"Mir?seardhe”: Papa n? Castel Gandolfo mes p?rsh?ndetjeve t? popullit
R.SH. / Vatikan
Sinjali ishte hapja e portës dhe dalja e dy rojeve zvicerane. Pastaj u dëgjua zhurma e motoçikletave dhe makina e errët, që u duk nga fundi i kodrës me Papën, i cili doli për të përshëndetur personalisht radhën e gjatë të njerëzve nën diell, të ndaluar për disa orë pas barrierave që thonë se edhe kryetari i bashkisë ndihmoi të rregulloheshin në mëngjes. Dje, më 6 korrik, rreth orës 17:00, Papa Leoni XIV mbërriti në Castel Gandolfo, strehë verore e Papëve 25 km larg Romës, ku do të kalojë një periudhë pushimi deri më 20 korrik, e më pas, edhe disa ditë në gusht.
Njerëzit, në pritje...
Në sheshin kryesor ku ndodhet Pallati Apostolik, të cilin Papa Françesku deshi ta hapte për publikun duke e shndërruar në muze, jeta kaloi e qetë për disa orë: turistë të ulur në bare dhe restorante, dyqane artizanale të hapura, vajtje e ardhje të vizitorëve në kompleksin muzeal... E gjitha kjo deri dje, më 6 korrik, në orën 16:30, në kohën kur dihej se Papa po nisej nga Roma për në Castel Gandolfo. Atje, një grup murgeshash priste mbërritjen, duke thënë Rruzaren. Ndërkohë, një zonjë në anën tjetër të rrugës pyeti me zë të lartë një të njohur: "Po vjen, apo jo?". "Po, po, po vjen" – ushtoi gjegja!
Mbërritja e Papës dhe përqafimi i besimtarëve
Duartrokitje dhe brohoritje shoqëruan kalimin e makinës papnore. Pak metra larg hyrjes së Villa Barberini, Leoni XIV - siç e kujtuam - ndaloi makinën dhe menjëherë u takua me njerëzit, që e brohorisnin nga të katër anët: “Papa Leoni!”, “Shenjtëria Juaj!”, “Atë i Shenjtë!”. Si gjest të parë, ai bekoi disa fëmijë në krahët e prindërve të tyre, pastaj përshëndeti disa zonja të moshuara. Ndërmjet tyre ishte Conchita, një grua spanjolle nga Saragosa, me pushime në Itali: “I shtrëngova dorën dhe i thashë: “Papa León, te quiero mucho” (Papa Leo, të dua shumë)”.
Murgeshat nga Kongregata e Paraqitjes së Marisë, me origjinë nga Kameruni, e brohoritën Papën në frëngjisht, duke shpresuar se do të afrohej. Leoni XIV shtrëngoi një mori duarsh, pastaj u drejtua brenda Vilës ku e prisnin Motra Raffaella Petrini, kryetare e Guvernatoratit të Vatikanit; Imzot Vincenzo Viva, drejtor i Vilave Papnore, Andrea Tamburelli dhe Kryetari i Bashkisë, Alberto De Angelis.
Përshëndetjet
I pranishëm, edhe Don Tadeusz Rozmus, famullitari polak i famullisë papnore të Shën Tomës nga Villanova, ku Papa do të kremtojë Meshën të dielën e ardhshme, më 13 korrik, ngjarja e parë publike në komunën e Lazios. Motoçiklist i njohur, famullitari bëri shaka me gazetarët jashtë Villës Barberini, duke pohuar se ishte ofruar ta shoqëronte Papën në motoçikletën e tij rreth Castel Gandolfos. "Ishte takim formal/informal, në kuptimin që Ati i Shenjtë Prevost na përshëndeti, por gjithashtu ndaloi të fliste me ne për pak kohë, na inkurajoi dhe na falënderoi për përgatitjen e kësaj pritjeje të hareshme. Ishte shumë i gëzuar, shumë i sjellshëm, shumë i qeshur ".
Dalje e papritur
Sapo u mbyll porta, ndërsa turma po shpërndahej drejt sheshit dhe zonave të liqenit, një brohoritje gruaje tërhoqi vëmendjen e të gjithëve: Papa Leoni u duk papritmas në ballkonin e Vilës. Pas flamurit verdh-e-bardh të Qytetit të Vatikanit dhe paneleve prej druri zbukuruar me dredhka, me sekretarin e tij personal Edgard Ivan Rimaycuna përkrah, Papa e përshëndeti turmën në rrugë. Disa çaste entuziazmi të madh, përjetësuar nga telefonat inteligjentë dhe kamerat.
"Mirënjohës që vazhdoj veprimtarinë në një vend kaq të bukur"
Në mbrëmje, drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, njoftoi se kishte pasur mundësinë ta përshëndeste shkurtimisht Papën për mbërritjen e tij pasdite: "Ai më foli për kënaqësinë e arritjes në Castel Gandolfo, më kujtoi se është mirënjohës për mundësitë që do të ketë atje, ku do të jetë në gjendje të takojë njerëzit gjatë ditëve në vijim dhe, njëkohësisht, të vazhdojë veprimtarinë e tij në një vend kaq të bukur".