杏MAP导航

K?rko

Ungjilli i diel?s s? 5-t? gjat? vitit kishtar 'C' Ungjilli i diel?s s? 5-t? gjat? vitit kishtar 'C'

Fjala e Zotit e diel?s s? 5-t? gjat? vitit kishtar “C”

Ungjilli i kёsaj s? diele , nga Luka, na propozon thirrjen e Sh?n Pjetrit dhe fton t? gjith? t? vihen bujarisht n? sh?rbim t? Krishtit. Jezusi i jep zem?r Pjetrit, e nxit t? mos ket? frik?, e siguron se q? nga ai ?ast e tutje, do t? ishte peshkatar njer?zish. E k?shtu Pjetri me Jakun e Gjonin, shok?t e tij t? pun?s, l?n? gjith?ka e ndjekin Krishtin, duke mb?shtetur gjith? besimin n? At?, q? b?het m?suesi e Zoti i tyre. Kjo ?sht? logjika, q? i prin misionit t? Krishtit dhe misionit t? Kish?s

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin javor me Fjalën e Zotit të liturgjisë së dielës, kësaj herët meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë Hyjnore të dielës së 5-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë 'C', sipas kalendarit liturgjik.

Tema e Leximeve biblike të kësaj së diele është thirrja dhe misioni: ajo e apostujve të parë, për çka na tregon pjesa e Ungjillit nga Luka; ajo e Izaisë profet, për çka ai vet rrëfen e kujton në Leximin I,  dhe ajo e Palit, në predikimin që ai u bën Korintianëve mbi ringjalljen, për çka flet Leximi II. Ungjilli  i kёsaj së diele, nga Luka,  na propozon  thirrjen e Shën Pjetrit dhe fton të gjithë të vihen bujarisht në shërbim të Jezusit, duke çarë detet e ngarkuara me të papritura.

Fjala e Zotit

Emri i atij që do të bëhej kryeapostull - e dimë - ishte Simon. E ishte peshkatar. Jezusi, pohon Luka, e shikon në brigjet e Liqenit të Galilesë, duke ndrequr rrjetat, bashkë me peshkatarët e tjerë. E shikon të lodhur, të këputur, të zhgënjyer, sepse kishte peshkuar gjithë natën e lume, pa zënë asnjë peshk! Dhe e çudit, me një gjest krejt të papritur: ngjitet mbi barkë e i kërkon të largohet pakëz prej toke, sepse dëshiron t’u flasë njerëzve nga bregdeti. Ishte një turmë e madhe njerëzish. Kështu i Biri i Zotit ulet mbi barkën e Simonit dhe nis ta mësojë turmën e mbledhur në breg. E si kryen mësimin, e çudit rishtas Pjetrin, duke i kërkuar të dalë përsëri në det të hapur e t’i hedhë rishtas rrjetat “grahi në ujë të thellë e qitni rrjetat tuaja për të zënë peshk”. Përgjigjja e parë e Pjetrit, është një vërejtje: “Mësues, u lodhëm e u këputëm gjithë natën e nuk zumë gjë…”.

Të duket sikur peshkatari  dëshiron të shtojë nëse nuk zumë gjë natën, aq më pak do të mund të zëmë ditën”. Po nuk i shton këto fjalë. Përkundrazi, i frymëzuar nga prania e Jezu Krishtit dhe i shndritur nga Fjala e Tij, thotë: “… e po, sipas Fjalës sate,, pasi po thua ti, do t’i qes rrjetat“. Ja, kjo është përgjigjja e fesë, që edhe ne jemi të thirrur ta japim. Kjo është sjellje, që flet për atë gatishmëri, që kërkon Zoti nga të gjithë ne e nga dishepujt e Tij, posaçërisht kur kanë detyra me përgjegjësi në Kishë.

