?el?si i fjal?ve t? Kish?s: ?’do t? b?het me ne pas vdekjes?
R.SH. – Vatikan
Sipas Papës, dëshminë më bindëse të shpresës në jetën e amshuar na e japin martirët, të cilët, të palëkundur në fenë e tyre në Krishtin e ringjallur, ditën të hiqnin dorë nga vetë jeta e kësaj bote vetëm që të mos e tradhtonin Zotin e tyre. Por, ç’bëhet me ne pas vdekjes? Me Jezusin, përtej këtij pragu, ekziston jeta e pasosur, që qëndron në bashkimin e plotë me Hyjin, në kundrimin dhe pjesëmarrjen në dashurinë e tij të pafund. Gjithçka që tani e jetojmë me shpresë, do ta shohim më pas në realitet. Shën Augustini, për këtë, shkruante: «Kur të bashkohem me ty me krejt vetveten, dhimbja dhe pikëllimi nuk do të ekzistojnë më për mua. Jeta ime do të jetë jetë e vërtetë, e tëra plot e përplot me ty». Çfarë do ta karakterizojë atëherë këtë plotësi të bashkimit? Të qenit i lumtur. Lumturia është thirrja e qenies njerëzore, një cak që ka të bëjë me të gjithë.
Por çfarë është lumturia? Çfarë lumturie presim dhe dëshirojmë? Jo një gëzim të përkohshëm, një kënaqësi kalimtare që, si të arrihet, kërkon akoma e gjithnjë e më shumë, në një spirale lakmie në të cilën shpirti njerëzor nuk ngopet kurrë, por është gjithnjë e më i zbrazët. Ne kemi nevojë për një lumturi, që përmbushet përfundimisht në atë çka na realizon në jetë, domethënë në dashuri, që të mund të themi, që tani: «Më duan, prandaj ekzistoj; dhe do të ekzistoj përgjithmonë në Dashurinë, që nuk zhgënjen dhe nga e cila asgjë dhe askush nuk do të mund të më ndajë kurrë». T’i kujtojmë përsëri fjalët e Apostullit: «Jam plotësisht i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as e tashmja, as e ardhmja, as fuqitë, as forcat e lartësisë, as ato të humnerës, dhe asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë» (Rom 8,38-39).
Një realitet tjetër i lidhur me jetën e amshuar – vëren Papa Françesku në kreun e mëpasëm të Bulës jubilare - është gjykimi i Hyjit apo Gjykimi i Mbramë, si në fund të ekzistencës sonë, ashtu edhe në fund të kohërave. Arti është përpjekur shpeshherë që ta paraqesë atë – të mendojmë, për shembull, për kryeveprën e Mikelanxhelos në Kapelën Sikstine – duke përqafuar konceptin teologjik të kohës e duke përçuar një ndjenjë druajtjeje tek ata që e shohin. Nëse është e udhës që të përgatitemi me vetëdije dhe seriozitet të madh për çastin kur na kalon jeta para syve, njëkohësisht, është e nevojshme që ta bëjmë këtë gjithmonë në përmasën e shpresës, virtyt teologal që mbështet jetën dhe nuk na lejon të biem pre e frikës.
Gjykimi i Hyjit, që është dashuri (shih 1 Gjn 4,8.16), s’mund të bazohet tjetërkund përveçse në dashuri, veçanërisht në faktin se sa e kemi apo nuk e kemi praktikuar atë ndaj nevojtarëve, në të cilët është i pranishëm Krishti, vetë Gjykatësi (khs. Mt25,31-46). Kësisoj, bëhet fjalë për një gjykim, që është i ndryshëm nga ai i njerëzve dhe i gjykatave tokësore; duhet kuptuar si marrëdhënie vërtetësie me Hyjin-dashuri dhe me vetveten brenda misterit të padepërtueshëm të mëshirës hyjnore. Lidhur me këtë, Shkrimi i Shenjtë pohon: «Ti e ke mësuar popullin tënd se i drejti duhet të jetë i njerëzishëm dhe ua ke dhënë fëmijëve të tu shpresën e mirë se pas mëkatit dhuron mundësinë e pendimit. […] dhe shpresojmë në mëshirë kur ne të na gjykojnë» (Ur 12,19.22). Siç shkruante Benedikti XVI – citon Françesku Papën paraardhës - «në momentin e Gjykimit provojmë dhe mirëpresim këtë mbizotërim të dashurisë së tij mbi të gjithë të keqen në botë e në ne. Dhimbja e dashurisë bëhet shpëtimi dhe gëzimi ynë».
Prandaj, gjykimi ka të bëjë me shpëtimin në të cilin shpresojmë dhe që Jezusi e ka kryer për ne me vdekjen dhe ringjalljen e tij. Kësisoj, ai synon të na përgatisë për takimin përfundimtar me Të. E meqë, në këtë kontekst, nuk mund të mendohet se e keqja e kryer mbetet e fshehur, ajo duhet të purifikohet, për të na mundësuar kalimin përfundimtar në dashurinë e Hyjit. Kuptohet kështu, nevoja e lutjes për ata, që e kanë përfunduar rrugëtimin e tyre tokësor, e solidaritetit në ndërmjetësimin me lutje, i cili bëhet veprues falë bashkësisë së shenjtërve, në lidhjen e përbashkët që na bashkon në Krishtin, i parëlinduri i krijimit. Kështu, ndjesa jubilare, falë lutjes, u drejtohet në veçanti atyre që na kanë paraprirë, që ta marrin mëshirën e plotë.
Por, pikërisht për ndjesën e për rëndësinë e saj gjatë Jubileut do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm.