100 vite m? par?, nd?rhyrja e “gyshe Roz?s” n? Kongresin Eukaristik t? Astit
R.SH. - Vatikan
E famshmja “Gjyshe Roza”, të cilën Papa Françesku e përmend shpesh, nga viti 1920 deri në vitin 1928 ishte në krye të Veprimit Katolik të Astit dhe mbajti një sërë konferencash dhe kurse për të fejuarat në famulli. Kështu ndodhi edhe në Kongresin e parë dioqezan Eukaristik (Asti, 3 shtator 1921), kur gjyshja e ardhshme e Papës foli për Eukaristinë. Në kishën e Shën Kjarës, në rreshtin e parë, ishte edhe ipeshkvi Luigi Spandre.
Tani që Budapesti pret Papën për të mbyllur, më 12 shtator, Kongresin Eukaristik Ndërkombëtar, i cili filloi dje, gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano” kujton pjesëmarrjen e gjyshes së Atit të Shenjtë në atë Kongres, që tashmë ka hyrë në përvjetorin e 100-të, kremtuar këtë vit nga dioqeza italiane e Astit. Gazeta vë në dukje se gjyshe Roza ishte tejet e impenjuar në bashkësinë katolike: vizitonte të sëmurët e të burgosurit, ndihmonte të rinjtë, ishte drejtuese e Veprimit Katolik, anëtare e Bashkimit Femëror Katolik Italian, mike me shumë meshtarë e këshilltare e vetë ipeshkvit Spandre. Mbante konferenca e takime në gjithë provincën. Prandaj, ishte e natyrshme që zëri i saj të dëgjohej edhe në atë Kongres të parë Eukaristik të vitit 1921, në “sesionin e studimit” për gratë.
Fjala e mbajtur në kishën e Shën Kjarës
Pjesëmarrësit ishin ndarë në tre “sesione studimi”: meshtarët në shtëpinë e Etërve Barnabitë ngjitur me kishën e Shën Martinit, burrat në kishën e Shën Mëhillit, gratë në atë të Shën Kjarës. Pasdite, në orën 15, kisha e Shën Kjarës ishte plot me njerëz. Pas ipeshkvit, e mori fjalën Rosa Bergoglio, e cila, siç shkruan “Gazzetta d’Asti” e 10 shtatorit 1921, “megjithëse është punëtore e nënë familjeje, e kryen mrekullisht mirë detyrën e propagandistes së ideve tona”. “Zonja Bergoglio – vijon gazeta në tekstin e botuar më vonë në librin ‘Kongresi i parë Eukaristik Dioqezan, i mbajtur në Asti më 3 dhe 4 shtator 1921’, ku shtohen edhe dy mrekulli të Sakramentit, që ndodhën në Asti, (Michelerio, Asti, 1921) - foli për Eukaristinë si mjet kryesor për përmbushjen e detyrave të vajzës, gruas dhe nënës; fjala e saj u ndoq me vëmendje të madhe dhe në fund u duartrokit nxehtësisht”.
Ndërhyrja e dytë në vitin 1926
Pasi u organizua në San Damiano d’Asti (1922), Castelnuovo Calcea (1923) dhe Villanova d’Asti (1924), më 1926 Kongresi u kthye në kryeqendrën e dioqezës. Gjyshja e ardhshme e Papës Françesku, Roza, foli përsëri në kishën e Shën Kjarës, gjatë asamblesë së përgjithshme të shoqatave katolike. “Zonja Bergoglio nga Asti - shkruan ‘Gazzetta d’Asti’ e 5 qershorit 1926 - ilustron me fraza e ndjenja plot finesë, temën delikate të moralitetit”. Tema e atij Kongresi V, që u mbajt më 29 e 30 maj 1926, ishte “Jezu Krishti Mbret”.
(Marrë nga libri i Stefano Masino “Trilogjia Astixhane. Dante, Alfieri, Bergoglio ... dhe sekrete të tjera”, Edizioni De Ferrari)