?mimi Zayed 2026, kardinali de Mendon?a nd?r an?tar?t e juris?
R. SH. / Vatikan
Personalitete nga Afrika, Azia, Evropa, Lindja e Mesme dhe Amerika, që përfaqësojnë fusha të ndryshme nga bota e kulturës, e së drejtës dhe e mbështetjes së fëmijëve. Këta janë gjashtë anëtarët e komisionit të Çmimit Zayed 2026 për Vëllazërinë Njerëzore, të shpallur dje, më 7 korrik, të cilët janë të thirrur për të zgjedhur fituesit e çmimit ndërkombëtar dhe të pavarur të këtij viti, që synon të shpërblejë individë dhe organizata, nga çdo origjinë dhe prejardhje, të angazhuar, në mënyrë të pa interesuar dhe të palodhur, në promovimin e vëllazërisë njerëzore dhe të progresit drejt bashkëjetesës paqësore.
Çmimi Zayed, me vlerë një milion dollarë, bartë emrin e sheikut Zayed bin Sultan Al Nahyan, themelues i Emirateve të Bashkuara Arabe, dhe u krijua në vitin 2019.
Trashëgimia e çmuar e Papa Françeskut
Komisioni që do të japë Çmimin Zayed do të shqyrtojë kandidaturat nga mbi 60 vende, të cilat mbulojnë një shumëllojshmëri të gjerë shkaqesh dhe iniciativash humanitare, duke përfshirë veprimet për klimën, reduktimin e varfërisë, zhvillimin e komunitetit dhe aksesin në kujdesin shëndetësor. Ndër gjashtë anëtarët e komisionit është edhe kardinali José Tolentino de Mendonça, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Kulturën dhe Edukimin.
Në një deklaratë, kardinali Mendonça theksoi se emërimi i tij është "pjesë e trashëgimisë së çmuar të Papa Françeskut, i cili frymëzoi krijimin e çmimit Zayed". "Unë e pranoj këtë përgjegjësi që më është besuar nga Papa Françesku dhe që e bashkëndaj me të gjithë komisionin gjykues, atë të nderimit të atyre që vënë në praktikë vlerat e vëllazërisë njerëzore. Në frymën e shërbimit dhe të bindjes ndaj Papa Leonit, pres me interes të shqyrtoj kandidaturat dhe të njoh shumë njerëz që po bëjnë ndryshime në botë".
Modele të bashkëjetesës paqësore
Ndër anëtarët e tjerë të komisionit të Çmimit Zayed janë Catherine Russell, drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, e cila theksoi se çmimi promovon "parimet e përfshira në Dokumentin e Abu Dabit mbi Vëllazërinë Njerëzore, duke përfshirë të drejtat dhe mirëqenien e fëmijëve, dhe është plotësisht në përputhje me misionin e UNICEF-it për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve në mbarë botën". Gjithashtu në komision është edhe ish-presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, për të cilin "Çmimi Zayed për Vëllazërinë Njerëzore është një platformë për të frymëzuar dhe treguar botës modele të ndryshme të bashkëjetesës paqësore dhe progresit". Në komisionin gjykues merr pjesë edhe ish-presidenti i Komisionit të Bashkimit Afrikan, Moussa Faki Mahamat, i angazhuar gjithmonë për të promovuar unitetin në Afrikë dhe në botë.
Në shërbim të njerëzimit
Fituesin e Çmimit Zayed 2026 do t’i zgjedhë edhe drejtoresha e administratës së presidentit të Republikës së Uzbekistanit, Saida Mirziyoyeva. "Për mua është një nder - deklaroi ajo - të bëhem pjesë e këtij komisioni të shquar gjykues si anëtarja e parë me origjinë nga Azia Qendrore".
Së fundi, pjesë e komisionit të çmimit Zayed 2026 është edhe gjykatësi Abdelsalam, për të cilin grupi që do të identifikojë fituesit e çmimit, "nga figura të ndryshme me ndikim dhe që përfaqësojnë misionin global të çmimit". "Presim me interes të nderojmë individë dhe entitete që janë në shërbim të njerëzimit, duke reflektuar rreth trashëgimisë humanitare të sheikut të ndjerë Zayed, të bazuar në mbështetjen e pakushtëzuar për të gjithë - përfundon ai -. Çmimi vazhdon të gëzojë mbështetjen e palëkundur të Lartësisë së Tij sheikut Mohamed bin Zayed Al Nahyan, president i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe mbështetës i vëllazërisë njerëzore".