Kongresi Eukaristik. Imzot Ternyák uron: sjellt? p?rt?ritje shpirt?rore!
R. SH. - Vatikan
Punimet e Kongresit Eukaristik ndërkombëtar, që vijojnë në Hungari e që të dielën a ardhshme do të arrijnë kulmin me praninë e Papës, janë të pasura me dëshmi për të forcuar fenë e për t’i nxitur njerëzit të mendojnë për rëndësinë që ka prania e Krishtit në Kishë e në jetët tona. Sot në punime mori pjesë edhe Presidenti i Hungarisë, János Ader. Ndërsa Meshën e mëngjesit e kryesoi kardinali Jean-Claude Hollerich, pasdite atë Etienne Veto mbajti një katekizëm kushtuar Eukaristisë, ndriçuar nga tradita hebraike e, më pas, kardinali Baltazar Porras i priu meditimit kushtuar Shenjtorëve të popullit të Zotit. Theksoi, sidomos, thirrjen e laikëve për shenjtëri. Si çdo ditë, po shkëmbehet edhe përvoja kishtare, kryesisht në vendet ku prania e krishterë është pakicë. E për këtë foli posaçërisht kardinali Andrew Yeom Soo-jung, që u ndalua posaçërisht tek situata e të krishterëve në Kore. Ditën e sotme do ta mbyllin atë Andrea Dellatore, Georg Schwarz dhe, së fundi, Bashkësia e Çenakullit, me një diskutim titulluar “Nga errësira, në dritën e Eukaristisë: ilaç i lirisë”.
Pandemia nuk i ndaloi as njerëzit e vendeve të largëta të marrin rrugën drejt Budapestit. Mund të marrim si shembull imzotin Csaba Ternyak, kryeipeshkëv i Eger, ish-sekretar i Kongregatës për Klerin, që po ngjall këto ditë një atmosferë plot gjallëri rreth Eukaristisë. “Me gëzim të madh - pohon - shikojmë se një mori njerëzish guximtarë, pavarësisht nga pandemia dhe vështirësitë e udhëtimit, morën udhën e gjatë e janë sot këtu, mes nesh. Kujton, ndërmjet tjerash, dëshminë e kardinalit Bo, ardhur nga Mianmari, i cili u ndalua pikërisht tek vështirësitë që iu desh të kapërcente për të arritur këtu, ku bota e krishterë është mbledhur fizikisht e shpirtërisht rreth burimit të forcës së vet: Eukaristisë! Prani të çmuara, që edhe mund të mungonin, duke pasur parasysh situatën shëndetësore në të cilën jeton mbarë bota. Prelati i ardhur nga larg i entuziazmoi të pranishmit me fjalët e tij të frymëzuara, ashtu si edhe shumë besimtarë ardhur nga kombe të ndryshme, për të marrë pjesë në lutjen e përbashkët, për të dëgjuar dëshmitë e konferencat e, sidomos, për një gjunjëzim të përbashkët para Tabernakullit, gjë që të jep fcorcë për të mbetur besimtar, edhe kur mbi botën dyndet errësira e mosbesimit!
Por të dëgjojmë intervistën që i jep sot Radio Vatikanit imzot Ternyâk, duke u ndaluar posaçërisht tek përtëritja kulturore dhe edukative në Hungari:
“Eukaristia është në qendër të jetës sonë. Të lartosh hosten gjatë meshës, na ndihmon të përforcojmë përkatësinë tonë ndaj Zotit” - shpjegon imzot Ternyâk. Ndalohet, më tej, tek procesi i përtëritjes kulturore dhe edukative lidhur edhe me Universitetin e madh të kryedioqezës e, në përgjithësi, me suksesin edhe më të madh të shkollave katolike në vend gjatë viteve të fundit. ‘Vërejmë se njerëzit kanë gjithnjë më shumë dëshirë t’i sjellin fëmijët në shkollat tona. Në dioqezën tonë kemi më se 50 shkolla, që kërkuan drejtim kishtar’. Aspekt ky, që e emocionon shumë meshtarin. Emocion i natyrshëm, kur kujton historinë e vendit e të shkollave katolike, të gjitha të mbyllura nga regjimi komunist. ‘Ndonëse mësuesit nuk janë të gjithë katolikë ose besimtarë, janë krenarë që i përkasin historisë sonë, në kundërshtim me çka ndodh në vendet tjera, ku ndjehet fuqimisht presioni i shekullarizimit’.
Duke kaluar tek prania e Françeskut në Budapest, më 12 shtator, Ternyâk bëhet zëdhënës i popullit të vet, që e quan nder të madh vizitën e Françeskut. ‘Tek Papa ne shikojmë Pjetrin e sotëm’ - pohon - e kur të vijë, do të lutemi me të për fenë tonë. Ardhja e Papës mes nesh me rastin e Kongresit është nder i madh për trojet tona, për popullin tonë - vijon - gjë që i kujton vitin 1938, kur këtu ishte Papa Pacelli. “Fakti që po na vjen vetë Papa, ngjall gëzim të madh. E shpresojmë se Kongresi do të na sjellë përtëritjen shpirtërore, përtëritje që ndodh në shpirtin e njeriut, jo ndër gurë. Në shpirtrat, njëherë, e pastaj edhe ndër institucionet. Misioni ynë është ta forcojmë Korpin e Krishtit tek të gjithë besimtarët, që të mund ta ndjejnë praninë reale të Krishtit në Kishë’” - kujtoi në përfundim imzot Ternyák.
Ndërkaq, punimet e karakterit teologjik e shpirtëror shoqërohen edhe me shfaqjet artistike floreale të Kurorës së Shenjtë të Shën Shtjefnit e të Hostes së përgjakur të mekullisë eukaristike të Báta (shekulli XIV) që mund të admirohen mbi dy karro të Karnavaleve të luleve të Debrecen gjatë javës nga 6 deri më 12 shtator para Kishës së Zojës së Ngjitur në qiell, në Budapest, në lagjen historike të Kështjellës së Budës, pasuri kulturore e Unesco-s. Edhe karnavali i famshëm i Debrecen - “kryeqytet” i protestanëve të reformuar të Hungarisë - siç lexohet në Buletinin e Kongresit - “merr pjesë në Kongresin eukaristik me karrocat me lule, që pasqyrojnë temat e ngjarjes. Eshtë, pastaj, kopja vigane e kurorës së thurur me lule, që të kujton themeluesin e Hungarisë, Mbretin Shenjt Shtjefnin, i cili e bëri popullin maxharr një nga më të krishterët e, më pas, Regnum Marianum, duke ia ofruar Kurorën Zojës së Bekuar.