T? meditojm? me Ungjillin e s? diel?s s? 3-t? t? Kreshm?ve 'C'
R. SH. - Vatikan
Shfletojmë Ungjillin e së dielës së tretë të kohës së Kreshmëve, ciklit të tretë, nga shën Luka. Në pjesë ungjillore të kësaj së diele (Lk 13,1-9), Jezusi niset nga dy fakte të kronikës së kohës, që të na bëjë të gjithëve thirrje për kthesë. Sa s’është vonë! Pret prej nesh fryte jete të re. E na tregon shëmbëlltyrën e fikut, që nuk bëri kurrë kokrra. E që, prandaj, duhet të pritet! Do të pritet, apo në këtë stinë të re do të mbushet me fryte? Ungjilli na kujton se i zoti i fikut nuk e preu pemën, duke shpresuar në stinën e fryteve të begata…Në kohën që i paraprin Pashkëve të ngjalljes!. Po të ndjekim një fragment nga Ungjilli i kësaj së diele sipas Lukës:
Në atë kohë, ia behën disa dhe i treguan çka u kishte ndodhur disa galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flive të tyre.
Jezusi u përgjigji: “A mendoni se këta galileas, që sharruan kështu, qenë mëkatarë më të mëdhenj se të gjithë galileasit tjerë? Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata! A kujtoni se ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloesë dhe i mbyti, qenë më të mëdhenjtë mëkatarë ndër të gjithë banorët e Jerusalemit? Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata!”
Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri e kishte një fik të mbjellë në vreshtin e vet. Shkoi, kërkoi fryte në të, por nuk gjeti. Atëherë i tha vreshtarit: ‘Ja, tash tri vjet po vij e po kërkoj frytin e këtij fiku e nuk po e gjej. Preje! Pse ta shfrytëzojë kot tokën?’ Ai i përgjigji: ‘Zotëri, lëre edhe këtë vit që ta mih përreth e t’i qes pleh. Ndoshta në të ardhmen do të japë fryte. Po qe se jo, atëherë do ta presësh’!”
Lutje:
Mjafton të hapësh
një faqe gazete, Jezus,
që të gjesh një mësues
gati për të të shpjeguar
çka ndodh në botë.
Shpjegon gjithçka
me siguri e krejt pa farë dyshimi.
Sepse në këtë botë
o Zot, s’mungojnë kurrë
profetët e rrejshëm,
e ta venë fajin Ty,
për të gjitha të zezat,
e shohin veç ndëshkime
që Ti na i çon mbi kokë!
E Ti i dëgjon,
sepse e ngrenë zërin
deri në qiellin tënd.
Ti i dëgjon,
por nuk na kujton tmerre,
që njerëzit i kanë në shpirt…
Na fton të prodhojmë fryte të begata,
të jetojmë një jetë të bukur,
sipas Ungjillit tënd.
Një jetë pa frikë e pa ankthe,
nën dritën e shpresës sate!
Ti s’do që drejtësia
të jetë bijë e hakmarrjes,
sepse e krijove
si bijë të dashur të mëshirës.
Mësona, prandaj, të lutemi
që të mos e tradhtojmë kurrë
mirësinë e Atit
besimin e Birit
e hirin e Shpirtit!