T? meditojm? me Ungjillin e s? diel?s s? 4-t? t? Kreshm?ve 'C': jam edhe un?, si djali plangprish?s
R.SH. - Vatikan
Në të dielën IV të kohës së Krezhmëve, ciklit të tretë 'C', Ungjilli sipas Lukës (15,1-3.11-32) na paraqet shëmbëlltyrën e djalit plangprishës, ose të atit të mëshirshëm, siç i pëlqen Papës Françesku ta quajë. Kështu është edhe Zoti, i durueshëm, i mëshirshëm. Nuk lodhet së prituri që mëkatari të kthehet në grigjën e Tij, i penduar, me dëshirën për të bërë pjesë sërish në vatrën familjare. Të ndjekim pjesën ungjillore, marrë nga kreu 15 i Shën Lukës:
Në atë kohë, të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. Farisenjtë e skribët nynykatnin: “Ky i pranon mëkatarët – thoshin – dhe po ha me ta.” Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri kishte dy djem. Djali i vogël i tha t’et: ‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë. Mbas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh. Kur shpenzoi gjithçka pati, u bë zi e madhe buke në atë vend e djali filloi ta sprovoi skamjen. Atëherë shkoi e u lidh rrogëtar te një njeri i atij vendi. Ky e dërgoi në toka të veta t’i ruajë thitë. E dëshironte ta mbushte së paku ndonjë herë barkun me kokrra çiçibunesh që hanin thitë, por askush nuk ia jepte. Atëherë i erdhën mendtë e thoshte: ‘Sa mëditësve tim atë u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu.’
U çua dhe e mori rrugën të kthehet tek i ati. Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua vrap, e mori ngrykë dhe e puthi. Atëherë i biri i tha: ‘O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir!’ Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e veshniani! Vërjani unazën në dorë e sandalet në këmbë! Sillni viçin e majmur e prejeni të hamë e të gëzojmë, sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’ E filluan të dëfrehen. Djali i tij i madh ndodhi në fushë. Kur u kthye e iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle, thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ndodhi. Ai i përgjigji: ‘U kthye vëllai yt e yt atë e preu viçin e majur pse iu kthye djali shëndosh e mirë.’ Ai u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda.
I ati doli jashtë dhe iu lut. Atëherë ai i tha t’et: ‘Qe se unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tënd. E ti kurrë s’më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi. Por, kur të erdhi ky – djali yt – që prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majur!’ ‘Biro – i tha i ati – ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja. Porse, u desh të gëzohemi e të ngazëllohemi, sepse ky – vëllai yt – pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet’.”
Të lutemi së bashku
Jam edhe unë, o Jezus, si ai djalë,
që mendon se do ta gjejë lumturinë
larg nga shtëpia e Atit
e pastaj, provon zhgënjimin,
braktisjen, urinë e turpin.
Po, po! Turp, për thesarin e çmuar,
të cilin e ka shpërdoruar.
Turp, se e ka lënë veten pas dore
e duket zhelaman i vrerosur.
Turp, sepse është detyruar
t’u vjedhë ushqimin derrave
kur e dinte se në shtëpinë e Atit
kishte bukë me bollëk.
Jam edhe unë, o Jezus, si ai djalë,
që i bluan mirë fjalët në mendjen e vet
për ta zbutur të atin.
Si ai, që u përbuz dhe u fye,
prandaj, i duket më se e natyrshme
të mos e pranojnë në shtëpi,
ose të paktën, jo si më parë,
prandaj, i përgatit vetes
dënimin e drejtë e mendon të kthehet
jo më si bir, por si rrogëtar i të atit.
Jam edhe unë, o Jezus, si ai djalë,
që mrekullohet para mëshirës së Atit
para dashurisë së tij plot dhembshuri,
para gëzimit, që s’arrin ta përmbajë,
para njëmijë përkëdheljeve
e para festës, që organizon
kur ai, ashtu siç bëj edhe unë, kthehet
nga vdekja e mëkatit në jetë.