?el?si i fjal?ve t? Kish?s: Bula e Jubileut 2025
R.SH. – Vatikan
“Atyre, që do ta lexojnë këtë Letër, shpresa ua mbushtë zemrën”. Kështu pohon, menjëherë pas titullit, bula “Spes non confundit” për shpalljen e Jubileut të zakonshëm të vitit 2025. Titulli është marrë nga kreu 5 i Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve (5,5). Vetë Ati i Shenjtë e shpjegon psenë. “Shën Pali apostull, me shpirt shprese, rrënjos guxim në bashkësinë e krishterë të Romës. Shpresa është mesazhi qendror i Jubileut, të cilin, sipas traditës së lashtë, Papa e shpall çdo njëzet e pesë vjet. Mendoj – shkruan Françesku - për të gjithë shtegtarët e shpresës që do të mbërrijnë në Romë për të përjetuar Vitin e Shenjtë dhe për ata që, në pamundësi për të ardhur në qytetin e apostujve Pjetër dhe Pal, do ta kremtojnë atë në Kishat vendore. Ky Jubile qoftë për të gjithë një moment takimi i gjallë dhe personal me Jezu Krishtin Zot, «dera» e shpëtimit (shih Gjn 10,7.9), të cilin Kisha e ka për mision ta shpallë gjithmonë, kudo dhe për të gjithë si «shpresa jonë» (1 Tim 1,1).
Të gjithë shpresojnë- vijon Ati i Shenjtë, duke nënvizuar rëndësinë e shpresës për jetën e çdo të krishteri. - Shpresa banon në zemrën e çdo njeriu si dëshirë dhe pritje e së mirës, ??edhe kur nuk e di se çfarë do të sjellë e nesërmja. Por, nganjëherë, paparashikueshmëria e së ardhmes lind ndjenja kontradiktore, si: besimi dhe frika, qetësia dhe shkurajimi, siguria dhe dyshimi. Shpeshherë, takojmë njerëz zemërlëshuar, të cilët e shohin të ardhmen me skepticizëm dhe pesimizëm, sikur asgjë të mos u ofronte dot lumturi. Jubileu qoftë për të gjithë një mundësi për ta ringjallur shpresën. Fjala e Hyjit na ndihmon që t’i gjejmë arsyet. Le të udhëhiqemi nga ajo, që shën Pali apostull u shkruan të krishterëve të Romës”, citon Papa fjalët e Apostullit të Popujve, që edhe duke mos qenë ndër të dymbëdhjetët, konsiderohet njëlloj me apostujt pikërisht për kontributin që dha në përhapjen e Ungjillit të Krishtit.
“Të shfajësuar, pra, me anë të fesë, jemi në paqe me Hyjin nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin [me anë të fesë] fituam hirin, në të cilin tani jemi dhe me të cilin mburremi, sepse shpresojmë se do të kemi pjesë në lumturinë e Hyjit. […] Shpresa nuk zhgënjen, sepse dashuria e Hyjit u dikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua” (Rom 5,1-2.5). Pikënisjet për reflektim që propozon Shën Pali këtu janë të shumta – komenton Ati i Shenjtë, menjëherë pas. - E dimë se Letra drejtuar Romakëve shënon një hap vendimtar në veprimtarinë e tij ungjillëzuese. Deri në atë moment, ai e kishte kryer atë në zonën lindore të Perandorisë dhe tani e pret Roma, me çka përfaqëson ajo në sytë e botës: një sfidë e madhe, që duhet përballuar në emër të kumtimit të Ungjillit, i cili nuk njeh barriera e kufij. Kisha e Romës nuk ishte themeluar nga shën Pali dhe ai ndjen një dëshirë të madhe për të arritur tek ajo sa më shpejt, për t’ua çuar të gjithëve Ungjillin e Jezu Krishtit, të vdekur e të ngjallur, si kumtim të shpresës, që përmbush premtimet, çon në lavdi dhe që, e themeluar mbi dashurinë, nuk zhgënjen”.
Më tej në bulën për shpalljen e Jubileut 2025, Papa Françesku shpjegon nga lind shpresa e krishterë dhe ku e ka bazën, por për këtë do t’ju flasim të enjten e ardhshme.