Mianmar, Kardinali Bo: arm?pushimi urgjent p?r t? ndihmuar njer?zit
R.SH. - Vatikan
“Ishte tronditëse të shihje natyrën të përkeqësonte vuajtjet e njerëzve që jetonin në zona të stërmunduara tashmë që katër vjet nga dhuna, kolapsi i ekonomisë dhe zhvendosja e detyruar”. Kardinali Charles Maung Bo, kryeipeshkëv i Yangon dhe president i Konferencës Episkopale të Mianmarit, shpreh për mediat e Vatikanit të gjithë dhimbjen për tërmetin katastrofik me magnitudë 7.7 që goditi rajonin Mandalay, duke shkaktuar më shumë se një mijë viktima në Mianmar deri më tani dhe mbi 2300 të plagosur, me sigurinë e trishtuar se sapo të hiqen rrënojat e ndërtesave të shkatërruara, numri i vdekjeve do të rritet ndjeshëm. Qindra njerëz janë të zhdukur, tre mijë ndërtesa të rrënuara, me dhjetëra rrugë dhe ura të dëmtuara rëndë. Një tërmet që, thotë kardinali, quhet “tërmeti i madh i shekullit”.
Thirrja për mbështetje humanitare
Shqetësimi mbi të gjitha ka të bëjë me shpërndarjen e ndihmave të cilat, për shkak të dhunës, “mund të pengohen nga trazirat e grupeve të armatosura”, duke iu referuar “palëve rë të dyja anëve”. Pajtimi, dialogu dhe paqja mbeten zgjidhja e vetme“, megjithëse deri më tani kanali më i mirë për të sjellë ndihmë për nevojtarët janë grupet fetare dhe Kisha Katolike.
Kardinali Charles Maung Bo më pas informon se ai ka aktivizuar planin “për t'iu përgjigjur urgjencës” të quajtur MERCI ( Myanmar Earthquake Response Church Initiative – Iniciativa e Kishës në përgjigje të tërmetit në Mianmar) dhe se ai ka thirrur një takim midis përfaqësuesve të Kishës dhe stafit të Caritasit të të gjithë zonave të prekura nga tërmeti.
Caritas-i kombëtar dhe zyrat dioqezane kanë ndërmarrë veprime për të ndërhyrë në dioqezën e Mandalay, e cila është më e prekura dhe për të qenë në gjendje t'u përgjigjen shpejt nevojave të popullsisë, në bashkëpunim me autoritetet lokale, udhëheqësit fetarë dhe organizatat humanitare. Në zonat e prekura komunikimet nuk funksionojnë, nuk ka internet, ka shumë pak energji elektrike. “Njerëzit kanë nevojë për gjithçka, ushqim, strehim, ilaçe dhe të gjitha materialet jetëshpëtuese”, vazhdon kardinali Bo, me organizatat joqeveritare që ngrenë alarmin për urgjencën shëndetësore, me spitalet që tashmë janë të pajisura dobët, me pajisje joadekuate dhe që tani janë në kolaps.