"Enigma e Pap?s Leoni", sfidat dhe misioni, n? nj? analiz? nga revista Limes
R.SH. / Vatikan
Bota e përshkruar gjeografikisht, siç jemi mësuar ta shohim në harta, por për gjysmë, duket se pasqyrohet në një gjysmë tjetër, me pamje të ndryshme, jashtë meridianëve dhe paraleleve, në fluturim! Ndërmjet dy gjysmave "një botë tjetër, e verdhë, që megjithatë të kujton një lule, ose diellin, shkurt një planet". Laura Canali, kartografe, e mendoi kështu kopertinën e numrit të qershorit të revistës mujore gjeopolitike italiane Limes, duke u përpjekur të theksojë "shpresën se kjo botë mund të shkëputet nga vijat e saj të ngurta, që e mbajnë gjithmonë të lidhur me elementët e zakonshëm të pushtetit" dhe, falë shtytjes që mund të japë Papa i ri, mund të "shkojë në një drejtim tjetër".
Vëllimi, i titulluar Rebusi i Papës Leoni, i kushtohet tërësisht mëkëmbësit të 267-të të Krishtit, ekspert në harta dhe përfaqësime topografike - i mësuar me përpunimin e të dhënave dhe zhvillimin e imazheve me përfaqësime në shkallë të zonave gjeografike dhe diagrameve si dhe me krijimin e tabelave origjinale - u frymëzua nga "përshëndetja e paqes" që Robert Francis Prevost, i sapozgjedhur Papë, i drejtoi botës.
Përshëndetja e paqes e Leonit XIV
Numri i qershorit të revistës mujore gjeopolitike italiane Limes u paraqit më 1 korrik, në Pallatin Borromeo, seli e Ambasadës italiane pranë Selisë Shenjte, ku nderimet i bëri Ambasadori Francesco Di Nitto. Autorja e hartave të periodikut Limes theksoi se sot, kur luftërat po shpërthejnë njëra pas tjetrës", akti i parë i Leonit XIV ishte tejet i guximshëm: "Duket e parëndësishme që paqja është me të gjithë ne, por edhe e qartë se është absolutisht revolucionare", tha ajo.
Në analizën historike, kur Papa Leoni XIV ka nisur të udhëheqë Kishën, merrnin pjesë Kardinali Baldo Reina, Vikari i Përgjithshëm i Papës për Dioqezën e Romës, dhe kryeredaktori i Limes, Lucio Caracciolo. Ndërhyrjet u moderuan nga Piero Schiavazzi, gazetar dhe profesor i gjeopolitikës së Vatikanit.
Papë i aftë të dialogojë me botën e sotme
"Papa Leoni përmbledh në mënyrë providente në vetvete" dhe "në historinë e tij, koordinata të ndryshme, të dobishme për Kishën e sotme, për dialogun me botën dhe për zhvillimin, që shpresojmë se do të vijë", vërejti Kardinali Reina, duke kujtuar origjinën evropiane të Papës, "e se, herët a vonë, do të na duhet t’i bëjmë disa reflektime mbi marrëdhënien ndërmjet Kishës dhe Evropës e, sipas mendimit tim, Papa Leoni është i pajisur për ta bërë këtë" - shtoi ai - duke shpjeguar se ekziston nevoja për ta rifituar "rolin, marrëdhënien, praninë e Kishës në Evropë, rëndësinë e një Kishe Evropiane, jo të hegjemonisë së Kishës Evropiane, por të një Kishe Evropiane, e cila ka lejuar përhapjen e Ungjillit, duke nisur nga Evropa, në mbarë botën".
E, pastaj, Prevost është amerikan, "e njeh mendimin" e Kishës Amerikane, "me dritëhije", ku nevojitet dialogu, i cili mund të bëhet "nëse e njeh atë realitet nga brenda", "sepse atje je lindur, atje je rritur dhe atje je formuar". E përsëri, sipas kardinalit Reina, Papa Leoni XIV ka një vizion të mirë për botën, ngaqë ishte Kreu i mëparshëm i Urdhrit të Shën Augustinit për dymbëdhjetë vjet e edhe pse i vizitoi bashkësitë augustiniane të shpërndara në pesë kontinente, "duke marrë vendime të rëndësishme" dhe "duke krijuar një ide për mbarë botën". Ai ishte edhe misionar në Amerikën Latine, "kontinent me gjallëri të madhe nga pikëpamja katolike". "Le të kujtojmë se Peruja është një nga zanafillat e Teologjisë së Çlirimit, që shkaktoi aq shumë diskutime e vuajtje, duke çliruar energji, gjithashtu shumë të ndryshme nga njëra-tjetra në kulturë", kujtoi kardinali.
