia jep kuptimin e ekzistencës së tij e përmbush me jetën e cila nuk do të kalojë kurrë. Ne jemi të thirrur ta dëshmojmë Krishtin e munduar, Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur për dobi, për të mirën e vërtetë dhe të përjetshme të të gjithë njerëzve. Jemi të thirrur ta dëshmojmë jetën e cila rrezaton me zemërgjerësi dhe me dashuri pa interes. Jezu Krishti është modeli i tërë jetës dhe veprimtarisë sonë. Le të bëhemi dëshmitarët e gjallë të tij në botën e sotme plot me vuajtje. Mos të kemi frikë sepse “u ngjall Krishti e imja shpresë”. Ai e mundi vdekjen dhe të keqen njëherë e përgjithmonë. Uroj që ta njohim Krishtin e ngjallur dhe ta shpallim lajmin e gëzueshëm dhe jetëdhënës të takimit me Zotin. Krishti i Ngjallur ju dhuroftë gjithmonë ngushëllim dhe i mbushtë me gëzim zemrat tuaja! Për shumë vjet e me shëndet Pashkët!
+ Imzot Simon Kulli
Ipeshkëv i Sapës