杏MAP导航

K?rko

Papa Fran?esku gjat? audienc?s s?p?rgjithshme t? 12 shkurtit 2025 Papa Fran?esku gjat? audienc?s s?p?rgjithshme t? 12 shkurtit 2025

Sh?n Valentini dhe udha e shenjt?ris?, q? projektohet drejt dashuris? s? v?rtet?

Me rastin e fest?s s? Pajtorit e Mbrojt?sit Qiellor t? t? dashuruarve, Shёn Valentinit, ipeshk?v e martir, po kujtojm? disa reflektime t? Pap?s Fran?esku kushtuar dashuris?, fejes?s e martes?s.

R. SH. - Vatikan

Më 14 shkurt kalendari i Kishёs katolike romake kujton Shën Valentinin, qytetar, ipeshkëv dhe martir i Ternit,Itali,  lindur rreth vitit 197 pas Krishtit, që ia kushtoi gjithë jetën veprave bamirëse. Ishte dashuronjës i trëndafilave, që ua dhuronte të fejuarve për t’u uruar martesë të lume.

Sipas gojëdhënës, para se të mbytej si martir i Jezu Krishti, Valentini bekoi martesën e një legjionari romak të kthyer në krishterim, me një vajzë të re, të krishterë. Për shkak të besimit në Krishtin, të cilën nuk pranoi ta mohojë, u burgos e, më pas, me urdhër të perandorit, iu pre koka në Romë, më 14 shkurt të vitit 273. Dëshmia që dha Valentini, tingëllon si himn për dashurinë besnike e durimtare të të gjitha kohëve.

Dashuri përgjithëjetë

“Udha e martesës, kah e cila drejtohesh, nuk frymëzohet ‘nga kultura e së përkohshmes’”. Është udhë, që të çon në zgjedhjen e përhershme. Për këtë udhë u foli Papa Françesku, më 14 shkurt 2014, 20 mijë të rinjve ardhur nga mbarë bota, duke i takuar në Sheshin e Shën Pjetrit ne Vatikan. Ishin çifte, që përgatiteshin për martesë. Papa Françesku iu përgjigj pyetjeve të disave prej tyre. E para, i kushtohej frikës së lidhjes martesore përgjithë jetën. Papa nënvizoi se shumë njerëz  kanë frikë të zgjedhin rrugë përfundimtare.

Dashuria - shtoi Ati i Shenjte Bergoglio - është realitet që rritet. Ndërtohet si shtëpia, jo vetëm, por së bashku. E si mund të mjekohet kjo frikë? - pati pyetur akoma Papa - Mjekohet ditë për ditë, duke ia besuar Zotit e duke jetuar një jetë, që bëhet udhë e përditshme shpirtërore, ku ecet me hapa të vegjël, që të bëjnë të fitosh pjekurinë e fesë.

Të jetosh bashkë është art

“Si duhet të jetë stili i jetës së përbashkët?”. Kjo, një pyetje tjetër, që iu drejtua Papës. “Të jetosh së bashku - gjegji Papa Françesku gjithnjë në takimin e vitit 2014 - është art, udhë durimtare, e bukur, mahnitëse, por edhe e lodhshme. Nuk mbaron me pushtimin e njëri-tjetrit. Madje pikërisht atë çast nis. Martesa - nënvizoi akoma Ati i Shenjtë Françesku - është “punë e përditshme, artizanale, punë argjendari, sepse burri e ka për detyrë ta bëjë të shoqen grua të vërtetë,  e po kështu edhe gruaja, ta bëjë burrin burrë!”.

Martesa, besë që lidh burrin me gruan 

Martesa - shpjegoi Papa Bergoglio gjatë audiencës së përgjithshme të 27 majit 2015 - është besë ndërmjet burrit e gruas, që nuk mund  të lidhet aty për aty. Ndaj nis me fejesën, e cila është gati si një mrekulli, që flet vetë për lirinë e zemrës. Duke u ruajtur nga kultura “përdor e flak”, sepse minon bazat e martesës si pakt që lidhet përgjithëjetë. E, duke iu drejtuar posaçërisht një numri të madh të rinjsh, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, 27 majit 2015, nënvizoi se fejesa lidhet ngushtë me besimin në njeri-tjetrin e me lirinë për të zgjedhur.

Fejesa: mësimi i parë i jetës së përbashkët

Fejesa- vijon të na kujtojë Papa Bergoglio - është kohë, a më mirë të themi, udhë, në të cilën burri e gruaja janë të thirrur të bëjnë një punë të mirë dashurie, punë në të cilën marrin pjesë të dy, duke ndarë ndjenja e mendime, që u paraprijnë drejt një hapi tjetër, të dytë. Është, prandaj, mësimi i parë i jetës së përbashkët, që nuk duhet nënvleftësuar:

Besëlidhja e dashurisë ndërmjet burrit e gruas, besë e dhënë për jetë, nuk lidhet shpejt e shpejt, prej një dite në tjetrën. Nuk ka martesë exspres: duhet punuar me dhe për dashurinë. Besëlidhja e dashurisë së burrit me gruan mësohet, lëmohet, përsoset. Është besëlidhje artizanale. Punë e hollë dore. Dy jetë, që bëhen një! Tingëllon si mrekulli, mrekulli e lirisë së zemrës, besuar fesë”.

