Fjala e Zotit e diel?s s? 7-t? gjat? vitit kishtar “C”
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të dielës së 7-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë 'C', sipas kalendarit liturgjik.
Fjala e Zotit e dielës së 7-të gjatë vitit kishtar “C”
Fjala e Zotit e kësaj së diele na sjell në zemrën e Ungjillit, te thelbi i Urdhrit themelor, atij më të rëndësishmit që Jezu Krishti na porosit: dashuria e pakufishme ndaj Zotit dhe ndaj të gjithë njerëzve, madje edhe ndaj armiqve. Kush e pranon Zotin në jetën e vet, nis të jetojë një jetë të re: këtë pohojnë leximet biblike, duke na porositur të mos i përgjigjemi urrejtjes me urrejtje, edhe atëherë kur vuajmë nga padrejtësitë, të cilat, për fat të keq, nuk mungojnë kurrë në jetën tokësore. Pra, duhet të jetojmë dhe të veprojmë me një stil të ri, të frymëzuar nga dashuria e vërtetë, që na mëson e tregon Jezu Krishti.
Kur vuajmë për shkak të së keqes, të persekutimit, të padrejtësisë, Jezusi na fton ta lëmë mënjanë hakmarrjen dhe urrejtjen e të lutemi për persekutorët tanë. Kështu, Jezusi vijon të na flasë, të na porosisë, të na bëjë thirrjen, që përshkon shekujt, deri në mbarim të jetës: “Duajini armiqtë tuaj! Lutuni për ata, që ju mundojnë!”. T’i lëmë në dorë të Zotit të gjithë armiqtë e armiqësitë, sepse vetëm kështu mund të fitojmë lirinë dhe paqen e vërtetë shpirtërore.
Dashuria për armiqtë revolucioni që ka sjell Jezusi, siç na kujton Luka në fragmentin e Ungjillit të kësaj së diele (6, 27-38). Jezusi flet për ‘armët’ e të krishterëve. E të krishterët duke luftuar kundër të këqijave të shoqërisë me armët e mirësisë e të drejtësisë, mund t’ia dalin mbanesh t’ia ndryshojnë faqen botës pa zhurmë, pa strategji të posaçme politike e ekonomike, por vetëm me besimin e patundur në mëshirën e pushtetshme të Hyjit.
Ta duash armikun! T’ia kthesh edhe faqen tjetër, pasi të ka rënë shuplakë në njërën faqe! Kjo është e reja që sjell revolucioni i krishterë. Një e re që shumëkujt mund t’i duket tepër e çuditshme, në mos po e papranueshme. Kjo e re shpesh interpretohet si shprehje e butësisë, e një pacifizmi të ligshtë. Po ky shpjegim nuk ka të bëjë fare me kuptimin e vërtetë të së resë ungjillore, e cila nuk e fton njeriun të dorëzohet para së keqes, por t’i përgjigjet së keqes me të mirën.
Ungjilli i kësaj së diele ndalet pikërisht tek njëri nga pohimet më themelore të Jezusit: “Duajini armiqtë tuaj! Po pse Jezusi i kërkon njeriut një dashuri, që i tejkalon caqet e fuqive të tij?Në të vërtetë, propozimi i Jezusit është realist, duke pasur parasysh se në botë ka shumë dhunë, shumë padrejtësi e se kjo situatë nuk mund të kapërcehet, në se nuk i kundërvëmë pak më tepër dashuri, pak më shumë mirësi. Në Jezusin kemi të vetmen forcë që mund ta kthejë botën e së keqes në rrugën e së mirës, duke nisur nga bota e vogël e vendimtare, që është zemra e njeriut.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë 1 Sam 26, 2.7-9.12-13.22-23
Lexim prej Librit të parë të Samuelit
Në ato ditë, Sauli u çua dhe zbriti në shkretëtirën Zif dhe me të tre mijë veta, burra të zgjedhur të Izraelit, për ta gjurmuar Davidin në shkretëtirën Zif. Erdhën, pra, Davidi e Abisai natën tek ushtria dhe e gjetën Saulin duke fjetur në gjumë brenda rrethit. Heshtën e kishte të ngulur në tokë te kryet e vet, kurse Abneri e populli tjetër po flinin përreth tij.