Bindja plot besim e Pjetrit, ka pas edhe rezultatin e mrekullueshëm: ‘Bënë si u tha Zoti  e zunë një sasi të stërmadhe peshqish'. Ndodh, kështu, peshkimi i mrekullueshën, shenjë e pushtetit të Fjalës së Jezusit. Kur vihemi bujarisht në shërbim të Tij, Jezusi bën në ne punë të mëdha. Kështu vepron edhe me secilin prej nesh: na kërkon ta pranojmë në barkën tonë, për t’u rinisur me Të e për të çarë një det të ri, përplot me të papritura. Ftesa e Tij për të dalë në detin e hapur të njerëzimit të kohës, për të qenë dëshmitarë të mirësisë e të mëshirës, i jep kuptim  të ri jetës sonë, që rrezikohet shpesh të mbyllet brenda vetes.

Nganjëherë mund të rrish i çuditur përballë ftesës, që të drejton Jezusi - Mësuesi Hyjnor, e të tundohesh të mos e pranosh, sepse të duket vetja i paaftë për një detyrë kaq të vështirë. Edhe Pjetri, pas këtij peshkimi të pabesueshëm, i thotë Jezusit: “Zot, largoju nga unë, se jam mëkatar!”. E sinqertё, kjo lutje, por nuk duhet harruar se Pjetri e thotë në gjunjë para Atij, të cilin e njeh prej kohe si Zot. E Jezusi e inkurajon, duke i thënë: “Mos kij frikë; tash e mbrapa do të jesh peshkatar njerëzish!”  Sepse Zoti, po të besojmë në të, na çliron nga mëkati ynë e na hap para një horizont të ri, të pamasë, për misionin e Tij.

Mrekullia më e madhe, që bëri Jezusi për Simonin dhe peshkatarët e tjerë të zhgënjyer, të lodhur e të këputur, nuk ishte aq rrjeta plot me peshq,  sa  ndihma që u dha për të mos rënë viktima të zhgënjimit e për të mos i lëshuar zemra, përballë disfatave.  Për të dalë në det të hapur të botës, si kumtarë e dëshmitarë të Fjalës së Tij dhe të Mbretërisë së Zotit. E përgjigjja e dishepujve ishte e menjëhershme dhe e plotë: 'Si i tërhoqën barkat në breg, lanë gjithçka dhe e ndoqën pas' Jezusin.

                                                                 Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Is 6, 1-2.3-8

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Në vitin e vdekjes së mbretit Ozi, e pashë Zotin duke ndenjur në një fron të lartë e të madhërishëm. Kindat e petkut të tij e mbushnin Tempullin. Serafinët qëndronin në këmbë përngjatë tij. I brohoritnin njëri-tjetrit: “Shenjt! Shenjt! Shenjt Zoti i Ushtrive! Plot është toka mbarë me lavdinë e tij!” E u dridhen pragjet e shtatkave të dyerve nga zëri shungullues dhe shtëpia u mbush me tym.
Unë thashë: “I mjeri unë, qetash sharrova, sepse jam njeri me buzë të papastra, banoj në popull buzësh të papastra, e me sy të mi e pashë Mbretin, Zotin e Ushtrive!”
Atëherë njëri nga serafinët vrapoi drejt meje: në dorë kishte një gacë që e mori me mashë nga elteri. Me të ma preku gojën e më tha: “Ja, me gacë i preka buzët e tua, mëkati yt u shlye, faji yt u fal!”
Atëherë e dëgjova zërin e Zotit që thoshte: “Kë të dërgoj? Kush do të na shkojë?” Unë përgjigja: “Qe, ku më ke, më dërgo mua!” Fjala e Zotit.


