?el?si i fjal?ve t? Kish?s: t? ankoruar n? shpres?
R.SH. – Vatikan
Shpresa, së bashku me fenë dhe dashurinë, formon triptikun e “virtyteve teologale”, të cilat shprehin thelbin e jetës së krishterë (shih 1 Kor 13,13; 1 Sel 1,3) – shkruan Papa Françesku. - Në dinamizmin e tyre të pandashëm, shpresa është ajo që, si të thuash, shënon orientimin, tregon drejtimin dhe qëllimin e ekzistencës së besimtarit. Prandaj, Shën Pali apostull ftonte: «Në shpresë jini të gëzueshëm, në vështirësi të durueshëm, në lutje të qëndrueshëm!» (Rom 12,12). Po, kemi nevojë që të «jemi plot shpresë» (shih Rom 15,13), për ta dëshmuar në mënyrë të besueshme dhe tërheqëse fenë dhe dashurinë, që bartim në zemra; që feja të jetë e gëzueshme, dashuria entuziaste; që secili të jetë në gjendje të japë qoftë edhe vetëm një buzëqeshje, një gjest miqësie, një shikim vëllazëror, një dëgjim të sinqertë, një shërbim me shpirt dhurimi, duke e ditur se, në Shpirtin e Jezu Krishtit, kjo mund të bëhet për ata, të cilëve u drejtohen, një farë e frytshme shprese. Por cili është themeli i shpresës sonë? Për ta kuptuar këtë, është mirë të ndalemi tek arsyet e shpresës (shih 1 Pjt 3,15).
«Besoj jetën e pasosur», thuhet në Besojmën e krishterë: e shprehur kështu, - komenton Papa Françesku - feja dhe shpresa jonë e krishterë gjen në këto fjalë një gur themeltar. Njëmend, ajo është «virtyti teologal nëpërmjet së cilës ne dëshirojmë […] jetën e amshuar si lumturi për ne». Koncili II Ekumenik i Vatikanit pohon: «Nëse mungon baza fetare dhe shpresa në jetën e pasosur, dinjiteti njerëzor cënohet shumë rëndë, siç vërehet shpesh në ditët e sotme, si edhe enigmat e jetës e të vdekjes, të fajit e të dhimbjes, mbeten pa zgjidhje, aq sa jo rrallë njerëzit bien në dëshpërim». Mirëpo, ne, në sajë të shpresës me të cilën jemi shpëtuar, duke vërejtur kohën që kalon, kemi sigurinë se historia e njerëzimit dhe e secilit prej nesh nuk shkon drejt një rruge pa krye apo drejt ndonjë humnere të errët, por është e orientuar drejt takimit me Zotin e lavdisë. Të jetojmë, pra, në pritje të kthimit të tij dhe me shpresën për të jetuar përgjithmonë në Të: me këtë frymë, e bëjmë tonën thirrjen prekëse të të krishterëve të parë, me të cilën mbyllet Shkrimi i Shenjtë: «Eja, o Zot Jezus!» (Zb 22,20).
Jubileu na jep mundësi të rizbulojmë dhuratën e Pagëzimit
Jezusi i vdekur dhe i ringjallur është zemra e fesë sonë – thekson Papa. - Shën Pali, duke e kumtuar këtë përmbajtje me pak fjalë, vetëm me katër folje, na përçon “bërthamën” e shpresës sonë: «Dhe njëmend, më së pari ju shpalla ato të vërteta që edhe unë vetë i mora: se Krishti vdiq për mëkatet tona siç e paralajmëroi Shkrimi i Shenjtë. Qe varrosur e të tretën ditë, u ngjall së vdekuri si u tha në Shkrimin e Shenjtë. Iu duk Kefës e pastaj të Dymbëdhjetëve» (1 Kor 15,3-5). Krishti vdiq, u varros, u ngjall, u duk. Për ne, ai kaloi përmes dramës së vdekjes. Dashuria e Atit e ngjalli atë me forcën e Shpirtit Shenjt, duke e bërë faktin se Ai u bë njeri frytin e parë të amshimit për shpëtimin tonë. Këtu qëndron shpresa e krishterë: përballë vdekjes, ku gjithçka duket se merr fund, gjejmë sigurinë se, falë Krishtit e hirit të tij, që na u dhurua në Pagëzim, «jeta nuk hiqet, por shndërrohet», përgjithmonë. Njëmend, në Pagëzim, të varrosur bashkë me Krishtin, marrim në Të, tashmë i ngjallur, dhuratën e një jete të re, e cila e shemb murin e vdekjes, duke e bërë atë një kalim drejt amshimit.
Dhe nëse përballë vdekjes, ndarje e dhimbshme kjo, që e detyron njeriun të largohet nga njerëzit më të dashur, nuk lejohet asnjë retorikë, Jubileu – vëren Papa Françesku - do të na ofrojë mundësinë për të rizbuluar, me mirënjohje të pamasë, dhuratën e asaj jete të re, që është marrë në Pagëzim, e aftë për ta shndërruar tragjedinë e ndarjes me këtë botë. Është e rëndësishme të rimendohet, në kuadrin jubilar, se si është kuptuar ky mister që në shekujt e parë të fesë. Për një kohë të gjatë, për shembull, të krishterët e kanë ndërtuar vaskën e pagëzimit (baptisterin) në një formë tetëkëndëshe dhe, ende sot, mund të admirojmë shumë pagëzimore të lashta, që e ruajnë një formë të tillë, si në Shën Gjonin në Lateran, në Romë. Ajo formë tregon se, në gurrën pagëzimore, përurohet dita e tetë, pra ajo e ringjalljes, ditë që shkon përtej ritmit të zakonshëm, të shënuar nga fundjava, duke ia hapur kështu ciklin e kohës përmasës së amshimit, jetës që s’njeh fund: ky është caku, që synojmë me shtegtimin tonë tokësor (shih Rom 6,22).
Dëshmia e martirëve
Dëshminë më bindëse të kësaj shprese na e japin martirët, të cilët, të palëkundur në fenë e tyre në Krishtin e ringjallur, ditën të hiqnin dorë nga vetë jeta e kësaj bote vetëm që të mos e tradhtonin Zotin e tyre. Ata janë të pranishëm në të gjitha epokat dhe janë të shumtë, ndoshta më të shumtë se kurrë në ditët tona, si dëshmitarë të jetës që nuk njeh fund. Kemi nevojë ta ruajmë dëshminë e tyre për ta bërë shpresën tonë të frytshme.
Këta martirë, që u përkasin traditave të ndryshme të krishtera, janë gjithashtu fara uniteti, sepse shprehin ekumenizmin e gjakut. Ndaj, gjatë Jubileut – vë në dukje Papa në kreun e 20-të të Bulës për shpalljen e tij - kam shumë dëshirë që të mos mungojë një kremtim ekumenik, për të nxjerrë në pah pasurinë e dëshmisë së këtyre martirëve.
Por, ç’do të bëhet me ne pas vdekjes? Kësaj pyetjeje, që Ati i Shenjtë i jep përgjigje në kreun e 21-të të Bulës, do t’i kushtojmë emisionin e ardhshëm.