Atëherë Abisai i tha Davidit: “Hyji sot ta ka lëshuar në duar të tua armikun tënd: tani po e përshkoj me heshtë e po e mbërthej për tokë me një të rënë të vetme, të sjell një herë tjetër s’do të kem nevojë.” Por Davidi iu përgjigj: “Ruaj se e vret! Cili shtriu dorën e vet mbi të shuguruarin e Zotit e do të jetë i pafajshëm?” Kështu, pra, i mori Davidi heshtën dhe brokën e ujit, që ishte te kryet e Saulit, dhe u larguan. Askush nuk i pa, askush s’diti gjë, askush nuk u zgjua. Të gjithë flinin: një gjumë i rëndë i dërguar prej Zotit i kishte pushtuar të gjithë.
Kur kaloi Davidi në anën e kundërt, u ndal në maje të malit, mjaft larg, në një largësi mjaft të madhe. Atëherë Davidi e thirri mbretin dhe tha: “Ja ku është heshta e mbretit! Le të vijë një djalosh e le ta marrë. Zoti shpërbleftë gjithkënd sipas drejtësisë së vet e besnikërisë. Zoti sot të lëshoi në duar të mia, por unë s’desha të çoja dorën time mbi të shuguruarin e Zotit”. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.
Psalmi 103
Zoti është i mirë dhe i madh në dashuri
Bekoje, shpirti im, Zotin,
dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.
Bekoje, shpirti im, Zotin,
e mos i harro bamirësitë e tija.
Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,
Ai i shëron sëmundjet e tua;
Ai ta shpëton jetën prej varrit,
Ai të kurorëzon me mirësi e dashuri.
Zoti është i mirë e i mëshirshëm,
i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.
Nuk zemërohet gjithherë,
as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës.
Sa është lindja larg perëndimit,
aq larg i tret prej nesh fajet tona.
Sikurse baba ka dhembje për fëmijët e vet,
ashtu Zoti ka dhembje për ata që e druajnë.
Leximi dytë 1 Kor 15, 45-49
Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, kështu është edhe shkruar: ‘Njeriu i parë, Adami, u bë shpirt i gjallë; Adami i fundit, Shpirti që jep jetën. Por nuk qe më parë qenie shpirtëror, por qenie lëndor, e atëherë u bë qenie shpirtëror. Njeriu i parë është nga toka, tokësor; njeriu i dytë nga qielli. Si është njeriu tokësor, të tillë janë edhe tokësorët; si është njeriu qiellor, të tillë janë edhe qiellorët. Sikurse kemi qenë në përngjasimin e njeriut tokësor, ashtu do të jemi edhe në përngjasimin e njeriut qiellor. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.
Aleluja. Aleluja.
Po ju jap një urdhër të ri, thotë Zoti:
duani njëri-tjetrin sikurse unë ju desha juve.
Aleluja.
Ungjilli Lk 6, 27-38
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Po ju them juve që më dëgjoni: Duani armiqtë tuaj, bënu mirë atyre që ju urrejnë, bekoni ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë. Atij që të bie njërës faqe, ktheja edhe të tjetrën! Atij që ta rrëmben pallton, mos ia ndal as këmishën! Secilit që lyp prej teje, jepi; e atij që merr gjënë tënde, mos kërko ta kthejë! Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëjeni edhe ju atyre! Nëse i doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite të veçantë pritni? Sepse edhe mëkatarët i duan dashamirët e vet. Edhe nëse, pra, u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite të veçantë pritni? Aq bëjnë edhe mëkatarët. E në qoftë se u huajoni vetëm atyre, prej të cilëve shpresoni se do t’ju kthejnë, ç’shpërblim do të keni? Edhe mëkatarët u huajojnë mëkatarëve, por që t’u kthehet aq sa dhanë. Por ju duani armiqtë tuaj, bëni mirë e huajoni pa pritur se do t’ju kthejnë gjë. Kështu do të jetë i madh shpërblimi juaj dhe do të jeni bijtë e të Tejetlartit Zot, sepse ai ua do të mirën edhe mosmirënjohësve e të këqijve. Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm. Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni! Mos dënoni e nuk do të dënoheni! Falni e do të gjeni falje! Jepni e do t’ju jepet: masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t’ju jepet nën sjetull tuaj: sepse me atë masë që të matni, do t’ju matet edhe juve në kthim”. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.
