Dita e Popujve Indigjen?, kur izolimi shp?ton jet? dhe identitet
R.SH. – Vatikan
Një përqendrim i pashembullt i biodiversitetit gjendet në territoret e banuara nga popujt indigjenë, të cilët sot numërojnë mbi 470 milionë të shpërndarë në rreth 90 vende të botës. Ndër objektivat e Ditës Ndërkombëtare të Popujve Indigjenë të Botës, e cila festohet çdo 9 gusht me vendimin e Kombeve të Bashkuara, dhe këtë vit me temën "Popujt indigjenë dhe inteligjenca artificiale: mbrojtja e të drejtave, formësimi i së ardhmes", spikat pikërisht mbrojtja e mjedisit, e kuptuar edhe si përvoja të popujve indigjenë të dobishme për të trajtuar kujdesin ndaj biodiversitetit dhe efektet që rrjedhin nga ndryshimet klimatike.
Komunitetet në Peru
Komunitetet Mashco Piro, një popull indigjen që jeton në rajonet e largëta të pyllit amazonian të Perusë, janë parë muajt e fundit përgjatë lumenjve Las Piedras dhe Alto Madre de Dios, në zemër të Amazonës. Zgjedhja e tyre ka qenë të jetojnë në margjinat e botës moderne për të ruajtur identitetin e tyre, njohuritë e tyre dhe një ekuilibër kulturor dhe mjedisor jashtëzakonisht delikat. Lajmin për lëvizjet e tyre e dha Fenamad (Federación Nativa del Río Madre de Dios y Afluentes), një organizatë përfaqësuese e popujve indigjenë aktive në ato rajone. Mashco Piro janë pjesë e Piaci, akronim me të cilin identifikohen popujt indigjenë në izolim vullnetar ose në fazën e kontaktit të parë. Dhe kontakti i parë, shpesh i rastësishëm dhe i padëshiruar, mund të jetë shkatërrues, si për rreziqet shëndetësore ashtu edhe për shokun kulturor, që përfshin të gjitha elementet e kulturës siç janë zakonet, sjellja, normat e jetësës shoqërore dhe marrëdhëniet sociale.
Brishtësia e indigjenëve
Peruja njeh zyrtarisht ekzistencën e të paktën 25 popujve në këtë gjendje dhe, që nga viti 2006, ka vendosur "derecho a la no intervención", të drejtën për mosndërhyrje, shoqëruar me krijimin e rezervave territoriale specifike. Këto përfshijnë Rezervën Mashco Piro, Madre de Dios, Isconahua dhe Kugapakori-Nahua-Nanti. Megjithatë, deri më sot vetëm 5 rezerva janë njohur zyrtarisht nga 25 që janë kërkuar: një fakt që zbulon një brishtësi strukturore në lidhje me mbrojtjen e këtyre popujve. Në nivel kombëtar, Aidesep (Asociación Interétnica de Desarrollo de la Selva Peruana) ka denoncuar vazhdimisht vonesat e shtetit peruan në procesin e krijimit të rezervave të reja dhe ka ngritur alarmin kundër nismave legjislative që mund të dobësojnë mbrojtjet ekzistuese. Mashco Piro, në veçanti, kanë reaguar me britma dhe shigjeta ndaj afrimeve të prerësve të drurit dhe minatorëve: një përgjigje mbrojtëse e pjekur pas dhunës, skllavërisë dhe sëmundjeve të pësuara gjatë dekadave të kaluara. Sot ata lëvizin duke ndjekur ritmet sezonale përgjatë lumenjve, duke jetuar nga gjuetia, peshkimi e mbledhja dhe duke ruajtur një marrëdhënie harmonike dhe jo-nxjerrëse me mjedisin.
Rreziku i aktiviteteve nxjerrëse
Pikërisht aktivitetet nxjerrëse përbëjnë sot një nga kërcënimet kryesore: Aidesep ka denoncuar vazhdimisht imponimin e projekteve mjedisore, si programi ndërkombëtar Redd+ për reduktimin e emetimeve nga shpyllëzimi, të zbatuara pa konsultim me komunitetet indigjene. Në disa raste, popullatat lokale kanë theksuar se pas retorikës së "ruajtjes" fshihen interesa ekonomike dhe forma të kolonizimit mjedisor. "Popujt e izoluar nuk mund të nënshkruajnë marrëveshje apo të shprehin pëlqim. Dhe pikërisht për këtë arsye ata duhet të mbrohen me rigorozitet më të madh", deklaroi Aidesep në një komunikatë të vitit 2024. Një shembull emblematik lidhet me Rezervatin Indigjen Sierra del Divisor Occidental, i krijuar për të mbrojtur popujt Remo, Mayoruna dhe Kapanawa: themelimi i tij, i pritur prej gati njëzet vjetësh, është shtyrë vazhdimisht, duke i ekspozuar këto komunitete ndaj rreziqeve të mëdha shëndetësore dhe kulturore.
Kërcënimi i influencuesve
Krahas kërcënimeve historike dhe institucionale, është shfaqur një e re, fryt i modernitetit dixhital: ekzotizmi 2.0. Sot, kurioziteti ndaj popujve të pakontaktuar është transferuar në platformat sociale, ku video, foto dhe postime rreth "vëzhgimeve" bëhen virale. Disa influencues shkojnë deri aty sa kërkojnë kontakt të drejtpërdrejtë, duke e kthyer takimin me indigjenët në një shfaqje për ndjekësit. OJQ-të si Survival International i kanë cilësuar këto praktika si një kërcënim të ri në rritje, duke kërkuar shprehimisht të mos shpërndahen imazhe apo video që shkelin të drejtën për invizibilitet. Rreziku është ai i nxitjes së një "gjuetie thesari" etnografike, bazuar vetëm në logjika konsumi. Çdo kontakt i padëshiruar mund të nënkuptojë tragjedi. Këta popuj nuk posedojnë mbrojtje imunitare kundër viruseve të zakonshme dhe një grip i thjeshtë mund të shndërrohet në epidemi vdekjeprurëse. Por dëmet nuk janë vetëm shëndetësore: çdo ndërhyrje mund të shkaktojë kolapsin e pakthyeshëm të një ekuilibri kulturor mijëravjeçar. Sfida, sot, është ajo e bashkimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut me një konceptim të natyrës që nuk duhet shfrytëzuar më, por bashkëndarë. Njohja e të drejtës për izolim do të thotë të zgjedhësh dëgjimin, respektin, kujdestarinë. Është një pengesë kundër uniformizimit kulturor, një akt përgjegjësie kolektive ndaj një njerëzimi të ndryshëm por jo të largët, bartës i një diturie që meriton të ekzistojë, edhe në heshtje.