Paraqitet p?rkthimi i ri letrar ekumenik i Bes?lidhjes s? Re
R.SH. – Vatikan
Fjala e Zotit është e gjallë dhe është jetë. Kjo u kuptua qartë në paraqitjen e djeshme, 25 shkurt, të përkthimit të ri letrar ekumenik të Besëlidhjes së Re, në Kishën valdeze në Piazza Cavour të Romës. Një ngjarje unike e Shoqërisë Biblike në Itali, ku morën pjesë përfaqësues të feve të ndryshme. Në këtë përkthim të ri ekumenik u përfshinë shumë forca – katolike, ortodokse dhe ungjillore - për një qëllim të vetëm: të bëhet teksti i Besëlidhjes së Re sa më i kuptueshëm për një numër gjithnjë e më të madh njerëzish. Veprimtaria e djeshme, e koordinuar nga profesor Daniele Garrone, president i Federatës së Kishave Ungjillore në Itali, u hap me një video-përshëndetje nga kardinali Matteo Zuppi, kreu i ipeshkvijve italianë, si edhe me leximin e një mesazhi nga kardinali Kurt Koch, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Bashkimin e të Krishterëve.
Bibla, llambë që ndriçon
Ish-kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kardinali Gualtiero Basetti, nënvizoi se Bibla, veçanërisht në një botë të ndarë si kjo e sotmja, arrin të jetë për të gjithë "një llambë, që ndriçon dhe një pasqyrë, në të cilën secili mund ta shikojë veten". Ai uroi që të përkthehet nga përfaqësuesit e tre emërtimeve të krishtera edhe Besëlidhja e Vjetër, pasi kjo do të ishte “një nga shenjat ekumenike më të bukura të këtij shekulli” të trazuar.
Më pas, vështrimi drejt botës së sotme: «Fatkeqësisht, ndërmjet të krishterëve nuk kanë munguar vështirësitë, sidomos, pas luftës në Ukrainë. E kjo e sotmja (pra, përkthimi ekumenik i Besëlidhjes së Re) është mrekulli: ndërsa në sipërfaqe fryjnë erërat e stuhisë, Shpirti Shenjt vepron në brendësi, punon nën prush, punon për bashkimin dhe – gati, pa e marrë vesh askush – nxorri në dritë një vepër të mrekullueshme për ekumenizmin, për unitetin e të krishterëve, për lutjen, që tani mund të bëhet me të njëjtat fjalë".
Rëndësia e punës kërkimore
Qëndrim të ngjashëm mbajtën edhe përfaqësuesit ortodoksë dhe ungjillorë. Përkthimi, u vu në dukje gjatë paraqitjes, është punë pa fund e kjo vlen edhe më shumë për Biblën. Gjuha zhvillohet, thellohen njohuritë mbi tekstet e lashta, Fjala e Zotit kuptohet gjithnjë e më mirë. Prandaj, përkthimi aktual nuk i zëvendëson aspak përkthimet e tjera, në përdorim në Kishat e ndryshme, por përkundrazi vihet krah tyre. Fjalët e tekstit lindën falë kriterit të "ekuivalencave formale”, pra, dolën nga respektimi i tekstit origjinal grek, sipas botimit “Novum Testamentum Graece”, nga i cili u vlerësuan disa variante.
Kujtojmë se një variant ekumenik i Biblës është botuar edhe në shqip, gjithnjë nën kujdesin e Shoqërisë Biblike, e cila vepron edhe në Shqipëri.