Psalmi 138

T’i këndojmë Zotit, para engjëjve të tij

----------------
Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot,
sepse i dëgjove fjalët e gojës sime.
Të këndoj në praninë e engjëjve,
adhuroj në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.
----------------
E lavdëroj Emrin tënd
për dashurinë e besnikërinë tënde,
sepse e madhërove tesve premtimin tënd.
Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove,
shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë.
----------------
Do të të lavdërojnë, o Zot, të gjithë mbretërit e tokës,
sepse i dëgjuan premtimet e gojës sate.
Do t’i këndojnë udhët e Zotit,
sepse e madhe është lavdia e Zotit.
----------------
Çka kam filluar, Zoti do ta kryejë për mua.
E amshueshme është, o Zot, mirësia jote:
mos e përbuz veprën e duarve të tua!
----------------

Leximi i dytë 1 Kor 15, 1-11

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Tani, o vëllezër, po ju përkujtoj Ungjillin, që ju pata predikuar, që e pranuat e në të cilin qëndroni. Me anë të tij jeni në udhën e shëlbimit nëse do ta mbani ashtu si jua kam predikuar; përveç se në paçi besuar kot.
Dhe njëmend, më së pari ju shpalla ato të vërteta që edhe unë vetë i mora: se Krishti vdiq për mëkatet tona sikurse e paralajmëroi Shkrimi shenjt. Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri, si u tha në Shkrimin shenjt. Iu duk Kefës e pastaj të dymbëdhjetëve. Pastaj u duk vëllezërve që ishin së bashku më shumë se pesëqind vetë, prej të cilëve shumica janë ende gjallë e disa kanë vdekur. Pastaj iu dëftua Jakobit e mandej të gjithë apostujve. Më së fundi m’u dëftua edhe mua, dështakut.
E në të vërtetë, unë jam më i vogli ndër apostuj; unë nuk jam i denjë as të quhem apostull, sepse e kam salvuar Kishën e Hyjit. Por, në saje të hirit të Hyjit, jam ky që jam, dhe hiri i tij në lidhje me mua nuk ka qenë i kotë. Madje u mundova të veproj më shumë se të gjithë ata, njëmend, jo unë vetëm, por edhe hiri i Hyjit me mua. Pra, si unë, ashtu edhe ata: kështu predikojmë e kështu edhe ju besuat. Fjala e Zotit.

Ungjilli Lk 5, 1-11

Leximi nga Ungjilli shenjt sipas Lukës

Ishte një ditë Jezusi në bregun e liqenit të Gjenezaretit e, ndërsa populli po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Hyjit, pa dy lundra buzë bregut të liqenit: peshkatarët kishin dalë e po i lanin rrjetat. Hyri në njërën prej atyre lundrave – në atë që ishte e Simonit – dhe iu lut ta largonte pakëz prej tokës. U ul e, prej lundrës, mësonte turmën.
Kur pushoi së foluri, i tha Simonit: “Grahi në ujë të thellë e qitni rrjetat tuaja për të zënë peshk.” Simoni i tha: “Mësues, gjithë natën u përpoqëm e nuk zumë asgjë; por, pasi po thua ti, do t’i qes rrjetat.” Si bënë kështu, zunë një sasi të madhe peshqish – gati po u shqyheshin rrjetat. Atëherë u dhanë shenjë shokëve në lundrën tjetër të vinin e t’u ndihmonin. Ata erdhën dhe i mbushën të dy lundrat aq sa gati u fundosën.
Kur pa Simon Pjetri, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha: “Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!” Vërtet, për arsye të peshkut që zunë, mbeti shtang prej habisë ai dhe të gjithë tjerët që ishin me të; gjithashtu edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, bashkëgjuetarë të Simonit. Jezusi i tha Simonit: “Mos ki frikë! Tash e tutje do të zësh njerëz.” Ata, si i sollën lundrat në breg, lanë gjithçka e shkuan pas tij.
Fjala e Zotit.

Homelia nga Dom Dritan Ndoci

Homelia nga dom Dritan Ndoci

E DIELA V GJATË VITIT: GRAHI NË UJË TË THELLË!

