Myanmar, goditet Katedralja n? Minda, por jo guximi i katolik?ve
R.SH. – Vatikan
Dikush mund të godasë ndërtimin e një Kishe, por jo fenë e të pagëzuarve në Zotin, gjë që mbetet e palëkundur. Besimtarët e dioqezës së sapoformuar të Mindatit, në shtetin Chin, në Mianmarin perëndimor, e gjetën Kishën e zgjedhur si Katedrale të dëmtuar rëndë nga bombardimet ajrore nga ushtria e rregullt birmaneze. Në kaudrin e konfliktit civil që prek kombin, përleshjet mes ushtrisë dhe forcave opozitare vazhdojnë në disa zona, si zonat drejt kufijve. Siç njofton agjencia e lajmeve Fides, sulmet ajrore goditën Kishën katolike të Zemrës së Krishtit në dioqezën e Mindatit më 6 shkurt, e cila qe ngritur nga Papa Françesku më 25 janar duke e shhkëputur territorin nga dioqeza e Hakhas.
Dëmtimi i strukturës së Kishës
Zona Mindat, në Chin jugor, e cila është një shtet me shumicë të krishterë, qe prekur muajt e fundit nga përleshjet midis ushtrisë birmaneze (Tatmadaw) dhe Chinland Defence Force, milici të krijuara në kundërshtim me juntën ushtarake. Pas muajsh luftimesh, milicët vendas morën kontrollin e territorit dhe në janar lëshuan një njoftim zyrtar duke e shpallur rajonin si “zonë të liruar” pra nën kontrollin e plotë të forcave opozitare. Në shtete të ndryshme të Birmanisë dhe veçanërisht në zonat kufitare, këto forca kanë bashkuar forcat me milicitë etnike, ushtri para-ekzistuese që tashmë kërkonin autonomi dhe kanë luftuar kundër qeverisë qendrore për dekada.
Katedralja e re u godit nga bombardimet ajrore dhe disa bomba dëmtuan çatinë dhe dritaret e saj, duke e bërë atë të papërdorshme. Nuk ka të lënduar sepse meshtarët dhe besimtarët e kishin braktisur tashmë atë zonë, për shkak të luftimeve të vazhdueshme, por ditët e fundit meshtarët dhe besimtarët po organizonin kremtime liturgjike për shugurimin e ipeshkvit të ri të emëruar nga Papa, Don Augustine Thang Zawm Hung, deri tani famullitar i në Kishës së Zemrës së Krishtit në Mindat.
Besimtarët: nuk jemi të dekurajuar
Episodi shkaktoi hidhërim, por jo dorëzim: besimtarët vendas — dioqeza e re lindi me 15.000 katolikë, — nuk dekurajohen dhe, megjithëse sprovohet nga pasiguria dhe zhvendosja, do të punojnë për riparimin e çatisë së Kishës, pastrimin e saj nga rrënojat, restaurimin e pjesëve të dëmtuara. Edhe në vuajtje, feja e njerëzve nuk lëkundet: «Ne jemi të trishtuar sepse Kisha jonë është goditur, por nuk do ta lëmë veten të rrëzohemi, do ta rindërtojmë dhe jemi të sigurt se Zoti do të na vërshojë me bekimet e tij, duke na dhënë paqe dhe prosperitet», deklaroi At Paulinus, meshtar nga Mindat.