T? meditojm? me Ungjillin e fest?s s? Paraqitjes s? Krishtit n? tempull
R.SH. - Vatikan
Në këtë të dielë të Paraqitjes së Krishtit në tempull, Ungjilli sipas Lukës (2, 22-40) - që shpallet pas bekimit të qirinjve, në solemnitetin që populli shqiptar e njeh si festa e Zojës së Qirave - na paraqet Simeonin plak, i cili, i sigurt se do të realizohej premtimi i Hyjit, e njeh Jezu Krishtin dhe pranon se tashmë, mund ta ndahet në paqe nga kjo jetë. Edhe Ana, kjo profeteshë e moshuar, e njeh Jezusin si Mesinë. Simeoni i paralajmëron Marisë çka e pret, duke i treguar, siç shkruan Papa shenjt Gjon Pali II në "Redemptoris Mater", “…përmasën konkrete historike në të cilin Biri do të përmbushë misionin e tij, pra, në moskuptim dhe dhimbje". Të ndjekim pjesën e Ungjillit nga Luka:
Kur, sipas Ligjit të Moisiut, u mbushën ditët e pastrimit të tyre, Jozefi dhe Maria e çuan Jezusin në Jerusalem, për t’ia kushtuar Zotit, - sikurse shkruan në Ligjin e Zotit: ‘Çdo i parëlindur mashkull le t’i kushtohet Zotit’ – dhe për të dhënë flinë sikurse thuhet në Ligjin e Zotit ‘një parë turtuj ose dy zogj pëllumbash.’ Në Jerusalem aso here jetonte një njeri, që quhej Simon. Ishte njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm. Priste ngushëllimin e Izraelit e në të ishte Shpirti Shenjt. Shpirti Shenjt ia kishte zbuluar se s’do të vdiste pa e parë Mesinë e Zotit. I nxitur prej Shpirtit Shenjt erdhi në Tempull. Kur prindërit e sollën Jezusin foshnjë për të kryer rregulloren e ligjit mbi të, Simoni e mori para duarsh, falënderoi Hyjin e tha: “Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe, sikurse the ti vetë, sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve: Driten që bën të njohin Ty paganët, e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.” Prindërit e tij çuditeshin për sa thuhej për të. Atëherë Simoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij: “Shih! Hyji e caktoi këtë femijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë. Edhe ty vetë një shpatë do ta shporojë shpirtin, që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt.” Ishte aso here edhe Ana profeteshë, bija e Fanuelit, prej fisit të Aserit, shumë e vjetër. Pas vajzërisë së vet, jetoi në martesë gjithsej shtatë vjet, kurse si grua e vejë, arriti deri në tetëdhjetë e katër vjet. Ajo nuk e lëshonte Tempullin. I shërbente Hyjit ditë e natë me agjërim e me uratë. Shi në atë moment arriti edhe ajo dhe filloi të lëvdojë Hyjin dhe t’u tregojë për këtë foshnjë të gjithë atyre që prisnin shpërblimin e Jerusalemit. Pasi kryen gjithçka duhej bërë sipas Ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e vet, Nazaret. Fëmija rritej, forcohej e merrte fuqi përplot me urti; dhe hiri i Hyjit ishte në të.
Të lutemi së bashku
Për Marinë e Jozefin,
për nënën tënde e për atë, që ishte babai yt i kujtuar,
tradita nuk është thjesht, rit për t’u përmbushur.
Atë ditë, o Jezus, duke të paraqitur në tempull,
pranonin se nuk ishe
pronë e tyre, me të cilën mund të bënin ç’të donin,
por një dhuratë e Hyjit për ta mirëpritur, për ta rritur,
për ta përgatitur për jetën dhe për misionin që Hyji ia besonte.
E nëse kjo vlen për çdo krijesë
që vinte në dritë, aq më tepër vlente për ty, o Jezus.
Atë ditë, duke të çuar para Zotit,
ata deklaronin si Ti i përkisje pikërisht Atij
e se Atë dëshiroje ta doje e t’i shërbeje
e jo planeve të tyre, projekteve të tyre.
Gjithsesi, atë ditë, as që e mendonin
që Ti, ende kaq i vogël,
do të shiheshe si Mesia e shumëpritur,
drita e botës, lavdia e Izraelit.
U ktheve me ta në Nazaret,
i bindur si çdo fëmijë i mirë,
pas prindërve të vet,
por, do të vinte koha kur do të silleshe
si i Dërguari, si Biri i Hyjit,
ashtu si të konsideruan atë ditë
Simeoni dhe Ana në tempull