Për dy vjet, Prevost ishte kreu i Dikasterit të Vatikanit për Ipeshkvijtë dhe për këtë arsye "pati mundësinë të njihej me Kurien Romake nga brenda, në një kohë kur kishte edhe një shtytje të fortë për reformëm, dëshiruar vite më parë nga Papa Françesku".
“Si besimtar, para se të isha ende bari, shoh në këto koordinata një dhuratë nga Provania e Zotit, vazhdoi Kardinali Reina, është plan, mister - më shumë sesa enigmë, fakti që “133 zgjedhës të cilët e njihnin shumë pak njëri-tjetrin, në rreth 24 orë” arritën tek një emër, ngaqë “Provania u sigurua se të gjithë këta elementë përqendroheshin te Papa Leoni: rrënjët evropiane, njohuritë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rëndësia misionare, vizioni i botës, njohuritë për Kurinë Romake”. E është edhe përshpirtëria augustiniane për t'u kujtuar, vazhdoi vikari i përgjithshëm.
Pa harruar edhe përshpirtërinë augustiniane - vazhdoi - pra "harmoninë, drejtimin e përhershëm drejt Zotit", "Krishti në qendër", e "vëllazëria". Ai është "njeri që sigurisht po jep shenja konkrete për ndërtimin e unitetit, sepse edhe brenda Kishës nuk mungojnë kontrastet", vazhdoi vikari, që përfundoi duke folur për sfidat me të cilat duhet të ndeshet Leoni XIV: ungjillizimi sot, kriza e thirrjeve të shenjta, reforma e Kuries Romake duke pasur parasysh se në kongregacionet a mbledhjet e përgjithshme, që i paraprinë konklavit, doli në pah nevoja për Kishën me një formë qeverisjeje, me bashkëpërgjegjësi. E më pas, edhe tema e periferisë dhe e periferive ekzistenciale si dhe trashëgimia e Papës Françesku, që duhet të mblidhet.
Kisha duhet të rizbulojë kuptimin e bashkimit.
Nga ana e tij, Lucio Caracciolo shpjegoi se "Selia e Shenjtë është entitet gjeopolitik", por edhe se "gjeopolitika e Kishës nuk është në konflikt me përshpirtërinë e saj, sepse është derivat i saj"! Mjafton të mendosh për dioqezat e ndryshme që e përbëjnë, në të gjithë Planetin. Por Kisha është edhe “subjekt gjeopolitik, që po vuan krizën”, e cila “ka të bëjë me identitetin e saj dhe, për këtë arsye, me figurën e Papës”.
Një figurë mbi të cilën gazetari dhe themeluesi i Limes Caracciolo u përqendrua në editorialin e tij “Leone il piccolo” (Leoni i vogli), duke kujtuar predikimin e mbajtur nga Papa një ditë pas zgjedhjes së tij, në Meshën pro ecclesia, kremtuar me kardinalët. Në të deklaroi se “angazhimi i domosdoshëm për këdo që ushtron shërbesë autoriteti në Kishë” është të zhduket “në mënyrë që Krishti të mbetet; të bëhet i vogël, në mënyrë që Zoti të njihet dhe të lavdërohet; të shkrihet deri në fund të fundit, në mënyrë që askush të mos ketë mundësinë ta njohë dhe ta dojë”.
Fjalë që, sipas kryeredaktorit të revistës gjeopolitike Limes, na bëjnë të kuptojmë se “nuk ndjehet nevoja për një njeri të madh, për një Papë të madh”, por “për një Kishë që funksionon vetë”, për të cilën “natyrshëm ekziston autoriteti papnor, që dikton vijën, por nuk mund as nuk dëshiron të merret me hollësirat”. “Ne duhet të rizbulojmë ndjenjën e bashkimit që sot është në rrezik” - lexojmë në editorial të Limes.
Gazetari ka përshtypjen se Papa Leoni e konsideron “vendin e tij të lindjes referencë të pashmangshme biografike dhe kulturore”, e edhe se mendon për vazhdimësinë me Françeskun, domethënë “beson se Kisha kishte nevojë për riorganizim”, por me një mënyrë të ndryshme.
“Papa Amerikan” - për Caracciolo-n - e di se “do të matet, në marrëdhënien e tij, me forcat, me fuqitë për të qenë më të saktë”, dhe për këtë arsye “nguli këmbë menjëherë për paqen, që duket gjë e rëndomtë, por që “është fjalë jashtëzakonisht e çmuar, në një kohë kur pushtohemi vetëm nga komunikimi i luftës, nga retorika e luftës”, duke kujtuar, për këtë arsye, “se paqja është domosdoshmëri”, është ajo, që e zgjidh enigmën e aktualitetit historik.