Homelia nga dom Dritan Ndoci:
E DIELA VII GJATË VITIT: DUAJINI ARMIQTË TUAJ..., LUTUNI PËR ATA QË DIJEKEQAS JU MUNDOJNË!
(1 Sam 26, 2.7-9. 12-13. 22-23; Ps 103 (102); 1 Kor 15, 45-49; Lk 6, 27-38)
«Mënyra e vetme për ta shtypur djallin, kur ai na nxit ndjenja urretjeje për ata që na bëjnë keq, është që të lutemi menjëherë për ta. Ja se si arrihet të mposhtet e keqja me të mirën dhe se çfarë do të thotë të jemi të shenjtë.», mësonte në predikimet e veta Shën Gjon Maria Vianei, shenjti francez që, në shekullin XIX, e pati mbushur Francën me shenjtërinë e tij. Shumë kush ngutet kur thotë se ky meshtar kishte një padituri të theksuar e se Zoti thjesht bënte gjëra të mëdha për të. E vërteta është se ai kishte vështirësi vetëm në studime, sepse i kishte filluar ato në moshë shumë të madhe, por kishte një inteligjencë të theksuar praktike dhe, sidomos, kishte të theksuar inteligjencën që jep feja. Patjetër që Zoti bënte për të edhe punë të mëdha, por edhe Shën Gjoni ndërkaq bënte punë jo të vogla për Zotin, sepse angazhohej me mish e me shpirt që të ishte i krishterë deri në fund. Formulonte fjalë si ajo që cituam për dashurinë ndaj armiqve, ngaqë ai vetë angazhohej në të gjitha mënyrat që ta zbatonte urdhërimin e Jezusit që thotë: «Ju them juve që më dëgjoni: Duajini armiqtë tuaj, bëniu mirë atyre që ju urrejnë, bekoni ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë!».
Por duhet thënë menjëherë se janë themelore fjalët e para të kësaj fjalie të Jezusit «Ju them juve që më dëgjoni», sepse shenjtër bëhemi vetëm nëse nuk reshtim së qeni në dëgjim të Jezusit e jo thesht duke u sforcuar në praktika kushedi se çfarë. Shenjtër mund të krijojë vetëm Jezusi, brenda prehrit të Nënës Kishë, sepse, ndër të gjithë ata që janë mbajtur si lidër fetarë, vetëm Jezusi u ka mësuar njerëzve dashurinë deri edhe për armiqtë e tyre. Prandaj Shenjtja Terezë e Lizjesë thoshte plot bindje: «Unë nuk jam e aftë për virtyte. Virtyti im është Jezusi.». E dinte se, vetëm duke qëndruar e kapur pas Jezusit, do t’ia dilte t’i praktikonte të gjitha virtytet, edhe ato më të vështirat. Prandaj Shën Gjoni që e cituam më sipër ftonte që të lutemi, nëse duam t’i falim armiqtë dhe nëse duam ta shtypim djallin i cili na nxit në urrejtje, sepse në lutje takojmë Jezusin. E është Jezusi Ai që pastaj arrin t’i ndreqë gjërat brenda nesh. Megjithatë, vërtetësinë e kësaj këshille të bukur të Shën Gjonit do ta kuptojmë vetëm kur të fillojmë ta zbatojmë atë.
