Gaza, akoma vdekje. Kardinali Pizzaballa: "Kjo luft? s’ka kuptim"
R.SH. – Vatikan
Së paku 17 vetë humbën jetën në Rripin e Gazës si pasojë e operacioneve të forcave izraelite gjatë natës së djeshme. Sipas emitentes së Katarit Al-Jazeera, gjashtë persona u vranë gjatë bombardimit të një shkolle në perëndim të Gazës, e cila ishte shndërruar në një strehë për të shpërngulurit. Njëmbëdhjetë të tjerë, përfshirë gjashtë fëmijë, vdiqën në lagjet Sheikh Radëan dhe Remal nga sulmet izraelite kundër tendave dhe shtëpive. Pesë persona, përfshirë tre të mitur, humbën jetën nga mungesa e ushqimit, sipas njoftimit të spitaleve në Gaza.
SHBA-të i dërgojnë një projekt-marrëveshjeje Hamasit
Në frontin diplomatik, media izraelite njofton se SHBA-të i kanë dërguar Hamasit një projekt-marrëveshjeje me disa pika për bisedimet me Izraelin. Ajo iu dërgua grupit islamik përmes negociatorit izraelit Gershon Baskin. Kryeministri Benjamin Netanyahu pati deklaruar javët e fundit se do të merrte parasysh vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse për lirimin e të gjitha pengjeve, që mbahen ende nga Hamasi, gjithsej 48 vetë, prej të cilëve vetëm disa janë ende gjallë.
Pizzaballa: duhet të punojmë për një narrativë tjetër
"Kjo luftë duhet të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur; nuk ka më kuptim të vazhdohet. Është koha ta ndalojmë këtë prirje": kështu deklaroi, ndërkaq, kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku Latin i Jerusalemit, duke folur në lidhje video, në ceremoninë e mbylljes së Festivalit të 82-të të Filmit në Venecia, ku u vlerësua me Luanin e Argjendtë filmi "Zëri i Hind Rajab" i regjisores tuniziane Ben Hania, i cili rrëfen çastet e fundit të një vajze pesëvjeçare, vrarë vitin e kaluar në Qytetin e Gazës.
"E dimë se kjo luftë, e cila shpresojmë të përfundojë së shpejti, edhe nëse lajmet thonë ndryshe, nuk do të shënojë fundin e konfliktit, armiqësisë apo dhimbjes", pohoi kardinali Pizzaballa. "Duhet të punojmë shumë, veçanërisht ne besimtarët dhe të gjithë njerëzit e kulturës, për të krijuar një narrativë të ndryshme. Ne ua kemi lënë këtë narrativë ekstremistëve radikalë nga të dyja palët. Por, duhet të kemi guximin të krijojmë një narrativë dhe gjuhë të ndryshme, që hap horizonte dhe shtigje të reja, të cilat i arrijnë edhe shoqërisë e politikës". "Unë besoj se është e mundur dhe shpresoj", përfundoi Patriarku, "që një kontribut pozitiv në këtë drejtim të vijë edhe nga Venecia. Se do të ketë njerëz në mbarë botën, që do të na ndihmojnë të mendojmë ndryshe, me fjalë dhe imazhe që ndërtojnë, në vend që të shkatërrojnë".