Propozim i ri p?r arm?pushim nga SHBA-t?. Hamasi, gati p?r bisedime
R.SH. – Vatikan
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i kthehet sërish udhës diplomatike dhe i dërgon një propozim të ri për armëpushim Hamasit dhe Izraelit, me synimin për t’i dhënë fund konfliktit në Rripin e Gazës. Njoftimin e dha ai vetë në platformën e tij të mediave sociale, "E Vërteta (Truth)", ku pasqyron pikat kryesore të marrëveshjes: lirimin e të gjitha pengjeve izraelite, duke i shkëmbyer me të burgosurit palestinezë, anulimin e operacionit ushtarak të Izraelit në Gaza dhe bisedime konkrete për mbarimin e luftës.
Qëndrimi i Izraelit
Një projekt-marrëveshje që, sipas burimeve pranë qeverisë së Benjamin Netanyahut, Izraeli po e shqyrton seriozisht, sidomos pas protestave në rrugë, organizuar nga familjet e pengjeve, të cilat po bëjnë presion për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit. Reagimi nga Forumi i Familjeve për Kthimin e Pengjeve ishte i menjëhershëm, duke e quajtur veprimin e presidentit amerikan Trump "kthesë historike" dhe duke i bërë menjëherë thirrje qeverisë izraelite të deklarojë "mbështetjen e saj pa kushte për marrëveshjen, që po merr formë".
Hamasi, gati për dialog
Nga ana e tij, grupi islamik palestinez Hamas shprehu gatishmërinë për t'u ulur menjëherë në tryezën e bisedimeve, por me disa kushte: ai premton t’i lirojë të gjithë të rrëmbyerit në këmbim të një deklarate zyrtare për përfundimin e luftës e për tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Rripi i Gazës, duke kërkuar edhe krijimin e një komiteti për administrimin e zonës nga elementë të pavarur palestinezë.
Lufta nuk ndalet
Ndërkaq, forcat izraelite vazhdojnë të përparojnë drejt Qytetit të Gazës, duke shembur disa ndërtesa të larta, të konsideruara nga ushtria si baza të Hamasit dhe, duke dhënë urdhra të prera për zhvendosjen e civilëve. Vetëm gjatë ditës së djeshme, bilanci i viktimave arriti në 52 vetë.