Të vazhdosh me leximin e rreshtave të tjerë të Ungjillit të sotëm, është si të hapësh papritmas një thes me perla të çmuara dhe ta shprazësh atë para vetes, sepse janë të gjitha fjalë tepër të thella, të larta, prekëse, të vështira, por, mbi të gjitha, shumë të vërteta. Të vërteta ngaqë vetëm një dashuri “e çmendur” dhe ekstreme si ajo që ka zbatuar e ka mësuar Jezusi, mund ta shpëtojë njeriun nga çmenduria e të këqijave ektreme, të cilat ai është i aftë t’i bëjë në jetë. Ky është shpëtimi i vëretetë që Jezusi ka ardhur të realizojë në botë.
«Atij që të bie njërës faqe, ktheja edhe tjetrën.»: Nuk mund t’i analizojmë këtu të gjitha fjalët e Jezusit në këtë pjesë tejet të rëndësishme ungjillore, sepse nuk do të mjaftonte as një libër, por mund të themi vetëm se Jezusi i fton «ata që e dëgjojnë» që ta teprojnë në dashuri, tepri e cila është i vetmi ilaç kundër teprisë së të keqes. Pastaj, rregulla e artë e Jezusit «Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëniu edhe ju atyre.» jo vetëm që e thotë pozitivisht atë që hebraizmi dhe besimet pagane e thonin negativisht («Mos i bëj të tjerëve atë që nuk dëshiron që të tjerët ta bëjnë ty.»), por është edhe një këshillë shumë e mençur, sepse, në vend që ta mësojë njeriun të mendojë për gjërat që nuk duhet të bëjë, e mëson atë për gjërat që duhet dhe mundet të bëjë. Ndryshe është të veprosh sikur të kesh një roje mbi kokë e ndryshe është të veprosh kur ke një cak për të arritur.
E, në lidhje me cakun që duhet të kemi parasysh, Jezusi vazhdon: «Duani armiqtë tuaj, bëni mirë e huajoniu, pa pritur se do t’ju kthejnë gjë. Kështu do të jetë i madh shpërblimi juaj dhe do të jeni bijtë e të Tejetlartit Zot, sepse ai ua do të mirën edhe të paevarishëmve e të këqijve.». Këtu Jezusi jep argumentin teologjik përse njeriu duhet të duajë edhe armikun e vet: e bën për t’i përngjarë Hyjit të vet, i cili është i mirë me të gjithë, edhe me të këqinjtë. Ndoshta do të donim arsyetime më elegante, por nuk janë të nevojshme, sepse, kur vjen puna që ta duam armikun, nuk na shërbejnë asgjë arsyetimet elegante e fjalët e mëdha. Ajo që në ato çaste na duhet, është vetëm e vetëm dashuria reale për Hyjin dhe shkëputja në shpirt nga e keqja. Në leximin e parë, Davidi nuk e vrau Saulin për arsyen e vetme se Sauli ishte «i shuguruari i Zotit» e jo se ndiente ndonjë dashuri të madhe ndaj atij njeriu që po e ndiqte ngado për ta vrarë. Pra ishte lidhja e Davidit me Zotin ajo që e detyronte dhe e motivonte në shpirt që të mos e lëndonte armikun e tij, Saulin. Edhe Jezusi na fton që të jetë lidhja jonë reale me Zotin ajo që na nxit ta duam edhe armikun, sepse armiku mund ta ketë humbur në sytë tanë çdo lloj merite dhe dashurie. Edhe armiku im është si unë, i krijuar në përngjasim të Hyjit.
Shpesh mund të tundohemi që ta përbuzim këtë porosi ekstreme të Jezusit ngaqë kujtojmë se dashuria për armikun nënkupton që të ndjesh edhe simpati ndaj tij, të kesh emocione pozitive dhe të ndihesh mirë nga prania e tij. Por nuk është ashtu, sepse e dimë shumë mirë se dashuria nuk është çështje vetëm emocionale. Jezusi nuk na kërkon të ndjejmë karshi armiqve emocione pozitive, por na kërkon që të mos shtyhemi në plane dashakeqe ndaj tyre dhe reagime poaq dashakeqe. Pra, na kërkon që të mos vëmë në rend të parë emocionet, por Hyjin, Atin e mëshirshëm: «Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm!». Jezusi na fton që të kuptojmë forcën e mëshirës, forcë e cila e përfshin krejt personin tonë (vullnet, ndjenjë e intelekt) për të kryer një veprim të caktuar, veprim i cili shpesh mund të jetë edhe i dhimbshëm. «Duaj deri në dhembje e, nëse të dhemb, pikërisht për këtë do të jetë më mirë!», shkruante Nënë Tereza.
