Konferenca Ipeshkvore Katolike e Shqip?ris? lutet p?r sh?ndetin e Pap?s
R.SH. / Vatikan
Në Tiranë mbahen punimet dy ditore (18-19 shkurt) të Asamblesë së LXXIII të Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë, e cila nisi me një lutje të veçantë të ipeshkvijve për shëndetit e Papës Françesku. Viti Jubilar i Shpresës, për çka u propozua "një Jubile të ne ipeshkvijve të Shqipërisë, bashkë me ipeshkvijtë e nderit, dhe dy Dioqezat motra të Malit të Zi dhe të Kosovës, dhe Sinodi. Këto janë dy argumentet kryesore të kësaj Asambleje, punimet e së cilës u hapën me kremtimin e Meshës së shenjtë, me pjesëmarrjen e ipeshkvijve të të gjitha Kishave dioqezane të Shqipërisë dhe të të ngarkuarit me punët të Nunciaturës Apostolike në Tiranë, mons. Paul Strejac. Në rendin e ditës së kësaj Asambleje kishtare janë edhe #prezantimi dhe trajtimi i sfidave të ndryshme të secilës dioqezë në vendin tonë dhe të institucioneve që ndodhen në varësi të drejtpërdrejt të Konferencës Ipeshkvore". Po më hollësisht të ndjekim njoftimin e Zëdhënësit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, dom Mark Pashkja:
Në Tiranë hapi zyrtarisht punimet Asamblea LXXIII e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë. Punimet e kësaj asambleje filluan me Meshen e shenjtë e cila u udhëhoq nga Imzot Simon Kulli zv.president i Kish dhe Ipeshkëv i Sapës.
Barinjtë e Kishës katolike në vendin tonë do të punojnë sëbashku në një klimë vëllazërore dhe sinodale për dy ditë me radhë, pikërisht në datat 18-19 shkurt. I pranishëm në hapjen e punimeve ishte edhe i ngarkuari me punë i Selisë Shenjte Mons. Ionut Paul Strejac i cili para pak kohësh filloi misionin e tij në vendin tonë. Pasi përshëndeti Ipeshkvinjt, ai shprehu gëzimin dhe kënaqësinë që do zhvillojë misionin në një vend si Shqipëria.
Sh. T. Imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit dhe President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë analizoi kontekstin në të cilin zhvillohet ky takim duke vënë në qëndër të vëmendjes Jubileun e duke theksuar se :
“…eventet jubilare nuk janë kremtime që nisin e mbyllen me një ditë të veçantë, por duhet t’u japin shpirt edhe një përtëritje aspekteve të ndryshme që kemi kremtuar apo do të kremtojmë përgjatë këtij viti. Nuk mund të jenë momente të fragmetuara apo të izoluara qoftë nga dimensionet e tjera të Kishës e qoftë në vazhdimësinë e tyre. Në thelbin e vitit jubilar nuk janë me siguri vetëm indulgjencat plenare apo tempujt e shpallur si vende jubilare për marrjen e këtyre indulgjencave. Madje shpesh mund të jenë edhe devijime të jetës shpirtërore, sikurse fatkeqësisht ndodh nganjëherë.
Devocioni që nuk dëgjon dhe nuk përtërihet nga Fjala e gjallë e Ungjillit mund të kthehet në një përshpirtëri pa shpirt. Kisha gjatë vitit jubilar kumton një vit hiri që merret me situata dhe persona konkretë: t’u japësh dritën e syve të verbërve, të çlirohen ata që kanë borxhe e pengje, të lirohen të burgosurit e të gjitha llojeve.
Dimensioni i mishëruar i Jubileut duhet të na shtyjë akoma më shumë që të jemi një Kishë e cila i jep një emër verbërisë, borxhit, burgut, skllavërive modern e kështu me rradhë. Jo pa qëllim edhe në mesazhin e tij të Paqes për këtë vit Papa Françesku ka folur për faljen e borxheve ndaj vendeve të varfëra, por pa i skllavëruar ato.
Cilat janë në vendin tone ato situata që presin një fjalë ngushëlluese e çliruese? Cilat janë ato skllavëri e verbëri nga të cilat vuajmë sot në shoqërinë tonë? Çfarë mund të bëjë Kisha? E shumë pyetje të tjera duhet të shoqërojnë këtë vit jubilar e krejt jetën e Kishës.
Po ashtu Imzot Meta duke kujtuar Sinodin, përmendi faktin se “Sa herë jemi të mbledhur të gjithë bashkë në kremtimet kombëtare, sa herë që ipeshkëvi bashkë me meshtarët e tij dhe besimtarët e tij kremton Eukaristinë në eventet dioqezane, sa herë që një meshtar së bashku me bashkëpunëtorët e tij e me të gjitha ministeret dhe karizmat e pranishme në famulli bëhen bashkë përreth altarit me frymën e një actuosa participatio, aq herë realizohet një akt sinodal. I njëjti Shpirt Shenjt që mbledh asamblenë liturgjike frymëzon punën tone sinodale e misionare. E kur kjo ndodh populli ynë edifikohet, ndjehet mirë e buzëqesh. Kur meshtarët tanë e i gjithë populli do të na shohin bashke, jo vetëm si kukulla që thjeshtë rrinë pranë njëri-tjerit se nuk kanë nga ia mbajnë, por si vëllezër të vërtetë, edhe pse të ndryshëm, aq më shumë ungjilli shpallet, jo me fjalë, por me shembullin e jetës.
Prandaj propozoj një Jubile të ne ipeshkvinjëve të Shqipërisë, bashkë me ato emeriti, dhe dy Dioqezat motra të Malit të Zi dhe të Kosovës, përgjatë këtij viti, që të na shërbejë si një thirrje, si një moment takimi me njëri-tjetrin dhe me Hyjin e të kalojmë Derën e Shenjtë në Romë ose diku tjetër si ta vendosim vetë. E në këtë event të falenderojmë Hyjin për Kishat që na ka besuar, t’i kërkojmë urti për t’i udhëhequr ato, veç e veç e së bashku, e nëse do të jetë e nevojshme, e sigurisht që është, t’i kërkojmë falje Hyjit, Kishës e njëri-tjetrit për gjërat që me dashje apo pa dashje nuk i kemi bërë si duhet apo i këmi bërë keq.
Të përjetojmë një moment hiri duke u zhveshur nga vetëmjaftueshmëria,nga forca e zakonit, nga inati e zemërimi, nga frustrimet që na sjell puna, jeta dhe vështirësitë e përditshme e t’ia besojmë Hyjit krejt jetën tonë e të Dioqezave tona.” Përfundoi Imzot Meta fjalën e tij përshëndetëse në cilësinë e Presidentit të Konferencës Ipeshkvnore…”.
Gjatë këtyre ditëve do të zhvillohet një punë intesivenë prezantimin dhe trajtimin e sfidave të ndryshme të secilës dioqezë në vendin tonë dhe të institucioneve që ndodhen në varësi të drejtpërdrejt të Konferencës Ipeshkvnore.
Dom Mark Pashkja
Zëdhënës i Kish