Kard. Pizzaballa: p?r t'i dh?n? fund konfliktit n? Tok?n Shenjte duhen udh?heq?s t? rinj
R.SH. – Vatikan
"Kemi nevojë për një vizion dhe një udhëheqje të re. Sot për sot, nuk mendoj se i kemi kushtet për të filluar diskutime serioze dhe konstruktive për të ardhmen. Natyrisht, diçka duhet bërë në kohë afatshkurtra, por duhet të punojmë edhe për kohë afatgjata, sepse nuk besoj se fundi i konfliktit do të vijë kaq shpejt". Kështu shprehet kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku Latin i Jerusalemit, në një intervistë për agjencinë katolike të lajmeve SIR, në të cilën ai prek çështjet e konfliktit në Tokën Shenjte.
"Pastaj, duhet të sqarojmë se ç’duam të bëjmë, ku duam të arrijmë dhe çfarë mund të bëjmë në të vërtetë. Këto janë diskutime, që nuk mund të realizohen pa bashkëbisedues të rinj", shton ai.
"Mendoj se ka pak për të diskutuar mbi nevojën e udhëheqësve të rinj", vëren kardinali. "Nuk besoj se Abu Mazen dhe Netanyahu do të jenë njerëzit, që mund të kenë një vizion, që sheh drejt së ardhmes. Politika, pastaj, bazohet edhe në një vizion fetar. Kolonët, të ashtuquajturit “settler”, kanë një narrativë të qartë fetare. Ne kemi nevojë për një lidership fetar të aftë të krijojë një narrativë fetare për Tokën Shenjte, me baza, serioze, me themele në Shkrimin Shenjt, të ndryshme nga ajo e kolonëve. Kjo, për të na lejuar që të kemi diçka të ndryshme dhe të rëndësishme për të thënë në nivelin kulturor dhe ndërfetar”.
Sipas Patriarkut Pizzaballa, "të shpresosh në Tokën Shenjte do të thotë edhe ta mbash të hapur udhën drejt së ardhmes, të jesh i vetëdijshëm për tjetrin ashtu siç është dhe jo siç do të doje të ishte. Si Kishë e kemi 'jetuar' luftën jashtë dhe brenda, ka mënyra të ndryshme për ta parë konfliktin". "Në këtë luftë të fundit, të krishterëi ishin si në ushtri, ashtu edhe në popullsinë e Gazës - shpjegon ai. - Nuk ishte e lehtë të merreshim vesh në këtë shumëllojshmëri opinionesh. Përdorëm një gjuhë të qartë, të ndershme dhe të sinqertë, që të mos e mbyllte dialogun e marrëdhëniet".
Përsa i përket famullisë latine të Familjes Shenjte, "me armëpushimin, situata në Gazë ka ndryshuar. Të krishterët mund të marrin frymë disi, bombat nuk bien më. Refugjatët brenda famullisë kanë dalë ditët e fundit për të parë se ç’ka mbetur nga shtëpitë e tyre. Pothuajse të gjithë i gjetën të rrafshuara me tokën, ata më fatlumët, të shkatërruara pjesërisht, pa ujë, pa dritë, me banjo të papërdorshme. Kështu, u kthyen në famulli, ku kanë të paktën një çati, ushqim dhe shkollë”. E "tani është koha e pyetjeve për të ardhmen e tyre dhe për atë të Rripit të Gazës. Në muajt e ardhshëm do të kuptohet më mirë ç’duhet bërë. Nuk varet vetëm nga ne. Edhe nëse do t’i kishim mjetet për të rindërtuar, duhet kuptuar çfarë mund të rindërtohet dhe ku. Rindërtimi i një shtëpie kur nuk ka asgjë rreth saj nuk duhet gjë. Presim të marrim vesh nëse ka ndonjë plan, nëse do të hapen kufijtë e me çfarë kushtesh. Kjo është faza më e vështirë, të kuptojmë si duhet rifilluar".
Së fundi, përsa i përket dialogut me hebrenjtë, kardinali Pizzaballa vë në dukje faktin “se që nga 7 tetori nuk ka pasur takime. 7 tetori ndryshoi shumë gjëra, duhet të rilidhim marrëdhëniet dhe të përpiqemi të kuptojmë së bashku mbi çfarë duhen bazuar ato. Deri tani, kemi pasur një dialog – si të thuash – elite, bërë nga studiues dhe ekspertë. Tani duhet të takohen famullitarët, rabinët, hoxhallarët, bashkësitë”.