Haiti, shkall?zim i ri dhune n? gjysm?n e par? t? vitit 2025
R.SH. – Vatikan
Mbi 3000 njerëz janë vrarë në Haiti në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, për shkak të dhunës gjithnjë e më të përhapur të bandave. Kjo shifër dramatike, e përfshirë në një raport të publikuar kohët e fundit nga Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), hedh edhe një herë dritë mbi "krizën e harruar" në vendin më të varfër në Amerikë. Mbi 5000 njerëz kanë humbur jetën që nga tetori i kaluar: buletin i vërtetë lufte, që shoqërohet nga qindra mijëra njerëz të tjerë të zhvendosur në pjesë të ndryshme të vendit karaibik. Ndër viktimat, edhe 136 fëmijë.
Mungesa e shtetit
Dhuna, raporton OKB-ja, është shtuar veçanërisht në periferitë perëndimore të kryeqytetit, Port-au-Prince, por edhe në zona të tjera si Central, Artibonite, Ganthier dhe Fonds Parisien, ku, gjatë muajve të fundit, është regjistruar një shkallëzim i mëtejshëm e i rrezikshëm. "Abuzimet me të drejtat e njeriut jashtë Port-au-Prince po shtohen në zonat ku prania e shtetit është jashtëzakonisht e kufizuar", denoncon Koordinatorja Humanitare e OKB-së në Haiti, Ulrika Richardson. Kapaciteti i kufizuar i shtetit për kontroll është, të paktën që nga viti 2021, problemi kronik që çoi në përhapjen e dhunës së bandave, të cilat, tani, kontrollojnë pjesë të mëdha të vendit, përfshirë më se 70% të Port-au-Prince. Më 24 qershor u mbush një vit që nga vendosja e misionit shumëkombësh, udhëhequr nga Kenia, me autorizim të OKB-së, për të mbështetur autoritetet lokale në rikthimin e sigurisë. Një mision, që e ka të vështirë të arrijë rezultate, për shkak të fondeve të kufizuara.
Dronët kundër bandave
Në mars të këtij viti, qeveria haitiane e tranzicioni nisi një fushatë të diskutueshme kundër bandave kriminale, duke përdorur dronë. Ky plan po shkakton protestat e vendasve, të cilët kanë dalë në rrugë në Port-au-Prince ditët e fundit, për shkak të frikës se dronët mund të shkaktojnë "viktima anësore" ndër civilët. Që nga fillimi i kësaj fushate, të paktën 300 vetë janë vrarë dhe 400 të tjerë janë plagosur, sipas të dhënave të një grupi lokal të të drejtave të njeriut (Rnddh), cituar nga gazeta “The Guardian”. Autoritetet haitiane informojnë se duke përdorur këta dronë të telekomanduar, janë vrarë të paktën 75 krerë të bandave kriminale. Por popullsia haitiane, e rraskapitur nga vitet e varfërisë dhe të frikës, nuk sheh ende zgjidhje afatgjata në horizont.