Krer?t e krishter?, G20-?s: Jubileu t? frym?zoj? shlyerjen e borxhit p?r vendet e varfra
R.SH. – Vatikan
“Tradita jubilare kërkon që borxhet të falen, toka të kthehet dhe skllevërit të lirohen. Kjo praktikë biblike mishëronte drejtësinë, mëshirën dhe pajtimin, duke ofruar një besëlidhje të re me Hyjin dhe harmoni brenda bashkësisë”. Frymëzohet nga Jubileu 2025, letra që 124 përfaqësues fetarë të krishterë nga të gjitha kontinentet u dërguan ministrave të financave të G20-s. Takimi u mbajt më 26 dhe 27 shkurt në Cape Town të Afrikës së Jugut, ku u mblodhën guvernatorët e bankave qendrore. Liderët kishtarë u kërkuan të impenjohen për t'i dhënë fund krizës së borxhit, që po i paralizon përpjekjet për t’i bërë ballë varfërisë dhe pasojave të ndryshimeve klimatike.
Të ulen këstet për pagesën e borxhit
Pasi kujtojnë se 3,3 miliardë njerëz, pothuajse gjysma e popullsisë së botës, "sot jetojnë në vende, që shpenzojnë më shumë për pagesën e borxhit sesa për shëndetësinë, arsimin, ose për masat, që u bëjnë ballë ndryshimeve klimatike", nënshkruesit e thirrjes kërkojnë reduktimin e kësteve të borxhit në një nivel të pranueshëm, si edhe miratimin "e një ligji, që u lejon kreditorëve privatë të marrin pjesë në negociatat financiare për anulimin e borxhit", duke pezulluar pagesat gjatë bisedimeve. Liderët e krishterë kërkuan edhe reformimin e “institucioneve financiare ndërkombëtare, duke u siguruar që vendet në borxh të përfaqësohen si duhet në to dhe që vlerësimet për qëndrueshmërinë e borxhit dhe për kushtet politike vendore të kenë në qendër të drejtat e njeriut dhe të ambientit". Gjithashtu, propozohet hartimi i një Konvente të Kombeve të Bashkuara për t’u marrë vesh mbi standardet për shlyerjen, ose rregullimin e pagesave të borxhit, për huadhënien dhe huamarrjen e përgjegjshme dhe për krijimin e një regjistri publik të borxhit global, "në mënyrë që të konsiderohen përgjegjës njëlloj si kreditorët, ashtu edhe qeveritë debitore".
Nevojitet një sistem financiar më i drejtë
Në zanafillë të letrës, vetëdija se kuadri i përbashkët i G20-ës "nuk po prodhon marrëveshjet e duhura nga të cilat varen miliona jetë e mjete jetese". Ristrukturimi i borxhit "kërkon një kohë tri herë më të madhe se proceset e mëparshme, ndërsa kreditorët privatë mund t’i vonojnë negociatat dhe të kërkojnë pagesa më të larta se sa mund të përballojnë vendet debitore". Një kuadër “i pafrytshëm dhe i pabarabartë”, që i ka çuar qytetarët e kombeve më nevojtare të vuajnë nga uria, nga mungesa e shërbimeve themelore, nga shkatërrimi i infrastrukturës dhe nga pasojat e krizës klimatike. Përgjigja mund të jetë vetëm "një sistem borxhi global i drejtë dhe funksional", pjesë e një sistemi financiar më të barabartë për të gjithë.
Nënshkruesit e thirrjes
Ndër nënshkruesit e thirrjes, janë kryeipeshkvi i Johanesburgut, kardinali Stephen Brislin; kryeipeshkvi i Santiago del Estero, kardinali Vicente Bokalic Iglic; kryeipeshkvi i Porto Alegre-s, kardinali Jaime Spengler, kryetar i Këshillit Ipeshkvnor Latinoamerikan; kryeipeshkvi i Meksikos, kardinali Carlos Aguiar Retes; kryeipeshkvi i Tokios, Tarcisio Isao Kikuchi, kryetar i Karitasit Ndërkombëtar; kryeipeshkvi i Gorizia-s, imzot Carlo Roberto Maria Redaelli, kryetar i Karitasit Italian, si edhe përfaqësues të tjerë nga organizata, shoqata e kongregata rregulltarësh.