(Is 6, 1-2. 3-8; Ps 138 (137); 1 Kor 15, 1-11; Lk 5, 1-11)

I Lumi Dom Pino Pulisi shkruante: «Secili prej nesh ndjen brenda vetes një prirje, një dhunti, një projekt që e bën secilin prej nesh unik dhe të papërsëritshëm. Kjo thirrje, ky mision, është shenja e Shpirtit Shenjt në ne. Vetëm duke dëgjuar këtë zë, mund t’i jepet kuptim jetës sonë.». Po ta mendosh se ky meshtar i thjeshtë italian u vra nga mafia në vitin 1994, për arsye se kjo e fundit kishte filluar të shqetësohej fort nga predikimet dhe ndërhyrjet e tij në mbrojtje të të rinjve dhe më të varfërve, atëherë çdo fjalë e citimit që sollëm, merr një forcë më vete.

«Secili prej nesh» ka një thirrje të veten dhe, në këtë çështje vërtet të rëndësishme, duket se duan të na vijnë në ndihmë edhe tekstet e sotme të Shkrimit Shenjt. Ato kanë të përbashkët pikërisht çështjen e thirrjes. Në secilin prej tyre, në fakt, flitet për përvoja thirrjeje, në të cilat Hyji u kërkon disa njerëzve një mision të caktuar.

Leximi i Parë na bën të shohim thirrjen që Hyji i bën Isaisë, në leximin e dytë, Shën Pali flet për fillimet e kthimit të vet kah Hyji dhe Ungjilli na flet për thirrjen që Jezusi u bën katër apostujve të parë e, veçanërisht, na përshkruan takimin e Jezusit me Pjetrin.

Në të gjitha këto tekste vëmë re se i thirruri ndjehet tejet i padenjë për një mision të tillë, por jo për këtë arsye Hyji heq dorë nga thirrja e Tij.

Isaia, sheh se lavdia e Hyjit e ka mbushur Tempullin dhe se serafinët brohorasin: «Shenjt! Shenjt! Shenjt, Zoti i Ushtrive! Plot është toka mbarë me Lavdinë e tij!» (Janë fjalë të cilat liturgjia i përdor para çastit të shugurimit të bukës e të verës në Meshën e Shenjtë). E gjithë kjo pamje madhështore e mbush Isainë me një frikë të madhe, sepse ekzistonte bindja se, kush shihte Hyjin, menjëherë do të vdiste, për shkak të padenjësisë. Prandaj ai, i vetëdijshëm për padenjësinë e vet, thotë: «I mjeri unë, qetash sharrova, sepse jam njeri me buzë të papastra, banoj në popull buzësh të papastra e me sytë e mi e pashë Mbretin, Zotin e Ushtrive!»

Por ç’ndodhi? «Atëherë njëri nga serafinët vrapoi drejt meje: në dorë kishte një gacë që e mori me mashë nga lteri; me të ma preku gojën e më tha: ‘Ja, me gacë i preka buzët e tua, mëkati yt u shlye, faji yt u fal!’». Është një detaj që duhet theksuar patjetër, sepse serafini nuk ia mohon se është mëkatar, por kryen mbi të një rit pastrimi. Kjo do të thotë se Hyji nuk ka pritur denjësinë e tij për t’iu dëftuar, por ka vepruar ashtu nga dashuria e Vet. Kjo dashuri, pastaj, do ta pastrojë të thirrurin e do t’i japë atij të drejtë të niset për misionin që do t’i kërkohet. Isaia vetë i ka shkruar këto rreshta e nuk ka frikë ta fshehë padenjësinë e vet.

