Kreshm?, kard. Pizzaballa: falja, m? e fort? se fjal?t e dhunshme t? urrejtjes
R.SH. - Vatikan
Zemra e Pashkëve është Kryqi: mbi të bazohet shpresa e Kishës dhe e botës. Shpresë që nuk zhgënjen, edhe pse historia njerëzore duket se sundohet nga luftërat, dhuna, egoizmi dhe keqkuptimet. Patriarku latin i Jeruzalemit, Kardinali Pierbattista Pizzaballa në Letrën e tij për Kreshmë e përsërit me forcë këtë shprehje, e cila u drejtohet jo vetëm besimtarëve të dioqezës së tij! Është e nevojshme ta kuptojë çdo besimtar në këtë kohë të errët dhe të pasigurt, sepse "fjalët e dhunshme të urrejtjes, të konfliktit dhe fjalimit arrogant, nuk mund ta pengojnë Zotin të shqiptojë në Krishtin fjalën e Pajtimit: “Ave Crux, spes unica!”- “Të falem, o Kryq, e vetmja shpresë!”.
Mundësi e re
Kreshmët përfaqësojnë mundësinë, gjithnjë të re, të një dhurate të përtërirë që, përmes shkretëtirës së jetuar përkrah Jezusit, çon në hir e në falje. “Kemi nevojë për këtë fjalë të re, për këtë fjalë të Kryqit, që mund të duket marrëzi për të fuqishmit dhe të mençurit e kësaj bote, edhe të sotmes, por që, pikërisht duke përmbysur kriteret e kësaj bote, është e vetmja që ka aftësinë t’i rihapë shtigjet e shpresës dhe të paqes” - shkruan Pizzaballa – që në vijim ndalet edhe në kuptimin e rrugës së Kryqit, “Udha e Kryqit" - përgjatë së cilës mësojmë, me vështirësi, por edhe me gëzim, logjikën e re të dhurimit të faljes, e cila ka nevojë për burra e gra, të rinj e të moshuar, familje e fëmijë të gatshëm ta ndjekin duke ripërtërirë mendësi e qëndrime. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpresojmë për një të ardhme me paqe”.
Paqja dhe pajtimi
E paqja vjen nëpërmjet pajtimit, që është sakrament, sepse Zoti na pajtoi me veten përmes Krishtit. Megjithatë, paralajmëron Kardinali, “fjala e pajtimit, për të qenë e suksesshme, duhet të shndërrohet në shërbesë, pra në shërbim, në angazhime të individëve dhe të bashkësive. Dhurata nuk është magjike, por kërkon të mirëpritet, të dëshmohet, të jetohet dhe të ndahet. Le të ndjehemi, pra, të gjithë të përfshirë dhe bashkëpërgjegjës, barinj dhe laikë, burra e gra, në përpjekjen për ta sjellë fjalën dhe për t’i shërbyer pajtimit në botë: "Në emër të Krishtit, ne veprojmë si ambasadorë, sikur vetë Zoti të bënte thirrjen e tij nëpërmjet nesh" (2 Kor 5,20).
Nën shenjën e të Ngjallurit
Të krishterët e pajtuar me Zotin duhet të ndiejnë thellë në zemrat e tyre nxitjen për t'u pajtuar me njëri-tjetrin e, më pas, me gjithë njerëzimin. Qëllime që mund të arrihen me lutje, të shoqëruar me agjërim, sepse “paqja, dhurata e Pashkëve të të Ngjallurit për ndjekësit e tij dhe për botën, rrjedh nga plagët e tij të lumnueshme, nga jeta e tij e dhuruar për dashuri, deri në fund të fundit. Të mos kemi, pra, frikë ta “paguajmë” me dhurimin e vetvetes ringjalljen e bashkësisë, të marrëdhënieve, të pajtuara e vëllazërore, në mes të një bote veshur në zi ndërmjet kaq vdekjeve dhe inateve.
Atë Patton: "Urrejtja ka sjellë vdekje dhe shkatërrim"
Në video-mesazhin e tij për Mbledhjen tradicionale të lëmoshëve në ndihmë të veprave dhe njerëzve të Tokës së Shenjtë, që do të kremtohet të Premten e Madhe të Pashkëve, tashmë në prag, Atë Francesco Patton, Rojtar i Tokës Shenjte, flet qartë për atë dhimbje që nuk pushon në këto vise, duke nënvizuar se “lufta, në disa fronte, jo vetëm ka sjellë vdekje dhe shkatërrim, por ka mbjellë edhe urrejtje të mëtejshme ndërmjet popujve fqinjë dhe vëllezër. Shumë familje mbetën pa punë dhe luftuan për t'i dërguar fëmijët e tyre në shkollë dhe për të paguar kujdesin mjekësor për të dashurit e tyre. Shumë çifteve të reja iu desh të shtyjnë ëndrrën e tyre për të krijuar familje dhe për të pasur fëmijë.
Thirrje për bujari
Një krizë, që nuk e ka kursyer as vetë Kujdestarinë deri në atë pikë, saqë është e detyruar të luftojë për të paguar rrogat e mësuesve dhe bashkëpunëtorëve vendas, ndihmës në shenjtore dhe në punë të ndryshme sociale, krahas përballimit të rritjes së kostos së jetesës për shkak të konfliktit. "Megjithatë" – shton Atë Patton, "në sajë të Provanisë hyjnore që u duk përmes solidaritetit të të krishterëve në mbarë botën, ne qemë në gjendje të përballojmë angazhime të shumta ekonomike: bamirëse dhe institucionale".
Më pas Rojtari Françeskan u bëri thirrje të gjithë njerëzve vullnetmirë: “Të Premten e Madhe të Pashkëve, kur në dioqezat dhe famullitë tuaja do të bëhet Mbledhja e ndihmave për Vendet e Shenjta, na kujtoni dhe jini bujarë. U bëjmë thirrje famullitarëve tuaj të mos harrojnë se, me mandat të Kishës universale, ne kujdesemi për shenjtëroren e Tokës së Shenjtë dhe të krishterëve, që jetojnë në rrethinat e shenjtëroreve të saj.