Jo, kulturës konsumiste “përdor e flak”

Duhet, ndoshta, të angazhohemi më shumë në këtë pikë - shton Papa - sepse “koordinatat tona sentimentale duken paksa të ngatërruara”:

Ka nga ata, që pretendojnë të kenë gjithçka e menjëherë, për të hequr pastaj, dorë nga gjithçka e menjëherë, që në vështirësinë e parë (ose në rastin e parë). Nuk ka shpresë për besim (a lumturi), për besnikëri e, aq më pak, për dhurimin e vetvetes, nëse njeriu ka vesin ta përdorë dashurinë si një lloj ‘integratori’ për mirëqenien e tij psiko-fizike. Kjo nuk është dashuri!”.  

Të lexohet libri  “Të fejuarit”, kryevepër kushtuar fejesës

Papa Françesku e ka kujtuar disa herë se edhe vetë Zoti, kur flet për besën e lidhur me popullin e vet, e bën shpesh duke përdorur figurën e fejesës, siç e lexojmë në Librin e Ozesë profet. Prej këndej, Papa i fton posaçërisht të rinjtë, ta lexojnë romanin e famshëm të Manzonit, “Të fejuarit”, kryevepër kushtuar pikërisht fejesës dhe të fejuarve:

Është e nevojshme që të rinjtë ta njohin, ta lexojnë kryeveprën, ku tregohet historia e të fejuarve, të cilëve iu desh të pësonin shumë, të bënin një rrugë të gjatë, plot me pengesa e vëshirësi, derisa, më në fund, arritën ta kurorëzojnë dashurinë e tyre. Mos e lini mënjanë këtë kryevepër kushtuar fejesës, që letërsia italiane e krijoi pikërisht për ju. Shkoni përpara, lexojeni e do ta shikoni bukurinë e vuajtjes, por edhe, e sidomos, të besnikërisë të të fejuarve”.

I rëndësishëm, dallimi i fejesës nga martesa

Kisha - na kujton akoma Papa - i vë rëndësi dallimit ndërmjet fejesës e martesës dhe nënvizon se simbolet e forta të korpit mbajnë kyçet e shpirtit e se prandaj, nuk mund të trajtohen me lehtësi lidhjet e korpit, pa hapur ndonjë plagë që nuk shërohet lehtë në shpirt:

Sigurisht, kultura dhe shoqëria e sotme mbajnë qëndrim indiferent ndaj delikatesës dhe seriozitetit të këtij kalimi. E, nga ana tjetër, nuk mund të thuhet se janë bujare me të rinjtë, që  kanë qëllime serioze, që duan të formojnë familje të qëndrueshme e ta vulosin dashurinë e tyre  me lindjen e fëmijëve! Madje u krijojnë mijëra pengesa, mendore e praktike”.

 Fejesa hap horizontet e familjes

Papa i nxit të fejuarit t’i zbulojnë bashkë Biblën, lutjen, Sakramentet. E i fton bashkëshortët e ardhshëm ta jetojnë mirë kohën që i paraprin martesës. Koha e fejesës - kujton Papa - mund të bëhet vërtetë kohë e fillesës, për çfarë? Për befasim! Për befasimin e dhuratave shpirtërore, me të cilat Zoti, përmes Kishës, pasuron horizontin e familjes së re, që dëshiron të jetojë me bekimin e Tij.

Të dëshmohet dashuria familjare

“Familjet e botës qofshin gjithnjë më të joshura nga ideali ungjillor i Familjes Shenjte të Nazaretit e, me ndihmën e Virgjrës Mari, u bëfshin tharm i njerëzimit të ri dhe i solidaritetit konkret e universal”. Ky, urimi që Papa pati bërë për Vitin kushtuar Familjes, në Amoris laetitia, frymëzuar nga ideali i dashurisë bashkëshortore e familjar, e mishëruar nga Jezusi, Maria e Jozefi. 

Kështu, mund teë pohojmë se vetëm pranimi i dashurisë së pafundme të Zotit, besimi në Të, ndjekja e udhës që Hyji na tregon, i jep jetës kuptim të thellë dhe hap një të ardhme plot shpresë. Udha e dashurisë, që na përvijojnë Urdhërimet e Tënzot, e përsosur nga Jezu Krishti, është e vetmja që e bën jetën tonë e atë të bashkësive tona më të plotë, më të mirë e më të lumtur.

14 shkurt 2025, 14:04