Të njëjtën gjë e bën edhe Shën Pali: në Letrën e drejtuar Korin­tianëve ai përshkruan se si Jezusi i Ngjallur së vdekuri iu duk Kefës (Pjetrit) dhe të gjithë apostujve të tjerë. Se si iu duk shumë vëllezërve të tjerë dhe se si, në fund, iu duk edhe atij: «Më së fundi m’u dëftua edhe mua dështakut.». E quan veten dështak dhe shpjegon edhe arsyen: «E, në të vërtetë, unë jam më i vogli ndër apostuj; unë nuk jam i denjë as të quhem apostull, sepse e kam salvuar Kishën e Hyjit.». Nuk e fsheh padenjësinë e vet, por, përkundrazi, e mban veten si më të voglin e apostujve të tjerë. Kaq shumë është i bindur për këtë gjë, saqë nga Saul, do të zgjidhte që, aty e në vazhdim, të quhej Pal, që do të thotë i vogël. Por Shën Pali e ka vënë re se Hyji e kishte mbushur me dhunti të veçanta, prandaj saktëson se gjithçka ishte falë Hirit të Hyjit: «Në saje të Hirit të Hyjit, jam ky që jam dhe Hiri i Tij në lidhje me mua nuk ka qenë i kotë». Si Shën Pali ashtu edhe Isaia nuk e fshehin padenjësinë e tyre, pikërisht për të dëshmuar edhe më me forcë dashurinë e madhe që Hyji kishte treguar ndaj tyre.

Nga ana tjetër, Shën Pali e di se Hiri i Hyjit e kërkon sadopak bashkëpunimin njerëzor, domethënë kërkon që njeriu ta lejojë veprimin e Tij. Prandaj thotë: «Madje u mundova të veproj më shumë se të gjithë ata, njëmend, jo unë vetëm, por edhe Hiri i Hyjit me mua.». Është lodhur pak edhe ai. Edhe atij i është dashur të luftojë me egoizmin e vet, por e di mirë se njëherësh brenda tij luftonte edhe Hiri i Hyjit. Atij i është dashur të pësojë shumë lodhje në veprim­tarinë e tij apostolike, por njëherësh edhe Hiri i Hyjit i ka paraprirë, e ka mbështetur dhe e ka bërë frytdhënëse këtë veprimtari: «U mundova të veproj, [...] jo unë vetëm, por edhe Hiri i Hyjit me mua.».

Kur njeriu vendos të bëjë vullnetin e Hyjit, nuk duhet të harrojë se ekziston një forcë tjetër që nuk do ta braktisë kurrë atë. Madje veprimi i kësaj force brenda dhe përreth tij do të ngjallë shpesh pyetjet: «Nga më vjen kjo forcë? Si mundem ta bëj një gjë të tillë? Si mundem ta jetoj një jetë të tillë?». Habitet edhe ai vetë, duke qenë se e di që, nga ana njerëzore, do të ishte e pamundur. Shën Pali i jep emrin e saktë kësaj force: Hiri i Hyjit, i cili vepron gjithnjë, pavarë­sisht se sa i denjë je apo jo, mjafton të mos i mbyllesh krejtësisht Atij.

Edhe Ungjilli na e tregon këtë: Jezusi e tregon pushtetin e vet Hyjnor në sytë e nxënësve të vet e kjo gjë tek ata shkakton ndjesinë e padenjësisë. Shën Pjetri, si zakonisht, hidhet i pari për t’i shprehur ndjesitë e veta dhe i thotë Jezusit: «Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!». Por Jezusi i përgjigjet: «Mos ki frikë! Tash e tutje do të zësh njerëz.».

Sa shpesh na ndodh edhe ne që, përballë pranisë së Hyjit, të ndihemi të padenjë! Na ndodh shpesh që ta vlerësojmë veten si të papërshtatshëm për të jetuar një jetë miqësie me Hyjin. Madje, kur e shohim se nuk arrijmë t’i lëmë mënjanë egoizmin dhe krenarinë tonë, shpesh na vjen tundimi i dëshpërimit. Por të mos harrojmë se ne jemi miqtë e Hyjit (Jezusi kështu i quan apostujt në darkën e fundit) jo ngaqë ne e meritojmë, por ngaqë Ai është i Mirë. Përse Ai është i Mirë? Sepse është Trinì, pra është Dashuri. Ai nuk mund të mos jetë vetvetja.

