Pime n? Japoni, p?rkrah t? krishter?ve p?r t’i ndihmuar t? integrohen
R.SH. / Vatikan
Sapo nis video-telefonata me median e Vatikanit, Atë Arnaldo Negri rrotullon kamerën e telefonit: "Ja oborri i strehës së famullisë sonë. Tashmë është mbuluar me dëborë, sepse Miyoshi, qytet i prefekturës së Hiroshimës, në Japoninë jugore, është vetëm pak gradë nën zero. Këto ditë ne ngrihemi në pesë e gjysmë të mëngjesit për të pastruar dëborën e për t’u krijuar fëmijëve mundësinë të hyjnë të sigurt në ndërtesë".
Të krishterët në Japoni
Në Japoni, famullitë kishtare u themeluan kryesisht në vitet 1950 të shekullit të kaluar dhe pothuajse të gjitha parashikonin një kopsht fëmijësh. "Sot, familjet i regjistrojnë atje fëmijët e tyre - vazhdon Atë Arnaldo – ndonëse nuk janë gati kurrë katolikë. Duhet ta pranojmë se jemi pakicë. Të krishterët janë 1.5 për qind e popullsisë dhe, nga 124 milionë banorë, katolikët janë pak më shumë se 400,000.
Numra të ultë jo vetëm për shkak të persekutimit shekullor kundër të krishterëve që, duke filluar nga viti 1587, deri në Restaurimin e Meiji në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, i penguan meshtarët të hynin në vend për t’i ndihmuar kakure krishtian, të krishterët e fshehur. Më pas, dy brezat e konsumizmit të shfrenuar, që nisën veprimtarinë pas Luftës II Botërore dhe arritën një nga kulmet në vitet 1990 me përparimin teknologjik dhe tregtinë ndërkombëtare, e çkristianizuan më tej Japoninë”.
Angazhimi i PIME përkrah emigrantëve
Pikërisht në atë periudhë, Atë Arnaldo Negri, i lindur më 1961, me origjinë nga Legnano, misionar i Institutit Papnor për Misionet e Huaja (PIME), mbërriti në Tokën e Sol Levante (e Lindjes së Diellit): “Ishte viti 1992 – kujton, duke folur për mediat e Vatikanit – kur studiova dy vjet gjuhën japoneze, ndërsa në janar shkova në Kobe, më pas në Hiroshimë, në Mihara, Fukuyama e rishtas në Mihara”.
Megjithëse i vogël, vendi ku punon Atë Arnaldo është shembullor për të kuptuar dinamikën sociale dhe kulturore të një vendi në dukje mikpritës, por që, shumë shpesh, "bën gjithçka për t'i penguar të huajt të shkelin në këto vise", kujton misionari, që sqaron: "Emigracioni klandestin është krim. Për të ardhur dhe për të punuar këtu duhet të kesh kontratë me ndonjë kompani, që bëhet garante. Mosha e emigrantëve japonezë është e vlefshme vetëm deri në brezin e tretë: nëse mund të dëshmoni se keni punuar dhe paguar taksat, mund edhe të aplikoni për një vizë të përhershme, përndryshe, kur të mbarojë viza dhe të mbeteni në vend në mënyrë të paligjshme, arrestoheni, merreni në pyetje dhe gjykoheni në qendrat e migrimit - si ajo në Naga.
Atë Arnaldo sqaron edhe se në Mihara ka filipinas dhe amerikano-jugorë, veçanërisht peruan dhe brazilianë: "Shumë janë të afërm të japonezëve që emigruan jashtë vendit, disa vijnë për turizëm dhe qëndrojnë ilegalisht, të tjerët janë "dhëndurë të birësuar". Mukoyōshi është burri i një vajze, që birësohet nga familja e saj japoneze dhe e merr mbiemrin e saj. Shpesh vijnë nga Amerika Latine.
Katekizëm i ndryshëm
Të jesh pranë këtyre njerëzve dhe të inkurajosh integrimin e tyre, në një shoqëri shpesh dyshuese: ky është misioni i Atë Arnaldo. "Nuk është aspak e lehtë! Famullia më e afërt është pesëdhjetë kilometra larg. Të huajt jetojnë larg, ndaj më duhet të udhëtoj për t'i vizituar. Një herë në javë udhëtoj pothuajse tetëdhjetë kilometra për të vizituar një nënë dhe djalin e saj i cili, i pagëzuar në Brazil, ka mbërritur në Japoni pa kurrfarë edukimi fetar. Të njëjtën gjë e bëj edhe me një fëmijë të lindur nga nëna filipine e babai japonez, që përgatitet për Kungimin e parë. E duhet të ketë parasysh dallimet kulturore dhe gjuhësore, sa që shpesh të çojnë në abuzime e varësi tejet të rënda në Japoni, ku është krim të shesësh dhe të marrësh drogë. Me që kam mësuar portugalishten, shkoj edhe në burg, si i dërguar i konsullatës braziliane, ose si përkthyes i policisë vendase, me që e di gjuhën.
E kjo, sepse qëllimi përfundimtar i Atë Arnaldos është pikërisht të krijojë marrëdhënie, në një shoqëri shumë shpesh e shpërqendruar nga masa e të përqendruar tek individi: "Shumë nëna japoneze më thonë se kanë fëmijë hikikomori, të mbyllur në dhomat e tyre pa asnjë perspektivë, të interesuar vetëm për të luajtur në kompjuter. Janë të dëshpëruar. Barra e konsumizmit në Japoni është tejet e rëndë. Tani duhet të shkoj për të fjetur, sepse nesër duhet të pastrojmë përsëri dëborën”.