Observatori i Vatikanit: kur matematika lidh dy universe
R.SH. – Vatikan
Dy studiues të Observatorit te Vatikanit, atë Gabriele Gionti, jezuit dhe don Matteo Galaverni, kanë nxjerrë në dritë një rezultat befasues. Duke shqyrtuar se si funksionon forca e rëndesës (forca gravitacionale) kur hyn në lojë një element shtesë, që quhet “fushë skalare”, dëshmuan se ekzistojnë dy “këndvështrime” të ndryshme për të përshkruar të njëjtin realitet: njëri quhet "korniza Jordan" dhe tjetri "korniza Ajnshtajn".
Deri më sot, mendohej se këto dy mënyra të përfaqësimit të rëndesës ishin alternative, por jo plotësisht ekuivalente. Gionti dhe Galaverni vërtetuan se, duke përdorur një teknikë matematikore shumë të saktë, të dyja mënyrat, më të cilat e shikojmë universin, jo vetëm që përshkruajnë të njëjtën fizikë, por mund të gjenerojnë skenarë të ndryshëm, domethënë, universe me karakteristika të reja.
Për të arritur në këtë përfundim, të dy studiuesit përdorën një metodë të quajtur “formalizmi ADM-Hamiltonian”. Edhe pse emri është i ndërlikuar, koncepti është i thjeshtë: përdoret për të analizuar me saktësi të madhe sjelljen e hapësirës dhe kohës, dhe në veçanti për të marrë ekuacionet, që përshkruajnë se si evoluon universi.
Një element kyç i punës së tyre janë të ashtuquajturit "elemente kufitare": ato janë shpesh detaje të anashkaluara, të cilat kanë të bëjnë me kufijtë e zonave të hapësirë-kohës, që merren në konsideratë. Dy studiuesit shpjegojnë se pa i marrë parasysh këto elemente, merren ekuacione të pasakta, ose të paplota. Ishte pikërisht falë kësaj vëmendjeje ndaj "kufijve" që ata qenë në gjendje të nxirrnin formulat e sakta për të dyja mënyrat e përshkrimit të gravitetit.
Por pjesa më interesante e zbulimit të tyre ka të bëjë me atë që ndodh kur kalohet nga një mënyrë në tjetrën - domethënë, nga Jordan te Ajnshtajn - me një transformim matematik. Nëse gjithçka shkon mirë, të dyja përshkrimet mbeten të barazvlefshme. Por nëse transformimi "ngec" diku, ndodh diçka e jashtëzakonshme: hapen skenarë të rinj, dalin zgjidhje të reja të papara më parë, si vrima të zeza të veçanta apo edhe të ashtuquajturat singularitete gravitacionale të veçanta, që, të paktën deri tani, nuk mund të vëzhgohen, pasi rrethohen nga një zonë, që nuk e lejon dritën të dalë prej saj.
Thënë thjesht, ndryshimi i perspektivës matematikore mund të sjellë në dritë universe alternative. Ky rezultat nuk ka të bëjë vetëm me teorinë: na ndihmon të kuptojmë më mirë fenomenet ekstreme si vrimat e zeza, ose kushtet e universit të hershëm dhe, na afron me një nga qëllimet më ambicioze të fizikës moderne: unifikimin e fushës gravitacionale (që përshkruan universin në shkallë të gjerë) me mekanikën kuantike (e cila qeveris botën e përmasave pafundësisht të vogla).
Studimi i tyre botohet në revistën shkencore “European Journal of Physics C” dhe mund të konsultohet në internet.