Jezusi nuk shikon se sa i denjë është Pjetri, por e fton atë të lëshohet në misionin që po i kërkohet. Vetëm një gjë është në dorën e Pjetrit: të mos ketë frikë. Në të vërtetë, po ta shohim hollë-hollë, frika përballë thirrjes së Hyjit nuk është gjë tjetër veçse një shfaqje e maskuar e egoizmit tonë. Kur kaplohemi prej frikës? Kur fillojmë të llogarisim dobësinë tonë përballë misionit që po na kërkohet, kur fillojmë të ngulim sytë tek vështirësia e “terrenit” në të cilin po na kërkohet të punojmë. Kur fillojmë të frikësohemi se mos ndoshta e gjithë kjo do të bëjë që në të ardhmen të mos i jemi besnikë Hyjit. Kur në majë të gjuhës kemi fjalët «Unë mendoj..., unë kam frikë, unë jam i dobët, unë, unë, unë...». Me një fjalë, kur nuk e llogarisim aspak veprimin e Hirit të Tij në misionin tonë. E Shën Pali patjetër do të kishte mjaft për të na qortuar këtu.

Por Jezusi na thotë: «Mos ki frikë!». Jezusi kërkon vetëm që të mos largohemi prej Tij, por t’i rrijmë pranë Atij me lutje e me besim, të tjerat i mendon Ai. «Thirrja nuk gjendet thjesht pasi ke menduar gjatë dhe pasi i ke menduar mirë të gjitha rrugët: ajo është një përgjigje që fitohet vetëm falë lutjes.», thoshte Shenjtja Edit Shtajn.

Disa të tjerë nuk i hapen thirrjes që mund të ndjejnë në jetë apo e ndërpresin atë kur fillojnë të shohin padenjësinë e bashkësisë së krishterë, pra kur ndeshen me shkandujt e ndryshëm në Kishë. «Haraçi që i kërkohet të paguajë ai që e fillon një mision, është që ta njohë nga shumë afër anën e tij të pistë», shkruante me të drejtë shkrimtari amerikan i shekullit të kaluar, Xhejms Balduin. Aq më tepër kjo gjë vlen në Kishë, e cila është e shenjtë, por është edhe thellësisht mëkatare. Por i thirruri nuk vihet në ecje pas Kishës, por pas Jezusit, pas Atij që e shenjtëron Kishën.

Shën Pjetrit, Jezusi i tha: «Mos ki frikë! Tash e tutje do të zësh njerëz.». Pjetri do të arrinte të afronte njerëz kah Krishti e do të jetë Shkëmb bashkimi për të krishterët jo në sajë të forcës së vet, por në sajë të forcës së Hirit Hyjnor. Jezusi e fton Pjetrin që ta shohë këtë takim edhe si garanci për të ardhmen: përderisa Ai, Hyji, jashtë çdo merite u denjua t’i vinte në ndihmë një mëkatari, donte të thoshte se Ai do t’i qëndronte pranë gjithnjë edhe në të ardhmen, pavarësisht gjithçkaje.

Sa bukur këto pjesë të Shkrimit Shenjt, na e mbushin zemrën me paqe, duke na bërë të kuptojmë se padenjësia jonë nuk e largon shikimin dashamir të Hyjit ndaj nesh. Na ftojnë të lëshohemi në duart e Hyjit, të hidhemi pa frikë në çfarëdo lloj misioni që Ai mund të na kërkojë, sepse Hiri i Tij kurrë nuk do të na lërë vetëm, por do të veprojë e do të lodhet edhe ai gjithnjë përkrah nesh.

«Grahi në ujë të thellë!», i tha Jezusi Pjetrit dhe shokëve të tij që nuk besonin se mund të peshkonin gjë atë ditë. «Grahi në ujë të thellë!», i thotë edhe sot e kësaj dite Jezusi shumëkujt kur i kërkon një mision të caktuar në jetë. «Vetëm duke dëgjuar këtë zë, mund t’i jepet kuptim jetës sonë.», thoshte Dom Pino Pulizi që e përmendëm në fillim. Prandaj të mos kemi frikë edhe ne të përgjigjemi si Pjetri: «Mësues... pasi po thua ti, do t’i qes rrjetat.».

Dom Dritan Ndoci

08 shkurt 2025, 09:36