T? meditojm? Ungjillin e Diel?s s? 7-t? gjat? vitit 'C': duajini armiqt?
R.SH. - Vatikan
Ungjilli i së dielës VII të vitit kishtar 'C', marrë nga kreu 6 i Shën Lukës (27-38), na propozon të heqim dorë nga hakmarrja e nga dhuna. Në vend të tyre, Jezu Krishti u jep dishepujve urdhërimin e dashurisë, edhe për armiqtë. Na thotë se e keqja nuk mundet me të keqen e dhuna me dhunën. Fitojmë mbi to vetëm kur i lëmë të shkërmoqen e të avullojnë, duke u kundërvënë dashurinë, që vepron pa interes edhe mbi armikun. Të ndjekim pjesën ungjillore nga Luka:
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Po ju them juve që më dëgjoni: Duani armiqtë tuaj, bënu mirë atyre që ju urrejnë, bekoni ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë. Atij që të bie njërës faqe, ktheja edhe të tjetrën! Atij që ta rrëmben pallton, mos ia ndal as këmishën! Secilit që lyp prej teje, jepi; e atij që merr gjënë tënde, mos kërko ta kthejë! Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëjeni edhe ju atyre! Nëse i doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite të veçantë pritni? Sepse edhe mëkatarët i duan dashamirët e vet. Edhe nëse, pra, u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite të veçantë pritni? Aq bëjnë edhe mëkatarët. E në qoftë se u huajoni vetëm atyre, prej të cilëve shpresoni se do t’ju kthejnë, ç’shpërblim do të keni? Edhe mëkatarët u huajojnë mëkatarëve, por që t’u kthehet aq sa dhanë. Por ju duani armiqtë tuaj, bëni mirë e huajoni pa pritur se do t’ju kthejnë gjë. Kështu do të jetë i madh shpërblimi juaj dhe do të jeni bijtë e të Tejetlartit Zot, sepse ai ua do të mirën edhe mosmirënjohësve e të këqijve. Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm. Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni! Mos dënoni e nuk do të dënoheni! Falni e do të gjeni falje! Jepni e do t’ju jepet: masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t’ju jepet nën sjetull tuaj: sepse me atë masë që të matni, do t’ju matet edhe juve në kthim.”
Të lutemi së bashku
Kush është prekur
e është shëruar nga dashuria jote, o Jezus
bëhet i aftë për sjellje të reja,
për zgjedhje e vendime të papara,
që shumë njerëz i konsiderojnë të pamundura
e, gjithsesi, krejtësisht të paarsyeshme.
Zakonisht, mbrohemi nga armiqtë,
gati për t’iu përgjigjur dhëmb për dhëmb
së keqes, që ndokush derdh mbi ne,
madje, jemi gati ta paraprijmë,
të ushqyer, siç jemi, me dyshime e paragjykime.
Ndërsa Ti, o Jezus, na kërkon t’i duam
T’u bëjmë të mira, të lutemi për ta,
të jemi gati për t’i ndihmuar.
A s’është pak si tepër e gjithë kjo?
A s’na kërkon pak si shumë,
diçka që i kalon forcat tona të brishta?
Sigurisht, atyre, që nuk e kanë
provuar dashurinë Tënde,
kjo u duket pa kuptim…
Sigurisht, sipas një farë logjike,
këto janë sjellje të rrezikshme…
por secili prej nesh e di mirë
se Ti i pari na deshe me një dashuri pa anë e cak,
me një dhembshuri të pamenduar,
me një mëshirë pa fund…
Nëse na flet për një dashuri
që arrin deri tek armiqtë,
dashuri pa armë e çarmatosëse,
e bën, sepse Ti i pari na e dhe
pa u penduar asnjë çast