A e dëshirojmë të gjithë një botë plot dashuri? Atëherë përse të çuditemi kur Jezusi na mëson rrugën drejt dashurisë, rrugë e cila kalon detyrimisht përmes mëshirës së tejskajshme, sikurse kaloi dashuria dhe mëshira e Tij ndaj nesh? «Nëse i doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite të veçantë pritni?» thotë Jezusi, duke na nxitur me një arsyetim fare të thjeshtë. Të gjithë duam të shkojmë tek Zoti në Parajsë, por nuk duam të veprojmë si Zoti në këtë botë. Të gjithëve na pëlqen të takojmë ndonjë shenjt në jetë, por harrojmë se me mijëra herë e kemi mundësinë të jemi edhe ne të tillë. Të gjithë duam një botë më të mirë, por refuzojmë t’ia fillojmë ne të parët. Me të drejtë ankohej shkrimtari i njohur rus, Lev Tolstoi: «Të gjithë kanë dëshirë ta ndryshojnë botën, por askush nuk mendon të ndryshojë vetveten.». Gandi i famshëm thoshte: «Ji ti ndryshimi që pret të shohësh në botë!». «Shenjtëroni vetveten dhe do të shenjtëroni shoqërinë!», mësonte Shën Françesku i Asizit.
Por meriton të veçohet këtu ajo porosia interesante që jep Jezusi kur thotë: «Lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë!». Shën Gjon Maria Vianei porosiste që të lutemi për armiqtë, sepse me të drejtë ai besonte se kjo ishte shumë e dobishme për t’u shenjtëruar ne.
Thënë këtë, besoj se gjërat janë edhe më të thella se kaq.
Njëra prej mistikeve të kohëve tona, austriakja Maria Sima, e cila pohon se ka kontakte me shpirtrat e Purgatorit që herëpashere i shfaqen asaj dhe i kërkojnë lutje e pendesa për shëlbimin e tyre, tregonte se një herë e kishte vizituar një shpirt i cili i thoshte se gjendej në Purgator qysh prej 1500 vitesh. Maria Sima e kishte pyetur: «Po çfarë paske bërë aq të keqe që je aq gjatë në Purgator?» E ai i ishte përgjigjur: «Kam qenë njëri prej atyre që kanë martirizuar Shenjten Ursula me shoqe.» «Po si ndodhi që nuk përfundove në Ferr, për shkak të një mëkati të tillë?», e kishte pyetur Maria, e çuditur. E ai i ishte përgjigjur: «Sepse në çastet e martirizimit të saj, Shenjtja Ursulë i ishte lutur Zotit për ne që të na falej ai mëkat.»
Kisha, me të drejtë, nuk ngutet që ta pranojë apo jo vërtetësinë e fjalëve të kësaj gruaje, por pa asnjë frikë mund të themi se lutja për armikun jo vetëm që na shenjtëron ne, por shenjtëron edhe armikun tonë. Lutja e viktimës merret shumë para sysh nga Zoti në lidhje me shëlbimin e amshuar të armikut. Këtu tani e kuptojmë peshën e madhe që kishin fjalët e Jezusit në kryq «Fali, o Atë, se nuk dinë çfarë bëjnë» si edhe peshën e faljes që kanë shprehur shumë martirë ndaj atyre që po i vrisnin.
Çështja qenka, atëherë, nëse ne e duam apo jo shpëtimin e amshuar të armiqve tanë?!...
Dom Dritan Ndoci