Kardinali Erd?: Papa, n? Budapest, do t? nxis? p?r forma v?llaz?rimi t? jetuar
R.SH. - Vatikan
Primati i Hungarisë, kardinali Peter Erdö hamendëson temat mbi të cilat do të përqendrohet Papa në Kongresin Eukaristik. Papa Françesku “sigurisht do të flasë për Krishtin eukaristik, këtë mister të madh, që është në qendër të fesë sonë, të jetës sonë. Do të flasë edhe për përgjegjësinë që kemi lidhur me rilindjen e Kishës e për gatishmërinë për krijimin e formave të reja të vëllazërimit të jetuar, parë edhe në dritën e sfidave të sotme. Jam i bindur se Ati i Shenjtë do të sjellë një inkurajim të madh në këtë drejtim”. Kështu kardinali Peter Erdö, kryeipeshkëv i Esztergom-Budapestit e primat i Kishës katolike të Hungarisë, kujton, për agjencinë Sir, temat e pjesëmarrjes së Papës, që do të kremtojë Meshën përfundimtare në Kongresin Eukaristik Ndërkombëtar në Budapest, i cili do të nisë më 5 shtator, për të përfunduar më 12 shtator.
“Jemi duke punuar. Kanë arritur tashmë edhe mysafirët e parë. Nga 2 deri më 5 shtator po mbahet simpoziumi teologjik. Atmosfera është plot me frymën e pritjes, edhe sepse kjo ngjarje qe përgatitur prej vitesh e na u desh ta shtynim për shkak të pandemisë. Prandaj shumë presin një festë të bukur” - shpjegon kardinali. Ngjarja e madhe ishte në program për shtatorin 2020, por pikërisht atëhere pandemia pushtoi botën e na detyroi ta shtyjmë për një vit. Me pakësimin e rasteve të sëmundjes së Coronavirus në zonë, e me shtimin e numrit të njerëzve të vaksinuar, të shtunën, më 5 shtator, më në fund, edhe Kongresi do të fillojë e do të hapet solemnisht në Sheshin e Heronjve, me një kremtim që do të kryesohet nga kardinali Angelo Bagnasco, në praninë e miqve të shumënumërt.
Nga 6 deri më 10 shtator - shpjegon akoma kardinali Erdö - vendi kryesor i kremtimeve do të jetë HungExpo e Pestit, ku mund të vizitohen ekspozita të veçanta. “Çdo mëngjes do të ketë një program me dëshmi, relacione, meshë e, pasditeve, me veprimtari të larmishme kulturore”.
Të shtunë, më 11 shtator, në “Ishullin Margerita” mbi lumin Danub, do të kremtohet “Festivali i familjeve”. Pasdite, në Sheshin Kossuth, kardinali Péter Erdö do të kremtojë Meshën shenjte, pasuar nga një procesion me qirinj ndezur, deri në Sheshin e Heronjve: “Do të jetë i ftuar ekumenik, edhe patriku Bartolomeu, që do t’u drejtojë të pranishmëve përshëndetjen e rastit” - kujton kardinali hungarez.
Në vitin 2000 - shton - ishte Patriku ai, që e kanonizoi Mbretin tonë të parë të krishterë, Shën Shtjefnin, edhe për kishën ortodokse. Shën Shtjefni vdiq në vitin 1038, kur Kisha e Lindjes dhe ajo e Perëndimit ishin akoma një gjë e vetme. Përfaqëson, prandaj, një shenjë ekumenike tejet të bukur. Të diel, më 12 shtator, pastaj, do të presim Atin e Shenjtë!